1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman 19.12.2006

18 Dhjetor 2006

Shtypi i sotëm gjerman fokusohet tek ministri i ri amerikan i mbrojtjes Gates dhe postin e vështirë që mori ai përsipër, si edhe tek mbledhja që organizoi kancelarja Angela Merkel në Dresden mbi domosdoshmërinë e ideve inovative në fushën e teknologjisë dhe komunikacionit.

https://p.dw.com/p/ArmS

Gazeta «Nordkurier» shkruan mbi ministrin e ri amerikan të mbrojtjes:

"Robert Gates nuk është një person që duhet pasur zili. Qysh prej luftës së Vietnamit, nuk ka ndodhur që një politikan të marrë përsipër drejtimin e një Pentagoni kaq kaotik sa këtë rradhë. Lufta e Irakut do të jetë tema e tij kryesore, në mos e vetme. Në rast se këtu do të bëhej fjalë vetëm për të nxjerrë sa më pastër karrocat e Bushit dhe politikës së tij të dështuar me Ronald Rumsfeldin nga Iraku, atëherë mund të thonim se Gates nuk e ka edhe aq të vështirë. Por Gates qëndron përpara detyrës paradokse, që të tërheqë karrocat dhe në të njetën kohë t´i lërë ato në Irak. Me fjalë të tjera, sido që të jenë opcionet, ato janë të gabuara."

Gazeta «Abendzeitung» nga Mynihu komenton:

"Rumsfeldi nuk mund të mbahej më dot në atë post, sepse pas zgjedhjeve të humbura të kongresit amerikan, ai u shndërrua në simbolin për politikën e dështuar në mënyrë katastrofale të Bushit në Irak. Por kjo nuk do të thotë se Bush e sheh gjithashtu si të dështuar politikën e tij. Presidenti beson ende në fitore, gjë që për Gates është e pamundur. Vetëm kur ministri i ri i mbrojtjes do t´ja dalë mbanë ta kthejë Bushin në një person realist, atëherë ai do të jetë më shumë se vetëm një vegël e presidentit. Por për t´ja arritur këtij qëllimi, Gates ka nevojë për një mrekulli."

Ndryshojmë temë. Gazeta «Volksstimme» nga Magdeburgu shkruan mbi mbledhjen mbi sektorin e IT-së në Gjermani:

"Merkel përshkruan gjëra të vetëkuptueshme kur thotë se industritë klasike duhet të bashkëpunojnë më ngushtë me teknologjitë moderne të informacionit. Kjo kërkesë është po aq e vjetër sa dituria se teknologjitë e informacionit janë mjeti për qëllim. Kancelarja përmendi të ashtuquajturën kartën për sistemin shëndetësor. Por kjo nuk është arsye që kjo kartë të vlerësohet tani si një revolucion teknik. Ndoshta ideja e zhvillimit të këtij takimi nuk ishte e keqe. Revolucioni në sektorin IT do të sjellë një ndryshim të dukshëm të shoqërisë civile, dhe jo vetëm të qeverisë, ekonomisë dhe shkencës."

Gazeta «Allgemeine Zeitung» nga Mainz komenton:

Shumë firma i përdorën vitet e kaluara për t´i holluar strukturat e tyre, por si qëndron situata me teknologjitë, që do të sigurojnë të ardhmen? Mbledhja e IT-së në Potsdam mund të jetë fillimi i një procesi ndryshimesh. Çfarë konkluzionesh dolën nga ky takim? 6 miliardë euro për 3 vite, kjo nuk është pak. Të gjithë duhet të ndërlidhen elektronikisht me njëri-tjetrin dhe të komunikojnë pa probleme. Por a kemi aq ekspertë sa duhet për ta organizuar dhe kryer këtë projekt? Përgjigja është "JO". Ky është konkluzioni më i qartë i takimit të Potsdamit dhe me këtë definohet edhe detyra më re rëndësishme, që kancelarja morri mbi supe gjatë këtij takimi."

Dhe së fundi në gazetën "Märkische Allgemeine» nga Potsdami lexojmë:

"Si gjithmonë në takime të tilla, mungonte edhe këtë rradhë retorika realiste dhe fjalët "t'i rrisim forcat" lanë mbresa në Potsdam. Në fakt këtu po bëhen përpjekje që Gjermania të mos mbetet e pazhvilluar dhe që të ecë me ritmin e zhvillimit teknologjik në botë. Sepse pa tekonologjinë e informacionit dhe komunikacionit, nuk mund të mbetemi një ndër vendet më të përparuara në botë."