1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman- e shtunë 28 janar

Eliana Xhani28 Janar 2006

Komentet rreth vdekjes së ish-presidentit gjerman Johanes Rau, fitorja e Hamasit dhe reagimet ndaj rrëmbimit të dy gjermanëve në Irak

https://p.dw.com/p/Arrg
Johannes Rau dhe Papa Gjon Pali II-të
Johannes Rau dhe Papa Gjon Pali II-tëFotografi: AP

Gazeta "tz" që del në Mynih vlerëson integritetin e ish presidentit Rau dhe vë re me keqardhje se politikanët e rangut të tij janë bërë të rrallë në skenën politike : "Johanes Rau si president përfaqësonte para së gjithash një gjë: integritet moral. Pavarësisht nga opinioni që mund të kesh për partinë së cilës i përkiste, SPD, apo punës së tij të mëparshme si kryeministër, ndershmëria dhe thjeshtësia e tij e rezervuar si president duhet të respektohen nga të gjithë. Epiteti "vëlla Johanes" ndoshta thuhej me shpoti për Rau-n thellësisht të krishterë por përmbante në vetvete edhe adhurim. Megjithatë epiteti më i goditur do të kish qenë "baba Johanes". Asnjë prej paraardhësve të tij nuk ka parë dhe mishëruar si ai tiparet atërore në postin e presidentit: udhëheqje morale përmes shembullit personal. Njerëzit si ai janë bërë të rrallë në skenën politike."

Gazeta "Aachener Zeitung" shkruan: "Jo ai nuk ishte vetëm një tregues anekdotash dhe protestant që besonte fort në Bibël megjithëse këto dy tipare nuk e bënin aspak antipatik. Ai nuk ishte as një peshë e lehtë politike që përpiqej t'a ushqente rëndësinë e tij me retorikë të përzgjedhur. Ndoshta Johanes Rau mishëronte më së miri politikanin ideal të përshkruar nga filozofi dhe sociologu Maks Veber në vitin 1919: "Tre cilësi janë vendimtare për një politikan: pasioni, ndjenja e përgjegjësisë dhe ndjenja e masës."

Dhe së fundi nga komentet mbi jetën dhe veprën e ish presidentit Rau citojmë nga "Berliner Morgenpost": "Pak përpara fundit të mandatit të tij presidencial Rau në mars të vitit 2004 u nderua me titullin "Qytetar Nderi" i Berlinit. Bëhej fjalë për shumë më tepër se një akt të thjeshtë formal. Rau u angazhua me forcë që roli i kryeqytetit të bëhej edhe temë e komisionit për federalizmin. Pas përfundimit të mandatit të tij, përmes një shtese në kushtetutë, statusi i Berlinit si kryeqyteti është i pandryshueshëm. Rau apelonte besueshmërinë e politikanëve kur tërhiqte vëmendjen se nuk është e mjaftueshme 'thjesht të vendosësh' për rindërtimin e një kështjelle në zemër të Berlinit. Për Johanes Rau-n ishte e vetëkuptueshme që një qytetar nderi ka edhe detyrime. Jeta nuk i dha kohë për më shumë. Por falenderimi vazhdon edhe përtej vdekjes."

Ndërrrojmë temë. Gazeta "Berliner Kurier" komenton situatën e krijuar në Palestinë pas fitores së Hamasit në zgjedhjet parlamentare.Citojmë: "Situata është e çuditshme: një organizatë radikale vjen në pushtet përmes zgjedhjeve të lira. Demokratët e pranojnë këta pa pse dhe qysh. Por aktivistët e Hamasit kanë marrë përsipër disa detyrime që nuk u shkojnë shumë për shtat. Ata duhet t'u nënshtrohen rregullave demokratike. Pjesë e tyre është që problemet nuk zgjidhen duke rrahur kundërshtarët. Në vënd që të dërgohen atentatorë duhet biseduar me qytetëri me palën tjetër. Përsa kohë Hamas nuk e kupton këtë, BE nuk duhet të japë më asnjë cent."

Ndërrrojmë sërisht temë. Gazeta "Kölnische Rundschau" komenton rrëmbimin e dy inxhinierëve gjermanë në Irak dhe konstaton se përkundër deklaratave të mëparshme qeveria gjermane është vulnerabël ndaj presioneve të tilla. Citojmë:"Mendjelehtësia e papërgjegjshme e një firme nga Saksonia ka vënë në një situatë të vështirë dy njerëz dhe qeverinë gjermane. Videos që tregon inxhinierët e poshtëruar dhe të frikësuar për jetën kancelarja Merkel i është përgjigjur me deklaratë plot mirëkuptim njerëzor. Por mesazhi drejtuar rrëmbyesve pasoi në fjalitë e fundit e në atë çfarë ajo nuk tha. Ndryshe nga rasti i Suzane Osthoff mungon refuzimi zyrtar për të paguar. Berlini nuk mund të përsërisë më besueshëm deklaratën e atëhershme "nuk lejojmë të na bëjnë presion". Në vënd të kësaj u tha shprehja: do të bëjmë gjithçka. Duket qartë se mbi qeverinë gjermane mund të ushtrohet presion. Dhe çdo kriminel apo i dëshpëruar politik di për të ardhmen se rrëmbimi i gjermanëve të siguron shpërblime të majme."