1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman 15.10.2005

15 Tetor 2005

Temat kryesore e shtypit të sotëm gjerman janë bisedimet për koalicion mes partisë socialdemokrate dhe unionit CDU/CSU që fillojnë të hënën në Berlin, problemi i përhapjes së gripit të zogjve edhe në Evropë si dhe zhvillimet në Kaukaz.

https://p.dw.com/p/ArtN
Fotografi: AP

Në lidhje me bisedimet për koalicionin e madh në Gjermani në gazetën "Lübecker Nachrichten" lexojmë:

"Gara e tërheqjes së litarit mes demokristianëve dhe socialdemokratëve në prag të fillimit të bisedimeve për koalicion javën e ardhshme bëri të qartë se me prezantimin e ekipit të tyre dhe përcaktimin e piketave programatike socialdemokratët bënë një figurë më të mirë dhe kanë fituar pikë kundrejt demokristianëve. Edhe më keq akoma, unioni CDU/CSU duket si i pashpresë në drejtim të përpilimit të programit për qeverisjen. Ajo që po përjetojmë për momentin është një socialdemokratizim i koalicionit të madh. Elementët neoliberalë po lihen mënjëanë. Kancelarja, e cila ka vështirësi të dukshme për të krijuar ekipin e saj të ministrave, të krijon përshtypjen e një rraskapitjeje të madhe."

Po për të njëjtën temë në gazetën "Badische Neueste Nachrichten" që botohet në Karlsruhe lexojmë:

"Angela Merkel deklaroi se dëshiron të qeverisë deri në fund dhe me forcë. Po pjesë e një deklarate të tillë është edhe detyra për të prezantuar mundësisht sa më shpejt listën e hidhur të vendimeve që do të bien në kurriz të qytetarëve dhe do t'i rëndojnë ata. Qytetarët po shohin plot ethe nga Berlini. Ata nuk duan të dëgjojnë vetëm emra kandidatësh për postet e ministrave, por sa më shpejt edhe gjëra konkrete."

Kalojmë në temën tjetër, problemin e përhapjes së sëmundjes së gripit të zogjve edhe në Evropë. Në lidhje me këtë temë në gazetën "Bild-Zeitung" që botohet në Hamburg lexojmë:

"Gripi i zogjve është duke përparuar edhe drejt Evropës. Çdo natë në televizor shikojmë të njëjtat pamje të tmerrshme: mijëra pata, pula apo rosa shfarosen përpara kamerave televizive. Nga Turqia njoftohet për dyshimet e para të infektimit të njerëzve me këtë sëmundje. Sigurisht që nuk duhet të biem në panik. Por gjermanët presin me të drejtë prej politikanëve që të veprojnë me vendosmëri. Kjo do të thotë se Gjermania ka nevojë për rezerva të mjaftueshme me ilaçin tamiflu, i cili mund të të shpëtojë prej këtij gripi. Përse në Francë rezervat e këtij medikamenti mjaftojnë për 66% të popullsisë, kurse në Gjermani vetëm për 10% të saj. Po ashtu kemi nevojë edhe për kontrrolle më të ashpra në kufi. Disa fletëpalosje nuk mjaftojnë. Askush nuk do t'i akuzojë politikanët se po përhapin panik në rast se ata i presin rrugën me konseguencë edhe mundësisë më të vogël të përhapjes së një epidemie të rrezikshme."

Ndërsa në gazetën "Südwest Presse" që botohet në Ulm lexojmë:

"Si federata edhe landet duhet të udhëhiqen prej parimit më mirë të merren masa parandaluese, se sa të fillojë therja masive e shpendëve. Duhet të shterrohen të gjitha mundësitë që shpendët në Gjermani të mos infektohen me virusin e gripit. Gjithsesi ministrat nuk duhet të hyjnë në garë se cili prej tyre i mbron më mirë shpendët dhe kafshët e vendit të tij prej infeksioneve, sepse për vendet e Evropës nuk ka shkak për të bërë panik. Ekspertët e sëmundjeve infektive duan të parandalojnë përhapjen e mëtejshme të infeksioneve të shpendëve, sepse ky infeksion mund të përhapet më tej tek njerëzit dhe mund të bëhet tepër i rrezikshëm në kombinim me viruset e tjera gripale. Por për fat raste të tilla nuk ka ende."

Së fundi citojmë nga gazeta "Westfälische Nachrichten" që botohet në Mynster në lidhje me aksionet e tipit me dorë të hekurt, që përdor Putini në strategjinë e tij anti-terror, sidomos në vendet e Kaukazit:

"Strategjia anti-terror e Putinit për t'ju përgjigjur me forcë dhe efikasitet sulmuesve, megjithë sukseset e veçanta ushtarake, nuk mund të të bëjë ta anashkalosh mendimin, se Kaukazi i egër nuk mund të vihet nën kontrroll vetëm me forcën e kërbaçit. Rusia nga ana e saj nuk po tregon ndonjë prirje të madhe për t'i ofruar një bazë ekonomike të qëndrueshme zonës më të varfër në jug të vendit. Ndihma financiare prej 20 milionë eurosh, që i premtoi rajonit BE, duket si një pikë uji në shkretëtirë."