1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman (13.02.2004)

13 Shkurt 2004
https://p.dw.com/p/As2L
Njoftimi për klonimin e embrioneve të para njerëzore prej shkencëtarëve koreanojugorë është sot në qendër të vëmendjes së shtypit gjerman.

Lidhur me këtë gazeta "Rheinische Post" shkruan:

"Deri tani ide të tilla ishin skenare për një botë të ardhshme. Po e gjithë zhurma që bëhet përveç momentit të frikës dhe të shpresave për kurimin e sëmundjeve të tilla, si diabeti apo alzheimer duket se sjell gjë tjetër. Për mjeksinë lajme të tilla janë fare në fillimet e tyre, sepse për momentin askush nuk e di se si mund të përfitohet insulinë prej qelizave embrionale. Po ashtu mjeksia nuk i njeh ende mënyrat se si funksionon dhe zhvilohet sëmundja alzheimer. Përpara se mjekët të fillojnë vërtet me kurimin e sëmundjeve të tilla përmes qelizave embrionale, do të kalojnë me siguri shumë vjet. Megjithatë eksperimenti i klonimit të qelizave njerëzore do të ketë me siguri pasoja në debatet politike dhe ato etike. Fjala është se në ç'moment të zhvillimit të tij përdorimi i embrionit për përfitimin e qelizave embrionale do të konsiderohet si vrasje."

Gazeta "Westdeutsche Allgemeine Zeitung" është kundër klonimit të qenieve njerëzore.

"Përfitimi mjeksor dhe terapeutik i klonimit të qënieve njerëzore nuk është i vërtetuar. Ndoshta organe njerëzore që përdoren për transplantim mund të zhvillohen edhe prej qelizash të tjera embrionale, pa pasur nevojë që për këtë të vriten embrionë njerëzorë. Zelli i tepruar i shkencëtarëve në këtë drejtim ka të bëjë më tepër me dëshirën për të rënë në sy dhe për të bërë biznes, se sa me parimet e dashurisë për pacientët dhe njerëzit e sëmurë. Të tillë shkencëtarë natyrisht që nuk do të heqin dorë prej synimeve të tyre. Megjithatë do të ishte me vend që klonimi i qënieve njerëzore të ndalohej në të gjithë Botën. Ai që do të marrë përsipër rolin e Zotit, duhet ta dijë se po bën një padrejtësi.

Gazeta "Süddeutsche Zeitung" shkruan:

"Popullsia e shumë vendeve është pro klonimit për arsye terapie mjekësore. Për këtë shkak përpjekjet për ta ndaluar këtë teknikë në të gjithë botën jo vetëm që është e sigurt që do të dështojnë, por do të ishin edhe një hap i gabuar. Megjithatë përbuzja e klonimit të qënieve njerëzore është një hap i drejtë, dhe kjo mund të bëhet në shkallë kombëtare, si është rasti i Gjermanisë."

Gazeta Financial Times Deutschland vëren:

"A duhet t'i konsiderojmë shkencëtarët koreano-jugorë si pionerët e një mjekësie të re, apo si frankenshtajnë të së ardhmes? Lajmi për klonimin e qelizave njerëzore, ka shpalosur sërish në Gjermani çështjen në lidhje me kufijtë etikë të bioteknologjisë. Dihet që për prodhimin e qelizave embrionale nevojiten qeliza që merren prej embrioneve në një stad fillestar të zhvillimit të tyre. Problemi është se po aq i diskutueshëm sa është fakti nëse në një rast të tillë kemi të bëjmë me vrasjen e një qënieje njerëzore, po aq i diskutueshëm është edhe efekti mjekues që mund të ketë vërtet kjo teknikë e re kurimi. Për këtë zhurma që bëhet në Gjermani për ligjin për ndalimin e eksperimenteve të tilla nuk është e nevojshme, sepse shkencëtarët do të vazhdojnë të eksperimentojnë dhe për sa kohë nuk do të jenë në gjendje të tregojnë se kanë arritur rezultate në kurimin e sëmundjeve, për aq kohë opinioni do të jetë skeptik ndaj tyre.

Kalojmë tani në një temë tjetër. Bisedimet mes kancelarit gjerman Gerhard Shrëder dhe kryeministrit britanik Toni Bler. Temë qëndrore e bisedimeve tripalëshe në takimin me kryeministrin britanik ishte aftësia e BE-së për të përballuar konkurencën. Politikanët i hodhën poshtë akuzat sipas së cilave Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe synojnë të krijojnë një lloj "triumvirati drejtues" brenda radhëve të BE-së. Nga ana tjetër gazeta "Financial Times Deutschland" kërkon prej Toni Blerit:

"që ky të mos e shkelë premtimin, që duke filluar nga 1 maji ta hapë tregun britanik të punës për qytetarët nga vendet e reja anëtare të BE-së. Bleri duhet t'i kundërvihet lobit të anti-emigrantëve që thonë se punëmarrësit e rinj evropiano-lindorë do ta shfrytëzojë pa pikë skrupulle sistemin social në vend. Natyrisht që një gjë e tillë është e mundur, por kjo mund të regullohet me dispozita të reja ligjore. Ndryshe nga Gjermania dhe disa vende të tjera që kërkuan një afat prej 7 vjetësh për t'u dhënë të drejtë pune qytetarëve të rinj të BE-së, Briania e Madhe dhe disa shtete të tjera ishin dakord që të punësonin menjëherë qytetarë nga vendet e reja anëtare të Evropës lindore."