1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

31 Korrik 2006

Një temë që preokupon shtypin gjerman është kërkesat për një ligj anti-doping në Gjermani, i cili do ta klasifikonte si të dënueshme përdorimin e këtyre lëndëve stimuluese

https://p.dw.com/p/Arog
Sport pa doping?!?
Sport pa doping?!?Fotografi: AP

Ofensiva izraelite ndaj fshatit Kana, prej së cilës gjetën vdekjen një numër i madh civilësh ndër ta edhe shumë fëmijë është në qendër të vëmendjes së shtypit të sotëm gjerman. Komentatorët e kritikojnë qëndrimin e Izraelit që ua hedh fajin vetëm milicëve hizbollah, të cilët i përdorin fëmijët dhe popullsinë civile si mburoja, dhe mendojnë se vrasja e civilëve nuk mund të justifikohet me asnjë lloj shpjegimi.

"Abendzeitung" (Mynih):

"Izraeli pretendon se përgjegjëse është lëvizja Hizbollah sepse i përdor civilët si mburojë. Por të paktën po aq përgjegjës është edhe ai që duke rrudhur supet godet në shkallë të gjërë. Kasaphana e përgjakshme e Kanës nuk do ta pengojë asnjë milimetër terrorizmin, përkundrazi do t'i japë krahë lëvizjes Hizbollah. Armëpushimi i menjëhershëm është më urgjent se kurrë, edhe në rast se ky nuk i shkon për momentin për shtat kryeministrit izraelit Ehud Olmert."

"Wiesbadener Kurier" shkruan:

"Sulmi ajror ndaj një fshati të vogël dhe e gjithë mënyra se si po e zhvillon Izraeli luftën në Liban nuk mund të justifikohen me asgjë. Vërtet që milicët hizbollah fshihen pas civilëve gjatë sulmeve të tyre ndaj qyteteve dhe fshatrave izraelite. Por një shtet demokratik nuk duhet t'u përgjigjet sulmeve terroriste me dhunë terroriste. Vrasja e fëmijëve në Kana nuk ka asgjë të përbashkët me të drejtën legjitime për vetëmbrojtje."

"Landeszeitung" (Lyneburg):

"Do të ishte e udhës që Izraeli të fillonte të mendonte për strategjinë e një armëpushimi. Terroristët hizbollah e quajnë goditjen precize të bombës izraelite në Kana sukses propagandistik. Megjithatë 37 fëmijët e vrarë në Kana duhet t'i japin shkas Izraelit që të vrasë mëndjen nëse nuk po e tejkalon masën. A është mendja e kthjellët që i bën izraelitët që t'i quajnë të justifikueshme viktimat e pafajshme për sa kohë përmes tyre arrihet qëllimi i lartë i më tepër sigurie për Izraelin? Apo mos ndoshta është përbuzja e thellë për arabët? Në rast se Izraeli, shteti i çifutëve të përndjekur, do të humbiste ndjenjën e dhimbjes për viktimat e pafajshme, atëhere terroristët ia kanë arritur qëllimit të tyre duke bërë armikun të bierë në nivelin e tyre barbar."


"Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan:

"Pjesë e kësaj lufte asimetrike është edhe shfrytëzimi prej milicëve hizbollah i civilëve si mburoja. Megjithatë mëria e libanezëve që çoi në anulimin e takimit me MPJ amerikane Rice dhe sulmi ndaj selisë së zyrës së OKB-së në Bejrut janë të kuptueshme. Asimetrik është edhe numri i viktimave në këtë konflikt të armatosur. Në Liban janë vrarë shumë më tepër persona se sa në Izrael. Tani ka ardhur vërtet koha që të angazhohet Siria. Damasku ka dhënë shenja se është i gatshëm për bisedime. Zbutja e përfaqësuesve të Hizbollahut është e papërfytyrueshme pa sirianët."

Temë tjetër që preokupojnë shtypin gjerman janë kërkesat për një ligj anti-doping në Gjermani, i cili do ta klasifikonte si të dënueshme përdorimin e këtyre lëndëve stimuluese:

"Bild am Sonntag" (Hamburg):

"Në kuadrin e skandalit për përdorimin e dopingut në sport i vetmi lajm i mirë për momentin është se policia dhe prokuritë e shumë vendeve janë të gatshme që t'i përndjekin dhe t'i shkatërrojnë krejtësisht rrjetet e dopingut. Për këtë edhe në Gjermani kemi nevojë për një ligj, i cili ta klasifikojë dopingun si vepër penale duke bërë kështu të mundshëm si dënimin e sportistëve që përdorin doping edhe të mjekëve që ua mundësojnë atyre këtë. Nisma të tilla janë bllokuar deri më sot prej funksionarëve të federatave përmes deklaratave "këtë problem e zgjidhim brenda federatës sonë". Por federatat dhe klubet sportive duket se nuk e kanë gjendjen nën kontrroll as në Gjermani dhe as në vende të tjera të botës. A i ka rënë ndokujt në sy se sa është shtuar numri i atletëve që ia dalin ta bëjnë 100 metërshin nën 10 sekonda apo se shpërthimet sportive të tipit Floyd Landys nuk janë tipike vetëm për çiklizimin, por edhe për garat e skive?