1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

29 Dhjetor 2006

Zhvillimet në Somali dhe mosmarrëveshjet mes Gazpromit e Bjellorusisë janë tema qendrore në të përditshmet e sotme gjermane

https://p.dw.com/p/ArmL
Pamje nga Mogadishu
Pamje nga MogadishuFotografi: AP

Fillimisht në «Frankfurter Allgemeine Zeitung» lidhur zhvillimet e fundit në Somali lexojmë:

"Kur ligji dhe rendi përmenden lidhur me zhvillimet e fundit në Somali atëherë po të kihen parasysh të gjitha përjetimet e këtij vendi të përçarë, për shtet nuk mund të flasim, mund të priten reagime sarkastike. Andaj shumë somalezë nuk do t'i besojnë deklaratave të qeverisë kalimtare se do të kthej në Mogadishu ligjin, rendin dhe qetësinë. Ushtarët e një qeveri të dobët por të njohur ndërkombëtarisht me ndihmën etiopiane dëbuan nga kryeqyteti milicët islamik. Por kjo nuk heq dyshimet e qytetarëve se kryqyteti nuk do të futet sërish në anarki".

Ndërkaq po për të njëjtën temë nga «Handelsblatt» e Düsseldorfit shkëpusim:

"Reagimi me indinjatë i botës arabe për përzierjen e Etiopisë dhe dështimi i projektrezolutës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara janë sinjale të qarta që tërheqin vërjetjen. Formalisht edhe mund të argumentohet se qeveria e përkohshme e rrëzuar nga islamistët në Somali ka kërkuar vet ndihmën e Etiopisë. Megjithatë në botën arabo-islame krijohet përshtypja se perëndimi, Rusia dhe Kina dallojnë mes invazioneve të mira dhe të këqija. Të mira dhe jo të dënueshme siç duket janë të gjitha ato që drejtohen kundër regjimeve islamike", thuhet ndër të tjera në «Handelsblatt».

Shfletojmë tani gazetën «Lübecker Nachrichten» në të cilën për zhvillimet në Solami lexojmë:

"Pa marrë parasysh se cilat kanë qenë qëllimet e islamistëve në Somali ata kanë arritur të vendosin një lloj rendi në vendin e shkatërruar. Ata tani mund të mburren se kanë vendosur rendin dhe të akuzojnë se ky rend i krijuar prej tyre po prishet sërish nga ushtria etiopiane e afërt me amerikanët. Zemrat dhe kokat e njerëzve sërish nuk do të fitohen nga politika amerikane, njëjtë si në Irak", theksohet në «Lübecker Nachrichten».

Ndërrojmë temë. Nëse Gazpromi dhe Bjellorusia nuk bien dakord për një çmim të ri gazi, rubineti i gazit do të mbyllet. Lidhur me këtë në «Berliner Zeitung» lexojmë:

"Kësaj radhe nuk mund të bëhet fjalë për manovra presioni nga pala ruse. Eshtë fjala për një fakt: marrëveshjes mes Rusisë dhe Bjellorusisë i skadon afati me 1 janar të vitit 2007. Koncerni i kontrolluar prej qeverisë në Moskë kërkon 105 dollarë për 1.000 metër kub gaz natyror në vend të 47 sa ka paguar deri tani qeveria bjelloruse. Sa për krahasim, evropianët paguajnë rreth 290 dollarë. Qeveria bjelloruse insiston për një tarifë më të ulët krahasuar edhe me vet Rusinë. Bjellorusia është një vend i rëndësishëm tranziti për furnizimet ruse me gaz drejt Evropës Perëndimore. Por sidoqoftë në Gjermani askush nuk duhet të ketë frikë se për shkak të mosmarrëveshjeve ruso-bjelloruse mund të mbeten pa gaz këtë dimër", nënvizon «Berliner Zeitung».

Ndërsa në «Rhein-Neckar-Zeitung» e cila botohet në Heidelberg lidhur me këtë shkruhet:

"Gjithnjë e më shpesh shtrohet pyetja se sa serioz dhe i besueshëm është Gazpromi në të vërtetë si furnizues me gaz për evropianët. Aktualisht koncerni rus po tregon muskujt e tij vetëm në lindje të Evropës. Megjithatë ai mund shumë shpejt të kthehet edhe nga perëndimi dhe të filloj të diktoj çmimet e reja. Përveç kësaj Kremlini zyrtar e ka dëshmuar më së miri në rastin e Ukrainës se është i gatshëm që furnizimin me gaz ta përdor si mjet presioni politik. Pushtetmbajtësit rus në rubinetat e gazit mund të shohin një formë të re të luftës së ftohtë", thekson «Rhein-Neckar-Zeitung».

Dhe për fund ndalojmë në një koment të gazetës «Braunschweiger Zeitung» e cila i kushton vëmendje dënimit me vdekje të ish-diktatorit irakian Sadam Hysein:

"Me Sadam Hyseinin do të ekzekutohej vetëm një person. Kjo nuk do të pakësonte vuajtjet dhe nuk do të shëronte plagët e irakianëve. Dhe poashtu nuk guxon të harrohet se Sadami ka qenë dikur shumë i preferuar para së gjithash për amerikanët, kur pat filluar fushatën kundër regjimit të mullahëve në Iran. Andaj Uashingtoni nuk mund të flas tani për një vendim të drejtë. Sadam Hyseini duhet të jetoj në mënyrë që Iraku të ketë një ardhmëri", thuhet ndër të tjera në «Braunschweiger Zeitung».