Pasqyra e shtypit gjerman - 09.11.04 | Studimi në Gjermani | DW | 08.11.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman - 09.11.04

Temat që dominojnë shtypin e sotem gjerman jane mbeturinat në mendjen dhe ndergjegjen e gjermaneve per ndarjen e vendit ne lindje dhe perendim edhe 15 vjet pas rënies së murit të Berlinit si dhe ofensiva amerikane ne Falluxha.

Edhe pse muri i Berlinit nuk është më, në mentalitetin e gjermanolindorëve dhe gjermanoperendimorëve ai vazhdon të jetë i pranishëm

Edhe pse muri i Berlinit nuk është më, në mentalitetin e gjermanolindorëve dhe gjermanoperendimorëve ai vazhdon të jetë i pranishëm

Gazeta e Nyrenbergut "Nürnberger Nachrichten" tërheq vëmendjen se edhe 15 vjet pas rënies së murit të Berlinit në kokat e shumë gjermanëve vazhdojnë të jenë të pranishme mbeturinat e këtij muri.

"Muri ra, edhe muri në kokat e gjermanolindorëve dhe -perendimorëve është bërë më i ulët. Por gjermanët po vuajnë si në Lindje edhe në Perëndnim prej një bllokade në të menduar. Të mbërthyer në skenare krizash në Gjermaninë e bashkuar mungon shpesh guximi, kuraja civile dhe qëndrueshmëria e shumë gjermanolindorëve të guximshëm, pa angazhimin e të cilëve nuk do të kishte rënë para 15 vjetësh muri i Berlinit."

Gazeta "Rhein Zeitung" që botohet në Koblenz shkruan:

"Edhe pse shumica e gjermanëve janë të lumtur për 9 nëntorin e vitit 1989, në kokat e shumë prej tyre ka ende copa nga muri ndarës i Gjermanisë. Duket se ata nuk janë të ndërgjegjshëm që dhuratat e shtrenjta janë edhe tepër delikate dhe mund të dëmtohen kollaj. Kujtimi për këtë ditë historike dhe fatlume, mund t'i ndihmojë shumëkujt për të bërë sërish të qartë se liria ka nevojë për mbrojtje. Në rast se liria kthehet në një gjë të vetëkuptueshme shtohet rreziku që dikur gjithçka të konsiderohet si e vetëkuptueshme. Po liria duhet të mbetet e vetëkuptueshme."


Gazeta e Këlnit "Këlnische Rundschau" thekson:

"Kur ra muri, ish-kancelari Helmut Schmidt tha mjaft qartë, se për kapërcimin e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me ndarjen e Gjermanisë do të duhen aq breza, sa u deshën për krijimin e tyre. Ai ka të drejtë dhe 15 vjetët që kanë kaluar deri tani nuk janë asgjë. Kontradiktat për ribashkimin gjerman janë ashpërsuar sërish, dhe harrohet se dallimet në mentalitet, strukturë, sukses ekonomik, dështim, mënyrën e të sjellurit apo në dialekte nuk ekzistojnë vetëm mes lindjes dhe perendimit, por mes të gjitha vendeve. Kjo gjë nuk duhet të na pengojë që të vazhdojmë të ndjekim një politikë bashkimi, e cila do të ndikojë një herë tek zemrat e njerëzve pavarësisht prej ftohtësisë që ndjehet. Heqja dorë prej festimit të 3 tetorit si dita e bashkimit të Gjermanisë do të kishte qenë një hap fatal që do të shkaktonte efekte të kundërta."

Tema tjetër që vazhdon të preokupojë shtypin gjerman janë zhvillimet në Falluxha. Për këtë në gazetën "Westdeutsche Allgemeine Zeitung" që botohet në Essen lexojmë:

"Presidenti amerikan priti të rizgjidhet në këtë post, përpara se të jepte urdhërin për luftimet derë më derë në Falluxha. Sepse ai e dinte dhe e di se lajmet për goditjen ndaj Faluxhës nuk do të vazhdojnë të kenë tonin e sipërfaqshëm të ditës së hënë. Falluxha nuk është ndonjë kështjelle, as kazermë, por një qytet ku jetojnë shumë njerëz. Trupat amerikane dhe aleatët e tyre po hyjnë në një luftë, të cilën ministri amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld, kishte premtuar se do t'ua kursente. Lufta në Irak ka filluar sërish."

Në gazetën e Këlnit "Këlner Stadt-Anzeiger" po për këtë temë lexojmë:

"Lufta po kthehet me të gjithë brutalitetin e saj, në rast se themi se ajo kishte mbaruar ndonjë herë. Viktimat do të jenë të shumta, dhe sidomos nga radhët e popullsisë civile. Gjaku që do të derdhet do ta shtojë rezistencën jo vetëm ndaj SHBA-ve dhe aleatëve të tyre, por edhe ndaj qeverisë së përkohshme irakiane. Po edhe heqja dorë prej kësaj përpjekjeje për t'i luftuar rebelët vendës dhe të huaj të mbledhur në Falluxha, do të ishte një hap i rrezikshëm. Në rast se në Irak do të zhvillohen në janar zgjedhje, atëhere në hartë nuk duhet të ketë zona të cilat qeveria irakiane nuk do t'i ketë nën pushtetin e saj. SHBA nuk kanë se ç'të fitojnë më në Irak. Po në rast se qeveria e re e Bagdatit do të dështojë që një provën e parë, atëhere amerikanët kanë humbur vërtet."

Një mendim të ngjashëm shpreh edhe artikullshkruesi i "Weser-Kurier" që botohet në Bremen:

"Qeveria në Bagdat po vepron sipas devizës, më mirë një fund i tmerrshëm, sesa një tmerr pa fund. Në qoftë se gjendja e jashtëzakonshme dhe ofensiva ushtarake në Falluxha do të sjellin me vete vërtet fundin e terrorit, atëhere pajtimi në vend do të ndodhë shumë shpejt dhe atmosfera e një fillimi të ri që ndihej para një viti kudo në vend, do të ringjallet sërish. Në rast se qeveria dhe trupat amerikane nuk do t'ia arrijnë të vendosin rregullin, kjo ofensivë do t'u kthehet në një bumerang dhe pasojat e saj do të ndihen në mbarë botën, edhe në Evropë."

  • Data 08.11.2004
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arxy
  • Data 08.11.2004
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arxy