1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

12 Shtator 2006
https://p.dw.com/p/Arnz

Manifestimet përkujtimore në SHBA në përvjetorin e pestë të atentateve terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe vizita e Papës Benedikt XVI në Bavari, janë sot temat më të rëndësishme të shtypit gjerman.

HEILBRONNER STIMME shkruan në përkujtim të 11 shtatorit 2001:

"Kjo festë përkujtimore të bën të rrënqethesh. Mijëra të afërm përkujtuan në Nju Jork, në përvjetorin e pestë të atentateve terroriste ndaj World Trade Center, viktimat. Mund ta merrje me mend, se ç'fate njerëzore fshiheshin pas asaj, që është fiksuar si shifra 9/11. Në përvjetorin e atentateve terroriste, si pesë vjet më parë Amerika e bëri botën sërish të ndiejë bashkë me të. Sikur në Ground Zero të vinte edhe njëherë të vetme ora zero! Atëherë SHBA duhet t'i mbronin vlerat e tyre jo me tortura dhe burgje ilegale. Atëherë perëndimi nuk do të përçahej nga një luftë në Irak."

Për këtë, SCHWARZWÄLDER BOTE që del në Oberndorf vëren:

"Presidenti amerikan Bush ka të drejtë, kur thotë se për njerëzit jashtë SHBA, 11 shtatori ka qenë vetëm një ditë e keqe. Amerikanët ajo i preku në palcë, ndryshoi këndin e tyre të vështrimit të gjërave, aq fort, sa presidenti mund të pohojë pa drojë se ka burgje sekrete të CIA-s në vende të tjera. Kush e di si do të ecte diskutimi për kufizimin e të drejtave të njeriut në Gjermani, nëse edhe ne do të na kishte prekur një atentat i tillë."

Pak më ndryshe argumenton gazeta që del në Potsdam, MÄRKISCHE ALLGEMEINE:

"Fjala për luftë kundër terrorit, e këtë e konfirmoi jo vetëm 11 shtatori, nuk është teprim. Prandaj, për këtë shkak është kaq fatal fakti, që presidenti amerikan dhe qeveria e tij e argumentuan veprimin e tyre kaq dendur me gjysmë të vërteta dhe me gënjeshtra dhe nuk respektuan të drejtat e shtetit juridik, të cilat i kërkojnë të zbatohen në vende të tjera. Ky dëm nuk mund të riparohet më nga nga kjo qeveri."

Gazeta e Bonit, GENERAL-ANZEIGER arrin nga ky shkak në përfundimin:

"Nevojitet një strategji tjetër, për t'i dhënë fund rrethit djallëzor të urrejtjes dhe dhunës. Interesat dhe nevojat e shteteve dhe popujve janë të rrokshme nga ana racionale. Prandaj është e drejtë, që me të gjitha forcat të nxitet dialogu politik dhe institucionalizimi i tij. Këtu janë të mundura rezultate konkrete: të përjetueshme, të kuptueshme dhe me shpenzime shumë më të pakta, seç gëlltisin lufta dhe pasojat e saj."

Ndërsa në gazetën OSTSEE-ZEITUNG ndër të tjera lexojmë:

"11 shtatori 2001 është kudo i pranishëm. Pesë vjet më pas, flokët të ngrihen sërish përpjetë, qarkullon frika e re nga terrori. Në mënyrë të detyrueshme shtrohet pyetja, çfarë ka qenë në gjendje të bëjë perëndimi në luftë kundër terrorit? Edhe më tej ne kemi të bëjmë me një kërcënim, kundër të cilit nuk ka ushtri. Sepse, kundër atentatorëve vetëvrasës nuk mund të fitosh një luftë. Në sulmin ndaj SHBA-ve u vranë njerëz nga 83 kombe. Ata patën bashkëpunuar në paqe me njeri-tjetrin, kishin qenë të dobishëm për vete dhe për të tjerët. Ky do të ishte një amanet për të gjithë."

Ne qendër të komenteve për vizitën e Papës në Bavari është efekti karizmatik i Benediktit të 16-të tek besimtarët.

Kështu, gazeta MITTELBAYRISCHE ZEITUNG që del në Regensburg është e mendimit:

"Ky Papë e vë temën me kuptim të Zotit kundër jetës së shkurtër të tregut të madh, i cili kërcënon t'i reduktojë në para marrëdhëniet njerëzore. Ai vendos evangjelizmin, mesazhin e dashurisë së Zotit ndaj të gjithë njerëzve, kundër një globalizimi, i cili rrezikon të minojë vlera të tilla si përgjegjësia sociale dhe drejtësia. Në këtë kuptim, këmbëngulja e Pontifeksit tek vlerat kristiane dhe traditat është e rëndësishme, edhe në shoqëritë moderne. Shoqëritë, të cilat mësojnë sërish respektin e drojën nga Zoti, janë të çliruara nga boshatisja e jetës moderne, të armatosura kundër personave fetarë që nxisin të tjerët. Pavarësisht nga vinë ata."

Dhe së fundi edhe mendimi i PFORZHEIMER ZEITUNG:

"Po, Papa mund të të entuziazmojë, ai flet me fjalë të thjeshta, por me përmbajtje për kuptimin e besimit, shumë vetë e dëgjojnë me vëmendje. Por megjithatë, për disa pyetje ai na mbetet borxhli me përgjigjet e tij: Si është puna e ikumenëve? Si është puna e celibatit? Ç'mendon ai për gra si priftëresha? Jozef Racinger të tregon gjithnjë me dëshirë traditën e një institucioni shekullor. Por kjo vetëm shpjegon situatën e parehatshme të kishës katolike. Krizën ajo nuk e zgjidh dot."