Pasqyra e shtypit gjerman, 21.06.04 | Studimi në Gjermani | DW | 21.06.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman, 21.06.04

Për gazetën Stuttgarter Zeitung kushtetuta e Bashkimit Evropian ende nuk ka mbërritur në finish:

"Kushtetuta e Evropës e miratuar nga krerët e qeverive duhet të kapërcejë muajt e ardhshëm pengesat kombëtare; në disa vende i lejohet popullit të votojë për të. Kjo ndërmarrje mund të ketë vetëm atëherë sukses kur njerëzve t'iu bëhen të qarta synimet politike dhe vlerat e bashkimit evropian. Integrimi gjithnjë e më i ngushtë i Evropës, aq vendimtar për funksionimin në të ardhmen të kontinentit të vjetër, mund të arrihet vetëm nëse përbri identiteteve kombëtare dhe rajonale lind edhe një identitet evropian, një lloj patritizmi kushtetues evropian."

Gazeta Express e Këlnit shkruan:

"Megjithë përparimet Evropa është shumë larg harmonisë politike. Këtë e tregon edhe pazari i padenjë lidhur me postin e kryetarit të Komisionit Evropian. Njëri pas tjetrit ngrihen kandidatët dhe rrëzohen përsëri vrazhdë. Për politikanët që e kontrollojnë zgjedhjen nuk është vendimtar kualifikimi i kandidatëve, por tesera e duhur partiake. Sa keq, Evropa mund të paraqiste një pamje shumë të mirë."

Gazeta Ostthüringische Zeitung nga Gera druhet se mos kushtetuta e Bashkimit Evropian dështon për arsye të mosmarrëveshjeve kombëtare.

"Kushtetuta i rrit mundësitë që Bashkimi Evropian të kthehet më në fund në një formacion politik me peshë të rëndë. Por për këtë duhet që teksti i kushtetutës të ketë rastin të zbatohet në praktikë. Është për të pasur frikë se në disa parlamente kombëtare ratifikimi mund të mbulohet nga betejëza të politikës së brendshme. Dhe në referendumet në disa vende ka të ngjarë që të vendosë pakënaqësia me qeverinë vendase."

Ndërrojmë temë. Sipërmarrja gjermane Postbank po e shtyn me dy ditë daljen e saj në bursë. Lidhur me këtë gazeta Dresdner Neueste Nachrichten shkruan:

"Vonesa është një dështim i turpshëm. Mbi të gjitha për presidentin e sipërmarrjes Klaus Zumwinkel, i cili përsëriste me të madhe se gjithçka do të kryhej siç ishte planifikuar. Kësaj i shtohet fakti që manaxherit iu desh të pranonte një humbje tjetër të rëndë për arsye të diapazonit të parashikuar të çmimit të emetimit. Tani letrat me vlerë do të ofrohen shumë më lirë sesa planifikohej."

Gazeta Südkurier nga Konstanca shkruan lidhur me këtë:

"Natyrisht që është e drejta e drejtuesit të një koncerni që ta shesë nënsipërmarrjen e vet sa më shtrenjtë që të jetë e mundur. Dhe ndoshta investuesit do të kishin blerë ndërkohë me nçmim më të lartë po të mos ishte bërë e njohur një shkresë e brendshme e bankës Deutsche Bank. Megjithatë manaxheri Zumwinkel duhet të ballafaqohet me akuzën se nuk ua vuri veshin paralajmërimeve që vinin nga tregu. Që prej disa ditësh shumë fonde po sinjalizonin që çmimi i planifikuar ju dukej tepër i lartë. Të paktën shefi i postës lëshoi pe në kohën e duhur."

Gazeta Offenbach Post e shikon ngjashëm çështjen:

"Përse jo që në fillim kështu, zoti Zumwinkel? Me uljen e diapazonit të çmimit posta mezi ia doli ta ndërronte kursin në kohën e duhur dhe të shmangte një dëm të paparashikueshëm për kulturën aksionare gjermane që sa po rigjallërohet. Dalja në bursë e sipërmarrjes Postbank është emetimi i ri më rëndësishëm në Gjermani që prej fundit të euforisë në bursë katër vjet më parë. Në këtë mënyrë dalja në sheshin e bursës ka efekt sinjali me rëndësi. Me të vërtetë zoti Zumwinkel, gabuat gjatë lojës suaj të pokerit."

Në përfundim gazeta Abendzeitung e Mynihut komenton:

"Investuesit që i blenë aksionet me çmimin e deritashëm më të ulët prej 31,50 eurosh duhet ta ndiejnë veten të mashtruar. Kur tani është e mundur që aksionet të ofrohen për vetëm 28 euro, atëherë përse nuk ishte e mundur kjo që dy javë më parë. Përpjekja ngatharaqe e Zumwinkelit për ta detyruar me kokëfortësi të pafundë botën e financës që të bënte ndryshime nuk ka dëmtuar vetëm imazhin e sipërmarrjes Postbank. Në rast se bankat gjermane me në krye Deutsche Bank pranojnë kundër ndërgjegjes të bashkëpunojnë në një poker të tillë çmimesh, atëherë pezmatohen investuesit, jo vetëm në Gjermani."

  • Data 21.06.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arzq
  • Data 21.06.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arzq