1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

3 Gusht 2006

Zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe fjalimi i kryeministrit britanik Tony Blair gjatë vizitë së tij në SHBA janë në qendër të vëmendjes së shtypit të sotëm gjerman

https://p.dw.com/p/Arod
Tony Blair
Tony BlairFotografi: AP

Gazeta "Financial Times Deutschland" është e mendimit se konflikti në Lindjen e Mesme nuk do të mund të zgjidhet kaq shpejt, për shkak të qëndrimeve të ndryshme të komunitetit ndërkombëtar:

"Gjithnjë e më tepër po bëhet e qartë se shpresa që konflikti mund të përfundohet përmes ndërhyrjes nga jashtë është e rreme. Ndërsa Franca kërkon armëpushimin si parakusht për një zgjidhje politike, SHBA-të janë për radhën e kundërt. Qeveria gjermane i do mundësisht që të dyja paralelisht. Parisi deklaroi dje në mënyrë demonstrative, se nuk do të marrë pjesë në bisedimet e planifikuara të OKB-së për një trupë multinacionale, sepse për këtë është shumë herët. Ky pozicion është i rrezikshëm. Në rast se vendoset vetëm armëpushimi, ky do t'i jepte kohë dhe mundësi milicëve hizbollah që deri sa dikur të vendosej në vend trupa ndërkombëtare, të rimëkëmbeshin ushtarakisht. Një gjë e tillë do të bënte që kjo trupë të dilte përballë milicëve terroristë vetëm si lypëse."

"Nürnberger Nachrichten" shkruan:

"Të dyja palët e ndjenë veten të vërtetuar prej luftës. Qeveria izraelite kërkon të vendosë qetësinë në kufirin e saj verior dhe t'u presë milicëve hizbollah rrugët e furnizimit nga Siria. Kur rezultoi se kjo nuk bëhej dot menjëherë, izraeli filloi ofensivën me trupa tokësore. Nasrallahu e di se në fushën e betejës nuk mund të fitojë, por njerëzit e tij janë shndërruar që tani në mit, sepse i rezistuan për kaq kohë një kundërshtari të fortë. Premisat për armëpushim fatkeqësisht kanë pamje tjetër."

Gazeta "Cellesche Nachrichten" tërheq vëmendjen për fatin e izraelitëve që konfrontohen me predhat e milicëve hizbollah:

"Ndërsa fati për të ardhur keq i popullsisë civile libaneze prezantohet vazhdimisht në të gjitha mediat, vuajtjet e burrave, grave dhe fëmijëve izraelitë nuk përmenden me asnjë fjalë apo nuk dokumentohen me asnjë pamje. Në Izrael vriten përditë njerëz prej predhave të milicëve hizbollah. Rreth një milionë izraelitë ka javë që u duhet të qëndrojnë nëpër bunkerë dhe kjo nuk i intereson askujt jashtë vendit. Armëpushimi i menjëhershëm nuk do t'u vinte në ndihmë këtyre njerëzve, sepse hizbollahu do ta shfrytëzonte këtë kohë për të vendosur në pozicione predha të tjera në mënyrë që të më pas të qëllojë edhe më me ashpërsi."

"Märkische Allgemeine" (Potsdam) trajton fjalimin e fundit programatik të kryeministrit britanik Tony Blair, në të cilin thuhet se strategjia e deritanishme në luftë kundër terrorit paskësh qenë e gabuar:

"Dy gjëra kanë qenë gjithmonë të shenjta për Tony Blairin: besnikëria e tij e patundshme kundrejt George Bushit dhe kundrejt vendimeve të veta. Kryeministri britanik iu bashkua dhe i mbështeti SHBA-të në luftën e tyre në Irak ne një formë që të kujton legjendën e Nibelungëve. Lufta kundër terrorit, kështu theksonte Blair vazhdimisht, kërkon një mënyrë të ashpër veprimi në Irak. Pikërisht për këtë pranimi me gojën e vet i kryeministrit britanik, se strategjia e deritanishme ishte pak e suksesshme, të duket edhe më i çuditshëm. Thirrja për një koalicion të maturisë do të tingëllonte më bindëse, në rast se Blari do t'i kishte frenat në dorë. Po në fakt nuk është kështu, sepse ai pritet të largohet nga posti i kryeministrit. Për këtë largimi i lehtë prej aleatëve amerikanë, të krijon përshtypjen se bëhet me një lloj frike. Deri më sot nuk e keshim njohur një Blair të tillë."

Së fundi citojmë nga gazeta "Lübecker Nachrichten" e cila trajton problemin e konsumit në radhët e fëmijëve:

"Vetëm paratë nuk të bëjnë të lumtur. Po natyrisht që është mirë po i pate. E rrezikshme është kur vlerat materiale i dominojnë vlerat e vërteta, të cilat nuk maten me para. Në të tilla raste nuk dëmtohen vetëm fëmijët, por e gjithë shoqëria, sepse pa solidaritetin dhe pa mendësinë dhe veprimtarinë orientuar prej vlerave ndjenja e komunitetit dhe e bashkësisë do të dështojë megjithë pasuritë e mëdha materiale. Fëmijët tanë nuk duhet ta përjetojnë një gjë të tillë. Dhe prandaj ata kanë nevojë për më tepër se sa për celularë, lojra MP3, kompjutera apo televizor në çdo dhomë. Dhe për to nuk ke nevojë të paguash asnjë cent."