Pasqyra e shtypit gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 24.08.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman

Angazhimi i ushtrisë gjermane në Liban, eksportimi i dy nëndetseve gjermane për në Izrael, si dhe frika që ndihet sot në radhët e udhëtarëve nëpër stacionet e trenave apo tramvajeve, janë në qendër të shtypit të sotëm gjerman

default


"Handelsblatt" (Dyseldorf) trajton çështjen e angazhimit të ushtrisë gjermane në Liban, në kuadrin e diskutimeve se me ç'lloj trupash mund të kontribuojë Gjermania në misionin e OKB-së.

"Të gjitha argumentat që flisnin në 1999 pro angazhimit gjerman në Kosovë dhe në 2001 në Afganistan, vlejnë e vlejnë në rastin e Libanit. Moralisht Gjermania nuk mund t'i bëjë bisht thirrjes së Izraelit për ndihmë. Vetëm evropianët dhe jo SHBA-të apo Bangladeshi, mund të kujdesen për suksesin e misionit të paqes. Dhe para së gjithash edhe në Liban është fjala për interesat tona në fushën e sigurisë. Në rast se do të duheshin dëshmi për këtë, këto po na i japin këto ditë terroristët libanezë, që dëshironin të hidhin në erë trenat në Gjermani. Ekzistenca e Izraleit bën pjesë në të rezonin shtetëror gjerman. Këtë fjalë të Angela Merkelit vetëm se mund ta nënvizojmë. Dhe në rast se këtu kemi të bëjmë me diçka më tepër sesa vetëm me një fjalë goje, atëhere ne nuk duhet të tërhiqemi as përpara dërgimit të trupave tokësore, p.sh. në kufirin libanezo-sirian."

Gazeta taz (Berlin) kritikon eksportimin e dy nëndetseve gjermane për në Izrael.

"Gjermania do të eksportojë sërish dy nëndetëse në Izrael. Ky është një lajm i keq, sepse të gjitha përpjekjet ndërkombëtare në Lindjen e Mesme duhet të kenë tani në qendër të vëmendjes çarmatimin. Në vend të kësaj një partneri të Perëndimit i bëhet e qartë se është në rregull që të vazhdojë të armatoset. Nëndetëset janë të ndërtuara në një mënyrë të tillë, që i bën ekspertët e armëve të kenë frikë, se Izraeli mund t'i shfrytëzojë ato për t'i armatosur me predha atomike. Kësaj i shtohet fakti që këto nëndetëse janë të pajisura me një motor të ri, që u mundëson të zhyten edhe më thellë dhe të pëshkojnë distanca më të gjata se deri më sot. Në këtë mënyrë ato shërbejnë mjaft mirë si kundërpërgjigje ndaj kërcënimit atomik prej Iranit. Por eksportimi i tyre vështirëson pikërisht për këtë rrugën në kërkim të gjetjes së një përgjigjeje politike ndaj potencialeve kërcënuese në rajon."

"Landeszeitung" (Lüneburg) është e mendimit se konflikti mes Izraelit dhe Libanit ishte vetëm paralajmëtari i një lufte plot pasoja mes SHBA-ve dhe Iranit.

"Vetëdija me të cilën prezantohet shteti islamik i Iranit nuk ushqehet vetëm prej verbimit fetar dhe kujtimeve për pozicionin historik të Persisë. Me Sadam Huseinin në Irak dhe me talebanët në Afganistan SHBA-të eliminuan dy prej rivalëve më të rëndësishëm të Iranit. Përveç kësaj ata që lëvizin fijet në Teheran ngrohen prej shkëlqimit të rezistencës së hizbollahëve kundër Izraelit. Kupat e inatit janë stërmbushur. Uashingtoni e konsideron regjimin e mullahëve si regjim të padrinove të terrorit. Teherani kujton se është i rrethuar dhe i kërcënuar prej kryqëzorëve. Dhe në këtë mënyrë dritaret e diplomacisë mbyllen. Konflikti mes hizbollahëve dhe izraelit ishte ndoshta vetëm paralajmëtari i një lufte edhe më të ashpër mes Iranit dhe SHBA-ve. Evropianët duhet të kishin gjetur një kohë më të mirë për t'u ekspozuar në Lindjen e Mesme me një trupë paqeruajtëse."

Së fundi citojmë nga gazeta "Die Zeit" (Hamburg) e cila filozofon për vlerat që mund të ketë liria e lëvizjes së lirë në kohën e kërcënimit prej akteve terroriste nëpër stacione trenash dhe aeroporte:

"Loja e thjeshtë e bazuar në formulën e shumës që mbetet konstante, të bën të qartë se më tepër masa sigurie, do të thotë që ato bien në kurriz të lirisë. Kjo ide është zëvendësuar sot prej pikëpamjes se një minimum sigurie bën pjesë në kushtet elementare të lirisë dhe se siguria ka aq vlerë, sa ajo mundëson lirinë. Përshembull ç'vlerë ka liria e udhëtimit dhe e lëvizjes së lirë, në rast se dikush nuk i hipën më dot trenit pa pasur frikë, se dikush mund ta hedhë në erë?"

  • Data 24.08.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AroJ
  • Data 24.08.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AroJ