Pasqyra e shtypit gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 12.01.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman

Gazetat gjermane komentojnë kryesisht publikimin e strategjisë në Irak nga ana e presidentit amerikan, Xhorxh Bush në fjalimin e tij televiziv.


"Ostsee Zeitung" mban qëndrim kritik ndaj strategjisë së Bushit:

Presidenti Bush as nuk ka nxjerrë mësimet e duhura nga gabimet e tij dhe as nuk tha ndonjë gjë të re në strategjinë e tij. Atë që nuk arritën ta bëjnë 140.000 ushtarët amerikanë, pra të vendosin rendin dhe qetësinë në Irak, nuk do ta bëjnë dot 20.000 trupat shtesë. Bush këmbëngul gati me një lloj besimi fetar në bindjen e tij se ai mund të ketë sukses në Irak. Ai do të hyjë si fitimtar në librat e historisë. Por kjo është në të vërtetë një bindje e gabuar - dhe beteja e tij në Irak është beteja e tij e fundit.


Ndërsa "Stuttgarter Zeitung" gjen argumenta pro strategjisë së shpallur nga Xhorxh Bush:

Plani i Bushit ka në themel të tijin dy mësime të nxjerra, që nuk duhen mohuar: Pa stabilitet në Bagdad, Iraku nuk ka asnjë shans për paqen dhe rindërtimin e vendit. Tjetra pa prezencën e amerikanëve, vendi do të zhytej në kaosin e luftës qytetare. Kjo të bën të nxjerrësh përfundimin se SHBA-të nuk mund t'ja lejojnë vetes të dështojnë në Irak. Për këtë arsye Bush përpiqet të zëvendësojë strategjinë e tij të dështuar përmes një të reje në dukje, megjithëse ndaj saj shumica janë skeptikë.


Kritike ndaj Bushit është edhe gazeta "Frankfurter Rundschau"

Partnerët, evropianët, madje edhe kritikët në vetë vendin e Bushit: askush nuk mund të bëjë diçka, ata thjesht duhet të pranojnë që në zyrënn ovale është ulur një president kokëfortë, tek i cili nuk mbërrin më realiteti. Ai do të vazhdojë të qeverisë edhe dy vjet por nuk do të zgjidhë ndonjë problem. Sepse në të vërtetë ai është problemi. Në rastin më të mirë, mazhoranca e demokratëve në kongres nuk do t'i japë atij nga rasti në rast fondet, të cilat atij i duhen për fushatën e tij të ashtuquajtur kundër së keqes.

"Tagesspiegel" e vlerëson kështu fjalimin e Bushit:

Bush premtoi se merr përgjegjësinë e plotë. Kjo ishte fjalia e tij më e rëndësishme. Kështu ai nuk ja vë fajin as strategjisë së Pentagonit, as nuk ja lë fajin demokratëve pas zhvillimeve të mëvonshme, madje as paaftësisë së qeverisë irakiane. Po, pas fillimit të luftës u bënë gabime, por gabimi kryesor ishte vetë lufta. Mund të luajnë ndonjë rol këtu trupat shtesë? Këtë nuk e di askush, as vetë Bushi. Por ajo që dimë të gjithë është se kjo dramë është edhe testamenti i Bushit. Për këtë ai duhet të japë llogari. Ai duhet të përballet me akuzën se nisi një luftë nga më fatalet në historinë amerikane.


Gazetat gjermane i kushtojnë vëmendje edhe deklarimit të kryeministrit bavarez, Edmund Shtojber se ai do të vazhdojë të qëndrojë në postin e kryeministrit deri në vitin 2013

Gazeta "Nürnberger Zeitung komenton:

Në kundërshtim të plotë me atmosferën në partinë e tij, Shtojber ka bërë të ditur se do të vazhdojë deri në vitin 2013 - për shumë një kërcënim i vërtetë. Tanimë është ai që duhet të ulet në një qoshe i penduar- ky është vërtet turp. Por çfarë do të bënte partia, po qe se Shtojbër i flak të gjitha, gjë që duket gati e pamundur. Një pasardhës të besueshëm nuk ka në partinë kristiansociale. Ata që mund të bëheshin kandidatë të denjë, Shtojber i ka eliminuar vetë më parë.


"Nordbayerischer Kurier" mbi Shtojberin vëren:

Cili qe ai djall që e shtyu Edmund Shtojberin të pohojë pa qenë aspak nevoja se ai do të qëndrojë në postin e kryeministrit deri në vitin 2013. Që ky ka qenë një gabim i madh, këtë po e kupton vetë Shtojberi. Ai po ndërron taktikë, nga sulmi në pararojë në tërheqje, përpiqet të gjejë solidaritet tek fraksioni, por ai po qëndron ende i pashprehur. Shtojberi do të kandidonte edhe njëherë, por jo për pesë vjet. Ai duhej të frenohej, por jo të dëmtohej. Kjo është një manovër që aktualisht po i shkakton shumë kokëçarje partisë kristiansociale.

Ndërsa gazeta "Süddeutsche Zeitung" komenton lulëzimin e ekonomisë në Gjermani:

Më pak të papunë, një rritje ekonomike që prej vitesh nuk ka qenë e tillë, më pak borxhe dhe rritje të të ardhurave nga taksat. Më e bukura: Mund të vazhdohet kështu. Madje vetë studiuesit e ekonomisë dhe pesimistët e konjukturës po i thonë se rritja ekonomike do të jetë e qëndrueshme. Me këtë rriten edhe dëshirat - por kjo është normale.

  • Data 12.01.2007
  • Autor LA
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arm9
  • Data 12.01.2007
  • Autor LA
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arm9