1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

DW4 Korrik 2006

Nga shtypi i sotëm gjerman veçojmë disa artikuj që trajtojnë reformën në fushën e sigurimeve shëndetësore në Gjermani si dhe vendimin e Fifës për ta pezulluar mesfushorin Torsten Frings nga ndeshja me Italinë.

https://p.dw.com/p/Arp7
Torsten Frings
Torsten FringsFotografi: AP
Në lidhje me reformën në fushën e sigurimeve dhe shërbimeve shëndetësore në Gjermani gazeta "Stuttgarter Zeitung" shkruan: "Sistemi i sigurimeve shëndetësore në Gjermani ka kohë që duhet reformuar. Ai është tepër i shtrenjtë dhe vuan prej burokracisë së tepruar, shpërdorimit të parave dhe shërimit shëndetësor të pamjaftueshëm apo të gabuar. Në rast se ky do të ishte pacient, atëhere me siguri mjekët do ta dërgonin në repartin e reanimacionit. Përpjekjet për ta reformuar këtë dinozaur po vazhdojnë që prej 40 vjetësh dhe deri më sot në këtë drejtim ka dështuar çdo qeveri. Mund të thuhet se edhe koalicioni i tanishëm nuk pritet të ketë fat më të mirë. Deputetët e vetë partive në pushtet si dhe grupet e ndryshme të të interesuarve do t'i sulmojnë planet e koalicionit dhe në rast se ky nuk do të arrijë të bëjë një hap përpara do të ketë nevojë vetë për reformim." Gazeta "Rhein-Neckar-Zeitung" shprehet kritike në lidhje me reformën në fushën e sigurimeve dhe shërbimeve shëndetsore: "Të flasësh për arritje apo sukses në rastin e reformës në fushën e sigurimeve dhe shërbimeve shëndetësore është njësoj sikur një mjek të konstatojë tek një pacient që shkon me dhimbje apandesiti në spital, se ka vetëm fryrje barku prej gazrave. Asgjë prej atyre që të dyja palët i quanin qëllime të këtij operacioni nuk u realizua. Takimi i partnerëve të koalicionit përfundoi me rritjen e kontributeve për shoqëritë e sigurimeve. Për të arritur në një përfundim të tillë nuk ishin të nevojshme dhjetë orë diskutime gjatë gjithë natës, kjo mund të vendosej edhe brenda 10 minutash. Nuk mund të thuhet se në takim nuk pati debate të ashpra. Por përfundimi ishte vetëm një plus më tepër për shoqëritë shtetërore të sigurimeve shëndetsore, dhe fillimi i fundit të modelit funksional të sigurimeve private." Me tone të ngjashme shprehet edhe "Augsburger Allgemeine": Kjo reformë pritej të ishte vepra mjeshtërore e koalicionit të madh. Por përpjekja për ta reformuar nga themeli sistemin shëndetësor dhe për të ruajtuar një nivel të pagueshëm kuotizacionesh, dështoi. Të paktën pas fjalës vendimtare të kancelares koalicioni qeveritar hoqi dorë prej një rritje të mëtejshme të taksave. Më 1 janar do të ketë rritje taksash, një barrë tjetër plot rreziqe për konjunkturën në vend." Kalojmë në temën tjetër. Vendimi i komisionit të Fifës-s për ta pezulluar nga ndeshja gjysmëfinale me Italinë mesfushorin Torsten Frings komentohet me nota të ndryshme në shtypin gjerman. "Fränkischer Tag" (Bamberg) shprehet kritike ndaj qëndrimit të Fifës: "Vendimi për Frings tregon se Fifa i mbetet besnike vijës së saj. Ky vendim i përgjigjet edhe një herë tjetër mënyrës tipike të të vepruarit të këtij përbindëshi burokratik të pandryshueshëm dhe presidentit të tij Joseph Blatter dhe nuk është gjë tjetër vetëm se një kompromis që i vjen erë. Në rast se Fifa është e bindur se Torsten Frings ka përdorur vërtet grushtin, atëhere në bazë të statuteve duhet ta pezullonte për gjashtë ndeshje. Në rast se Fifa mendon se ai është i pafajshëm, atëhere duhet ta kishte shpallur të pafajshëm. Vetëm këto janë alternativat e mundshme." "Volksstimme" (Magdeburg) mendon se rastet e agresivitetit duhen dënuar: "Grushti mbetet grusht edhe në rast se dikush qëllon pasi e kanë provokuar. Në këtë mes është e parëndësishme, sesi argumentohet apo justifikohet më pas një veprim i tillë. Përballë kësaj të vërtete të hidhur nuk kanë se ç'të bëjnë as Torsten Frings dhe as federata gjermane e futbollit. Edhe trajtimi i kësaj çështjeje me vonesë prej Fifës nuk i vjen dot në ndihmë mesfushorit gjerman. Lojtarët duhet ta kenë të qartë që në ndeshje të tilla si ato të kampionatit botëror janë hap pas hapi në qendër të vëmendjes të dhjetëra kamerave, të cilave nuk u shpëton asgjë. Ndryshe nga rasti i vendimeve që merr arbitri gjatë ndeshjes, në rastet kur dikush përdor dhunë regjistrimet merren si dëshmi. Këtë gjë Frings duhet ta dinte, sikurse edhe që tani pa të ndeshja me Italinë do të jetë e vështirë." Së fundi citojmë nga gazeta "Schwarzwälder Bote" e cila përhap optimizëm dhe i bën thirrje kombëtares gjermane të mobilizohet: "1:0 për Italinë, sepse Torsten Frings mungon në gjysmëfinalen e sotme. Po tani duhet edhe më tepër t'u bëjmë thirrje djelmoshave të Klinsmanit, forca se do t'i mundi italianët edhe pa mesfushorin turbo. Vendimi për pezullimin e tij që për shumëkënd është i pakuptueshëm, mund të çlirojë forca të reja. Të gjithë do të bëjnë maksimalen, duam apo s'duam të bëhemi kampionë bote!"