1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman 16.05.2006

S.H15 Maj 2006

Gazetat e sotme gjermane fokusohen tek rezultatet e dobëta të studimit të quajtur "PISA" mbi nivelin e arsimit në shkollat fillore dhe të përgjithshme në Gjermani si edhe tek shanset dhe rreziqet që sjell anëtarësimi i Rumanisë dhe Bullgarisë në BE.

https://p.dw.com/p/Arpv

Gazeta Allgemeine Zeitung nga Mainz shkruan mbi sistemin katastrofal arsimor në Gjermani dhe komenton:

"Ndërkohë që përpara 5 vitesh ministrja e arsimit të landit të Hesenit u has me protesta të zjarrta kundër planeve të saj për të ofruar kurse gjuhe për migrantët, sot nuk e vë më askush në pyetje rëndësinë e njohurive gjuhësore për pjesëmarrjen në mësim. Fëmijët që do të fillojnë vitin e parë shkollor, do të përfitojnë nga kurse të tilla. Por për të gjithë fëmijët e tjerë, kjo ofertë vjen shumë vonë. Kjo do të thotë një katastrofë të vërtetë sidomos për ata të rinj, që e kanë kryer tashmë shkollën e përgjithshme dhe që janë krejtësisht të papërgatitur për tregun e ashpër të punës në vend."

Gazeta Pforzheimer Zeitung shkruan:

"Shumica e nxënësve të dobët të huaj, rrjedhin nga familje migrantësh, në të cilat nuk flitet gjuha gjermane. Këtu dallohet edhe përgjegjësia reale që ka shteti për rezultatet e dobëta të këtij studimi. Situata në Gjermani, ku jetojnë prej brezash të huaj, të cilët kanë krijuar prej dekadash botën e tyre brenda territorit gjerman, duhet të ndryshojë sa më parë. Jo vetëm për arsye të zhvillimit dhe të ardhmes së Gjermanisë, por në rradhë të parë, për vetë të huajt që jetojnë këtu."

Gazeta Reutlinger General-Anzeiger shkruan:

"Rezultati i studimit PISA pritej në një farë mënyre, sidomos po të kemi parasysh se analiza bazohej mbi të dhëna që shkaktuan reagime të ashpëra që në vitin 2003 në Gjermani. Kur vetë ministri i kulturës, Helmut Rau kërkon që nxënës të veçantë të dërgohen në shkolla të caktuara, atëherë dëshmohet fare qartë se gabimet e të kaluarës janë më të rënda nga ç´mendohej. Ata që kërkojnë më shumë përparime në sektorin e arsimit, duhet të kujdesen që të mos përqëndrohen vetëm në disa lande, por në të gjithë vendin."

Gazeta Heilbronner Stimme komenton:

"Jo çdo deklaratë e Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin, OECD, është e saktë. Kështu krahasimi me shtete të tjera evropiane, ku procesi i integrimit i të huajve ka qënë më i sukseshëm se në Gjermani, nuk është i drejtë, sepse Gjermania mbështet sidomos integrimin e familjeve të varfëra. Por sidoqoftë pyetja përse brezi i dytë i fëmijëve të migrantëve nuk di ende të lexojë e të shkruajë gjermanisht, duhet përgjigjur sa më parë. Mos ndoshta sepse prindërit e këtyre familjeve kanë krijuar me kohë botën e tyre paralele në vend? Fajin nuk e kanë mësuesit dhe shkollat, por ata që refuzojnë arsimin dhe krijojnë opcione të rremë."

Gazeta Nürnberger Nachrichten shkruan:

"Sa më shumë ta verifikojmë rezultatin e studimit PISA, aq më shumë dalin në pah problemet e shtetit gjerman. Përveç Danimarkës, në të cilën urrejtja ndaj të huajve është kthyer në rendin e ditës dhe disa rajoneve në Belgjikë, Gjermania është vendi i vetëm në Evropë, ku fëmijët që rrjedhin nga brezi i dytë i migrantëve, flasin më keq gjermanisht se prindërit e tyre. Mund të flasim me orë të tëra mbi përgjegjësinë që kanë prindërit për edukimin e fëmijëve. Por këtu dokumetohet edhe dështimi i plotë i politikës integruese gjermane. Por sanksionet që propozon Stoiber, nuk do të zgjidhin ndonjë problem."

Ndryshojmë temë. Gazeta Berliner Zeitung fokusohet tek shanset dhe rreziqet që sjell anëtarësimi i Rumanisë dhe Bullgarisë në BE dhe komenton:

"Ndonëse shumë sektorë të BE-së kritikohen nga opinioni publik si pa strukturë apo të paarritshme, fakt mbetet se pikërisht këto kritika e kanë forcuar Bashkimin Evropian. Sidomos në fushën e sigurisë së brendshme. Ndërkohë rezultatet pozitive për zgjidhjen e konflikteve politike në Evropë janë edhe më të larta, sidomos po të mos harrojmë se flasim për një kontinent, në të cilin gjatë shekujve të kaluar pothuajse çdo shtet ka zhvilluar luftë kundër tjetrit. Anëtarësimi i sjell Rumaninë dhe Bullgarinë në një strukturë funksionuese të sigurisë. Ky është një argumet që nuk duhet të nënvlerësohet. Ballkani mbetet rajoni më jostabël i Evropës. Shumë konflikte nuk janë zgjidhur ende, por thjesht janë ngrirë për disa kohë, si në Kosovë. Rumania dhe Bullgaria në BE, do të ndihmojnë në stabilizimin e rajonit - ky është një fakt tashmë."