1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman 18.05.2006

S.H17 Maj 2006

Bundesveri gjerman do të marrë pjesë në misionin evropian për paqe në Kongo me rreth 800 ushtarë. Këtë e vendosi kabineti qeveritar në Berlin. Trupat gjermane do të dërgohen në Kongo më datën 30 korrik dhe do të rrinë atje 4 muaj

https://p.dw.com/p/Arpt

Gazeta ABENDZEITUNG nga Mynihu sheh tek ky mision "simbole të mira":

"Gjermania dhe BE-ja do ta ndihmojnë Kongon, për të zhvilluar zgjedhje të lira. Këtë rradhë nuk bëhet fjalë për naftë apo terror, por për përpjekjet e një vendi, për të gjetur demokraci dhe stabilitet. Dhe: Ky është misioni i parë i BE-së që drejtohet nga pala gjermane. Përpara 20 vitesh askush nuk do të kishte besuar se trupat gjermane mund të udhëheqin një mision ndërkombëtar. Sot nuk pyet më askush, as jashtë e as në vend. Edhe ky është një simbol."

Edhe gazeta SCHWERINER ZEITUNG thekson aspektet pozitive të këtij misioni:

"Misioni i paqes në Republikën e Kongos është në rradhë të parë një mision diplomatik. Edhe shumica e politikanëve që janë kundër këtij misioni, theksojnë se ai nuk është organizuar siç duhet, dhe sa ka shumë boshllëqe që duhen mbyllur. Kritikuesit mendojnë se në rastin e një lufte civile, misioni i përkohshëm ndërkombëtar do të kthehet në një prezencë të përhershme të trupave evropiane në vend. Por nga ana tjetër këtu bëhet fjalë për shansin e zgjedhjeve të para të lira në vend, pas 40 vitesh. Të gjithë duhet të përpiqemi që të ndihmojmë për realizimin e tyre."

Ndërkohë gazeta FRANKFURTER RUNDSCHAU reagon në mënyrë skeptike:

"Mënyra se si po përgatitet ky mision këtu në Gjermani, mund të sjellë zhvillime shumë pozitive në Kongo. Pas mendimeve të ministrit të mbrojtjes Jung dhe qeverisë gjermane, duket sikur Gjermania nuk po merr pjesë në këtë mision, sepse është e bindur për rëndësinë e tij, por sepse fatkeqësisht nuk ka asnjë opcion tjetër, ku mund të tregojë prezencë ushtarake jashtë shtetit. Gjermanët do të mësojnë tani se politika ndaj Afrikës, çështjet e OKB-së dhe ato të BE-së nuk janë kaq të tjeshta."

Edhe gazeta NEUE DEUTSCHLAND nga Berlini kritikon:

"Në Kongo duhet t´i shohim edhe ata njerëz në sy, të cilët nuk e përshëndesin misionin e trupave ndihmuese të BE-së. Kur ushtari i trejnuar gjerman do të duhet të qëndrojë përpara një fëmije me kalashnikov në dorë, do ta shohim se ku të çon arroganca. Por kjo është edhe arsyeja përse ministri Jung dhe gjeneralët e tij po e përqëndrojnë misionin e trupave gjermane vetëm në kryeqytetin Kinshasa. Por çfarë do të ndodhë, kur dikur një nga trupat e helmetave blu, do të ketë nevojë për ndihmë? Mandati i formuluar deri tani mbi dërgimin e trupave gjermane në Kongo nuk sqaron se deri ku do t´u lejohet ushtarëve gjermanë të ndërhyjnë në ish koloninë afrikane."


Dhe së fundi në gazetën KÖLNER STADT-ANZEIGER lexojmë:

"Ushtarët gjermanë kanë mbi 10 vite që marrin pjesë në mënyrë aktive në misione ndërkombëtare. Por kurrë nuk jemi hasur me një situata kaq kurioze sa tani: Vetëm të gjelbërit janë absolutisht dakord me pjesëmarrjen e trupave gjermane në misionin e BE-së në Kongo. Por parlamenti gjerman duhet të vendosë në favor të këtij misioni, në rast se nuk do të turpërohet përpara opinionit publik ndërkombëtar. Por fakt mbetet se 1.500 ushtarë nuk janë në gjendje të ndalojnë puçistët që të bëjnë çfarë të duan. Në rast se ky mision përfundon mirë, atëherë evropianët do të kenë shumë fat. Të kundërtën nuk ja urojmë as ushtarëve gjermanë e as ministrit të mbrojtjes Jung. Ai duhet të marrë përgjegjësinë për një mision, të cilin e mbshtet për arsye lojaliteti dhe jo sepse është i bindur për domosdoshmërinë e tij."