Pasqyra e shtypit gjerman, 15.07.2006 | Studimi në Gjermani | DW | 14.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman, 15.07.2006

Shtypi i sotëm gjerman fokusohet tek samiti i qeverisë gjermane mbi integrimin e të huajve në vend si edhe me zhvillimet e fundit në Lindjen e Afërt.

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan mbi samitin e integrimit:

"Sërish filloi me zhurmë të madhe puna për një "plan integrues kombëtar". Ndonëse shumë pyetje që janë shtruar përpara disa vitesh, nuk kanë gjetur ende një përgjigje, tani diskutohen tema të reja. Por këto debate dëshmojnë vetëm faktin se as partitë e unionit e as partia social demokrate, kanë vizione vërtet të qarta, se çfarë do të thotë integrimi dhe si mund të ketë sukses ai. Me të ashtuquajturin samitin e integrimit, u mundësua një fillim i ri i punës sqaruese. Ndryshe nuk do ta kish kuptuar dikush, se tani bëhet fjalë për një temë tepër delikate."

Gazeta "Eßlinger Zeitung" komenton:

"Ashtu si vetë integrimi, edhe kërkesa për format e duhura të tij,
është një proces. Të githa palët janë të paktën dakord mbi faktin se arsimi dhe integrimi janë të domosdoshëm. Ky është një hap përpara. Prandaj nuk është mirë të kërkohen sanksione tani, kur nuk ka asnjë sektor që mund të sanksionohet. Sigurisht që migrantët duhet të kuptojnë se ata gëzojnë jo vetëm të drejta, por mbajnë edhe përgjegjësi. Por ky duhet të ishte hapi i dytë."


Gazeta "General-Anzeiger" nga Boni shkruan:

"Integrimi nuk do të jetë ndonjëherë një rrugë qorre. Të dyja anët duhet të pranohen. Pjesë e përshtatjes në një shoqëri është të njohësh dhe respektosh të drejtat, ligjet dhe zakonet e vendit ku jeton. Nga ana tjetër shoqëria duhet të ofrojë mundësi të ndryshme, gjë të cilën ajo është duke e bërë. Por teste diturie, në të cilat do të dështonin edhe gjermanët, nuk janë zgjidhja e problemit. Fundja gjithçka zhvillohet nëpërmjet gjuhës: Gjermanishtja duhet të jetë e detyrueshme. Që në moshën e vogël."

Në gazetën "Westdeutsche Zeitung" nga Dysledorfi lexojmë:

"Gjatë debatit mbi integrimin, qeveria gjermane nuk duhet të harrojë diçka: Si mund t´i bindim njerëzit e kualifikuar që të vijnë për të punuar në Gjermani? Kampionati Botëror i Futbollit krijoi një klimë ideale për këtë qëllim. Tani e kanë rradhën politika dhe ekonomia, që të krijojnë një koncept të përbashkët."


Në gazetën "Süddeutsche Zeitung" nga Mynihu lexojmë:

"Paqartësitë nuk mund të përfundojnë, vetëm sepse është zhvilluar një takim: Këtë e mësuam që nga politika kërcënuese që shoqëroi samitin, ndërkohë që politikanët e unionit dhe socialdemokratët mundoheshin të përdornin tonet më të ashpëra: Kur duhet apo do të ishte mirë që një i huaj të ekstradohet sërish? Politikanët debatuan sërish më shumë mbi mundësitë për daljen jashtë sistemit sesa për integrimin në të. Por edhe Edmund Stoiber do ta kuptojë dikur se integrimi sipas modelit të Rostokut, nuk mund të funskionojë."


Gazeta "Aachener Zeitung" komenton:

"Gjuha është elementi, në të cilin duhettë dish të notosh si peshku në ujë. Por ky fakt është harruar me kohë. Tani, 30 vite me vonesë, siç e vuri në dukje edhe ministri i integrimit për landin e Nordrein-Vestfalisë, Armin Lashet, përpjekjet për integrim filluan sërish. Por më mirë vonë se kurrë. Të dyja palët e kanë kuptuar se të shtysh një problem, do të thotë ta rrisësh atë. Dy breza me prejardhje migrantësh, e sidomos gratë ndër ta, e humbën shansin për një arsim dhe specializim të mirë. Do të ishte mirë sikur fëmijët dhe të rinjtë e sotëm, të mos i kenë këto probleme nesër."

Ndryshojmë temë. Në lidhje me zhvillimet në Lindjen e Afërt, në gazetën "Wiesbadener Kurier" lexojmë:

"Jo në Bejrut, por në Damask dhe Teheran ndodhen përgjegjësit dhe financuesit e këtij konflikti. Por radikalizimi i qeverisë iraniane lë pak vend për shpresa se Teherani mund t´i qetësojë marionetat e Hisbollahut. Përkundrazi, presidenti Ahmadinexhad duket i vendosur se do ta ashpërsojë më shumë konfliktin me Libanin, për t´i hequr vëmendjen opinionit publik ndërkombëtar nga konflikti bërthamor."

  • Data 14.07.2006
  • Autor S.H
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arow
  • Data 14.07.2006
  • Autor S.H
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arow