Pasqyra e shtypit gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 06.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman

Temat: Provat me raketat balistike të Koresë së Veriut, humbja e ekipit gjerman në Botërorin 2006 dhe paralelet me politikën gjermane të koalicionit

default

Provat me raketat balistike që realizoi Koreja e Veriut pas tetë vjetësh, të cilat shkaktuan protesta mbarëbotërore dhe e detyruan Japoninë që të kërkojë mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Botëror të Sigurimit janë në qendër të shtypit të sotëm gjerman.


"Mitteldeutsche Zeitung" (Halle) shkruan: "Kombinimi i mjerimit të skajshëm ekonomik dhe i drejtuesve irracionalë të vendit e bëjnë Korenë e Veriut një vend, që nuk mund t'i kesh besë. Dështimi i provave me rraketa nuk ka pse të na shërbejë si shkak për t'u qetësuar. Sepse megjithë vështirësitë teknike Koreja e Veriut është pa dyshim shumë më afër prodhimit të një arme atomike sesa Irani. Deklaratat e SHBA-ve se e ndjejnë veten të kërcënuara drejtpërdrejtë mund të jenë vërtet hiperbolizime tipike të politikës së jashtme amerikane. Por për Japoninë apo Korenë e Jugut rreziku është real. Aktivitetet hektike diplomatike përreth globit nuk janë gjë tjetër vetëm se aksionizëm pa shpresë. E vërteta është se askush nuk e di se si mund ta bëjë regjimin komunist të Koresë së Veriut që t'i thërrasë arsyes."


"Neue Presse" (Hannover) shkruan: "Një dikator i çuditshëm po tregon muskujt. Regjimi i tij i kohës së gurit organizon prova me raketa balistike, të cilat zhyten në Detin e Japonisë. Motivi: provokim. Qëllimi: huq. Koreja e Veriut nuk është në gjendje të motivojë tani as amerikanët që të vringëllojnë shpatat. Uashingtoni mjaftohet me një deklaratë të ashpër, duke e ditur mirë se SHBA-të nuk janë në gjendje dhe as që duan t'i lejojnë vetes një luftë tjetër."


"Coburger Tageblatt" shkruan: "Stalinistët e çmendur të Koresë së Veriut mund ta trondisin botën. Evropianët nuk duhet të bien në gjumë duke menduar se janë të sigurt dhe duke besuar se raketat koreanoveriore janë kërcënim vetëm për Lindjen e Largët. Bota sot është aq e ndërlidhur sa një fshat, ku asnjëri nuk mund të shkëputet dhe të bëjë dot pa tjetrin. Si një rrezik edhe më i madh se krerët koreanoveriorë që e lënë vendin të vuajë nga uria dhe shpenzojnë shuma të jashtëzakonshme për programin e tyre atomik, kërcënon të bëhet Kina, e cila e konsideron veten si fuqi e re botërore dhe ka mjaft para për superarmët. Pekini vërtet që kontribuon dhe ndihmon që qeveria koreanoveriore t'i thërrasë mendjes, sepse nuk ka se ç'i duhet një fqinjë që është çmendur, por nga ana e saj ushtron presion mbi Tajvanin dhe kur është puna për interesat e saj këmbëngul që t'i dalë e vetja pa asnjë lloj stepjeje."

Ndërrojmë temë. Duke iu referuar humbjes së ekipit gjerman në Botërorin 2006 gazetat gjermane nxjerin paralele me politikën gjermane të koalicionit të madh.

"Financial Times Deutschland" shkruan: "Megjithëse 11-shja gjermane është përmirësuar dhe vendi është i entuziazmuar prej saj, të duhet të konstatosh se ekipi i Klinsmanit 2006 doli në këtë kampionat më keq se ai i Rudi Vëllerit në vitin 2002, i cili arriti sigurisht me shumë fat deri në finale. Në rast se prej këtij kampionati do të dalin përfundime, që mund të përgjithësohen edhe në politikë dhe ekonomi, atëhere njëra nga këto do të ishte patjetër, që të qëninit shumë më mirë, nuk mjafton. Edhe të tjerët bëhen të mirë. Dhe ai që nuk do të humbasë në garën e konkurrencës, duhet që të bëjë të paktën po aq përparime të mëdha sa edhe të tjerët. Për një gjë të tillë duhet të jetë e ndërgjegjshme edhe qeveria gjermane, e cila e bën të vetën hopin ekonomik, sikurse zhytet momentalisht në valën e popullaritetit të skuadrës kombëtare."

"Thüringische Landeszeitung" shkruan: "Duhet të kujtojmë se këmbëngulja e Klinsmanit, do t'i bënte mirë edhe politikës, e cila këto ditë e ka bërë atë ai figurë të vetën. Besimi i Klinsmanit tek vetvetja, guximi për t'u ndarë prej mumjeve të vjetra apo për t'iu kundërvënë DFB-së pa u hutuar as prej kritikave, duhet t'u japin shembull politikanëve. Ata duhet ta kuptojnë se kështu nuk ecet më dot përpara, sepse ndryshe vendi do të përfundojë në krizë. Duhen gjetur rrugë të reja jokonvencionale dhe lobiistët duhen lënë mënjanë, sikurse edhe gjyshërit e DFB-së. Hov i ri në vend të taktikave të vjetra dhe të stërpërdorura - vetëm kështu u hyn në zemër spektatorëve dhe qytetarëve."


  • Data 06.07.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arp5
  • Data 06.07.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arp5