PASQYRA E SHTYPIT GJERMAN TE SE MARTES | Studimi në Gjermani | DW | 22.11.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

PASQYRA E SHTYPIT GJERMAN TE SE MARTES

Demonstratë më 22 nëntor në Ukrainë

Demonstratë më 22 nëntor në Ukrainë


Shtypi i sotëm gjerman komenton ndër të tjera rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë si dhe dorëheqjen e politikanit të njohur kristjansocial Horst Seehofer nga posti si zëvendëskryetar i fraksionit kristjandemokrat/ kristjansocial në Bundestag.

FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG shkruan për temën e parë:

"Ajo që konstatuan vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve, nuk lë asnjë dyshim se edhe në raundin e dytë vendimtar të zgjedhjeve në Ukrainë pati shumë parregullsi. Manipulime, parregullsi dhe gjëra të cuditshme të të gjitha llojeve, për t'i siguruar fronin e presidentit Leonid Kucma përfaqësuesit të oligarkëve dhe favoritit të Kremlinit në Moskë. Për këtë moment, kur Viktor Janukoviçi është shpallur fitues i zgjedhjeve dhe mbështetësit e Jushçenkos nuk druhen nga konfrontimi me pushtetin shtetëror, mund të mbash vetëm frymën dhe të shpresosh se policia dhe ushtria do të sillen në mënyrë të arsyeshme."


Ndërsa në gazetën SÜDDEUTSCHE ZEITUNG lexojmë:

"Para së gjithash tek studentët, tek elita e ardhshme e vendit, zemërimi nuk njeh kufi. Por presidenti që po largohet i rënduar me afera, Leonid Kucma dhe klanet industrialiste të Ukrainës Lindore që rrinë pas tij humbasin shumë po të respektojnë dëshirën e vërtetë të shumicës. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për pushtet politik, për pushtetin mbi industrinë dhe lëndët e para, por edhe për miliona të mbledhura për vite të tëra. Por shumicës së popullsisë me sa duket i ka ardhur në majë të hundës nga sistemi i korruptuar oligarkik. Në një kohë që disa njerëz e trajtojnë vendin si pronën e tyre private, shumica e njerëzve kanë mbetur të varfër- dhe thuajse pa mbrojtje përballë shtetit."


FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND flet për gjendjen politike dhe ekonomike në Ukrainë dhe të preferuarin e Moskës, Janukovic-in:


"Janukovici, të cilin zyrtarët e tij duan ta kurorëzojnë fitimtar pas falsifikimeve masive në zgjedhje, është një njeri i sistemit të vjetër.... Kjo Ukrainë është është një vend ku arrestohen njerëzit, vetëm sepse dalin me fletëvolante në duar. Eshtë një vend ku gazetarët i vrasin, pa u sqaruar ndonjëherë sfondi i vrasjes së tyre. Në Ukrainën e Kucmas, një punëtor duhet të japë ryshfet, për të gjetur një punë. Oligarkët, që kontrollojnë industrinë e qymyrit dhe të çelikut të Ukrainës mund të blejnë si t'u teket vendime parlamentare..."

dhe më tej:

"Perëndimi nuk duhet të tregohet indiferent për të gjitha këto. Pikërisht BE duhet të ngulë këmbë që në kufijtë e tij lindorë të lindin demokraci të besueshme dhe jo ekonomi klanesh ekonomikë. Ukraina ka shumë më tepër banorë se Spanja dhe është për nga sipërfaqja, pas Rusisë, shteti më i fuqishëm i Evropës. Si vend tranziti për naftë dhe gaz, si furnizues i qymyrit dhe celikut dhe si treg në rritje, ky vend do të luajë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm vitet e ardhshme."

lexojmë ndër të tjera në FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND.


Dorëheqja e politikanit të njohur kristjansocial Horst Zehofer nga posti i zëvendëskryetarit të fraksionit kristjandemokrat/ kristjansocial në Bundestag është një nga temat kryesore që preokupon shtypin gjerman sot.


DIE WELT që del në Berlin konstaton:

"Me Horst Zehoferin kreu i unionistëve humbet brenda kohës më të shkurtër peshën e tyre të dytë politike. Me Fridrih Mercin e dorëhequr para pak javësh, Zehoferin e lidh kompetenca e padiskutueshme në punë, talenti natyror politik, por edhe një qëndrim në kufijtë e mungesës së besnikërisë kundër kryetarit të partisë. Të dyja partitë unioniste do ta ndiejnë nga ky shkak si clirim dorëeheqjen e Zehoferit. Por me çfarë çmimi? Kryetari i CSU-së, Stoiber e ka edhe më pak nën kontroll rivalin e tij populist social, dhe do t'i duhet të hedhë vështrimin pas në kohën e Franc Jozef Shtrausit, për të gjetur një kërcëllimë të tillë dhëmbësh sic dëgjon sot në partinë e tij. Po Angela Merkel e CDU-së? Pas krahut të djathtë politik ajo tani humbet edhe krahun e majtë. Kompetencën ajo mbase do të jetë në gjendje ta zëvendësojë, por jo forcën retorike dhe profilin politik."

Dhe së fundi, FRANKFURTER RUNDSCHAU:

"Pas Fridrih Mercit tani largohet edhe Zehoferi: Angela Merkeli mund t'i ndiejë dy largimet si proces të nevojshëm qartësimi. Por nëse do të kërkosh njerëz me peshë në krye të opozitës aktualisht, atëeherë oferta të lë më se për të dëshiruar. Cmimi është tepër i lartë, pra, ai që paguan Unioni i Merkelit në përpjekjen për të ruajtur shumicat, është i lartë. Pasi Zehoferi dha dorëheqjen, tani ka një fushë të politikës, ku ky qëllim duket i spostuar shumë larg."


  • Data 22.11.2004
  • Autor A.D.
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arxq
  • Data 22.11.2004
  • Autor A.D.
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arxq