Pasqyra e shtypit gjerman 19 prill 2006 | Studimi në Gjermani | DW | 19.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman 19 prill 2006

Ngjarja e Pocdamit, ku disa neonazistë rrahën për vdekje një 38-vjeçar me origjinë nga Etiopia, hetimet për të cilën i ka marrë tashmë në dorë kryeprokurori i përgjithshëm i vendit janë në qendër të shtypit të sotëm gjerman.

"Westfälische Rundschau" (Dortmund) shkruan:

"Në rastin e Pocdamit hetimet i ka marrë në dorë kryeprokurori i përgjithshëm, gjë me të cilën ai dëshiron të sinjalizojë se raste të tilla kërcënojnë sigurinë e brendshme të Gjermanisë. Sa mirë sikur ky mesazh të shkojë deri tek veshët e politikanëve. Statistikat e krimeve dhe raportet e entit për mbrotjen kushtetuese flasin për gjëra që janë lënë pas dore dhe të cilat nuk mund të kapërcehen vetëm duke shprehur disa fjalë keqardhjeje. Deklaratat se ngjarje të tilla dëmtojnë reputacionit e qytetit të Pocdamit dhe të të gjithë Gjermanisë janë të drejta. Por të besueshme ato bëhen vetëm kur shoqërohen me sqarimin e rrethanave dhe luftimin e shkaqeve që çuan në to. Një ndër shkaqet është klima e shkaktuar prej debateve për integrimin. Skena e ekstremistëve të djathtë e ndjen veten të mbështetur prej kërkesave për mbrojtjen e vendit prej të huajve."


"Abendzeitung" (Munih) shkruan:

"Neonazistë? Dhunë e djathtë? Në Gjermaninë perëndimore të tilla tema kishin kohë që ishin zhdukur prej rendit të ditës. Sulmi ndaj inxhinierit me origjinë nga Etiopia, hedh dritë mbi një problem themelor - për nivelin e lartë të orientimit të djathtë në landet lindore të Gjermanisë, sidomos nëpër provincat gjermanolindore. Aty janë thuajse të përditshme sulmet dhe ngacmimi i të huajve. Aty ka shumë njerëz që nuk guxojnë të shprehen hapur kundër neonazistëve dhe ekstremistëve të djathtë. Zhvillimi ndjek formën e një spiraleje për poshtë. Meqenëse në lindje nuk ka punë, të rinjtë e shkolluar largohen për në landet perendimore. Ata që mbeten pas janë të pashkolluarit dhe të prapambeturit që e kanë kollaj të përsërisin parrullat e djathta. Kjo çështje ka kohë që injorohet."

"Këlnische Rundschau" shkruan:

"Kjo mund të parashikohej. Ministri i Brendshëm i Brandenburgut, Jërg Schënborn, tërhoqi në fillim të vitit vëmendjen se në landet lindore po shtohet gatishmëria dhe militantizimi i skenës ekstremiste të djathtë. Në atë kohe nuk kishte pasur vrasje, por vihej re një shtim i numrit të rasteve të sulmeve kundër të huajve. Përpara ngjarjes së Pocdamit, ishin ato të Rheinsbergut, ku prej muajsh ekstremistët e djathtë terrorizojnë tregtarët e huaj dhe askush nuk i ndalon. Skena ekstremiste e djathtë është edhe brutale dhe frikacake dhe aty ku policia dhe qytetarët nuk ndërmarrin gjë për ta vënë situatën në kontrroll, aty përfaqësuesit e kësaj skene guxojnë të ndërmarrin diçka. Në këtë mënyrë shtyhen kufijtë."


Kalojmë në një temë tjetër. Deklaratat e qeverisë izraelite se një herë për një herë heq dorë prej masave hakmarrëse pas atentatit të Tel-Avivit.

"Kieler Nachrichten" shkruan:

"Lajmet e mira nga Lindja e Mesme janë të rralla. Një lajm i tillë erdhi së fundi nga Izraeli, i cili pas atentatit të Tel-Avivit heq një herë për një herë dorë prej masave hakmarrëse. Kjo deklaratë është për t'u shënuar për dia gjëra. Së pari Izraeli thyen rregullin e hekurt, që aktet e dhunës të palestinezëve kërkojnë patjetër shpagim. Së dyti qeveria e re tregon se është fleksibël, gjë që askush nuk e mendonte. Politikisht ky është një veprim i zgjuar. Tani e ka radhën Hamasi që të veprojë. Në rast se Hamasi mendon se sulmet ndaj Izraelit janë të legjitimuara prej së drejtës për vetëmbrojtje, atëhere mund ta harrojë për një kohë të gjatë mbështetjen prej perëndimit."

"Allgemeine Zeitung" (Mainz) shkruan:

"Shokues në atentatin e Tel-Avivit nuk është fakti që atentatori ia doli t'i kapërcejë të gjitha kontrrollet. Më e keqja pas këtij akti të përgjakshëm është justifikimi i tij prej një qeverie të zgjedhur me rrugë demokratike. Qëndrimi i Hamasit dëshmon edhe një herë se kemi të bëjmë me një organizatë të mirëfilltë terroriste. Kur do ta kuptojnë palestinezët se ua kanë dhënë votën njerëzve të gabuar? Kur do ta marrin ata vesh, se me Hamasin kanë zgjedhur rrugën e izolimit politik?

  • Data 19.04.2006
  • Autor DW
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArqN
  • Data 19.04.2006
  • Autor DW
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArqN