1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

PASQYRA E SHTYPIT GJERMAN - 20 TETOR 2004

Përgatitur nga Auron DODI19 Tetor 2004
https://p.dw.com/p/Ary7
Politikanë kryesorë gjermanë debatojnë për emigrimin
Politikanë kryesorë gjermanë debatojnë për emigriminFotografi: AP

Shtypi i sotëm gjerman trajton më gjerësisht tema të politikës së brendshme gjermane. Po shkëpusim disa prej tyre.


Këshilli i ekspertëve për emigrimin, nën kryesinë e politikanes kristjandemokrate, Rita Sysmuth ka rekomanduar në raportin e tij vjetor që vitin e ardhshëm të tërhiqen në Gjermani deri 25 mijë forca tepër të specializuara nga bota e jashtme. Kjo gjen jehonë të ndryshme në kryeartikujt e gazetave të sotme gjermane.

Gazeta NEUE OSNABRÜCKER ZEITUNG veçon:

"Do të jetë e vështirë: deri 25 mijë ekspertë të shkolluar mirë duhet të lejojë të hyjnë në vend Gjermania vitin e ardhshëm, rekomandon Këshilli i Emigrimit. Kjo megjithëse numri i të papunëve vitin e ardhshëm kërcënon ta kalojë shifrën e 5 milionëve. Reagimet e ashpra janë paraprogramuar, por ato nuk ndryshojnë gjë në faktin se Këshilli i Ekserpërtëve ka të drejtë. Sepse për të kapërcyer vështirësi dhe për të ruajtur kontaktin me konkurencën globale shumë sipërmarrje kanë nevojë urgjente për më shumë specialistë. Njëra nga shumë degët nevojtare është dega e informatikës: në ekonominë e informacionit dhe të telekomunikacionit një ndër tre producentë ankohen për një numër të pamjaftueshëm punonjësish të kualifikuar. Nëse kontigjenti i propozuar tani prej 25 mijë emigrantësh vecanërisht të aftë mjafton, kjo është një punë tjetër. Nuk është gabim që numri të caktohet i lartë, në mënyrë që në fund të mos dalë se sërish mungojnë forca të specializuara."


Ndërsa gazeta STUTTGARTER NACHRICHTEN godet me topa të rëndë dhe pyet:

"A janë këto me të vërtetë këshilla, për të cilat kemi nevojë për të trajtuar si duhet problemin e emigracionit? Atëherë ne do të bënim mirë t'i kursenim paratë për këtë. Më liberale e dëshiron Zysmuthi të drejtën për të huajt, më bujare dhe me zemër më të hapur. Por se në kurriz të kujt shkon kjo, ajo nuk e thotë. Të prekurit do të ishin të papunët e këtushëm, midis të cilëve prej kohësh ka shumë të kualifikuar. Por të prekurit do të ishin edhe vetë emigrantët, të cilët do të përballeshin me zili dhe mospëlqim. Integrimi nuk arrihet në këtë mënyrë."

Institutet e kërkimeve ekonomike në Gjermani kanë publikuar prognozën e tyre të vjeshtës për zhvillimin ekonomik të Gjermanisë më 2005. Kjo i bën shumë komentatorë gjermanë të përpiqen ta zbërthejnë në rezultate konkrete parashikimin me shifra.

Gazeta BADISCHES TAGBLATT që del në Baden-Baden shkruan:

"Stanjacion me tendenca pozitive- ndryshe nuk mund t'i karakterizosh prognozat e instituteve të kërkimeve ekonomike. 1,5 % rritje ekonomike vitin e ardhshëm, siç parashikohet, kjo me fjalë të tjera do të thotë se nuk do të kemi rritje ekonomike. Një vështrim nga SHBA dhe Kina tregon se cila është rritja e vërtetë ekonomike. Nëse është e saktë ajo që parashikojnë profetët e ekonomisë, atëherë zhvillimi konjukturor gjerman vitin e ardhshëm do të jetë drita e fundit në karvanin evropian. Shyqyr që dijetarët e ekonomisë gabohen shpesh. Në tetë vjetët e shkuara, me parashikimet e tyre ata nuk patën asnjëherë të drejtë. Dhe tani, shumëcka flet që studiuesit e konjukturës vështrojnë nga e ardhmja me pesimizëm."


Me syze më optimiste e lexon KÖLNER STADTANZEIGER prognozën e vjeshtës të institucioneve gjermane:

"Në thelb, Gjermania është më përpara se një vit e gjysmë më parë. Agjenda 2010 e kancelarit Shrëder, këtë e konfirmon edhe ekspertiza e vjeshtës, i ka vendosur si duhet piketat. Dobësitë në punësim, në plan afatgjatë nuk mund të përballohen me mosngritje rrogash dhe pakësim të shpenzimeve për punën. Nëse do të arrihet që më shumë ide të përkthehen në produkte të tregtueshme, atëherë do të ketë vende të reja pune. Por gjermanët akoma kanë në mendje llamarinat e presuara, kur flasin për suksese ekonomike. Kjo në një kohë kur e ardhmja është në sektorin modern të shërbimeve, i cili dominon që sot."

Dhe së fundi gazeta MAIN ECHO, e cila përpiqet të hedhë vështrimin nga e ardhmja:

"Etapa e fundit e reformës së taksave vërtet që teorikisht mund të gjallërojë në fillimin e vitit të ardhshëm konsumin privat. Por përballë shumë pasigurive pjesa më e madhe e emigrantëve vazhdojnë t'i shtrëngojnë fort paratë. Edhe një rënie e ndieshme e papunësisë nuk mund të pritet, kur prodhimi shtohet me më shumë se dy përqind cdo vit, por kur ekonomia në përgjithësi rritet më pak se 2%. Konkretisht kjo do të thotë: gjithnjë e më pak njerëz kontribuojnë gjithnjë e më shumë. Dhe në rast pasigurie, më mirë kursehen paratë se sa të blihet. E hidhur për Republikën Federale Gjermane: rritja ekonomike, të cilën ajo mezi e ka pritur ka ardhur, por ajo është shumë e dobët për të ndryshuar atmosferën e përgjithshme në Gjermani. E cila është më depresive se sa është gjendja."