1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman 09.01.2006

S.H8 Janar 2006

Qeveria gjermane do të mblidhet sot për të diskutuar mbi rezultatet e para të punës së saj. Temë tjetër e e gazetave gjermane është kritika e kancelares gjermane Angela Merkel ndaj burgut ushtarak amerikan Guantanamo.

https://p.dw.com/p/Arry

Gazeta GENERAL-ANZEIGER shkruan:

"Pas një fillimi të mbarë, koalicioni i madh do të dëshmojë tani se ndjek një linjë të qartë. Sidomos ministri i financave Peer Steinbrück duhet ta kalojë provën. Unioni dhe partia social demokrate kanë deklaruar se do të reformojnë dhe investojnë gjatë periudhës së tyre legjislative."

Në gazetën Berliner Tagesspiegel lexojmë:

"Hapa të vegjël - pikërisht këto hapa do të jenë tema e bisedimeve gjatë ditës së sotme në Berlin. Hapa të vegjël, por që për kancelaren Angela Merkel kanë një domethënie të madhe. Por do ta shohim sa i vogël do të jetë plani qeveritar që do të prezantohet në fund të mbledhjes qeveritare. Në rast se do të jetë shumë i vogël ky plan, atëherë ai nuk do të jetë sinjali i duhur që prisnim nga koalicioni kuq e zi për zgjidhjen e problemeve më të rënda në vend."

Ndërkohë kritika e kancelares gjermane Angela Merkel ndaj burgut ushtarak në Guantanamo është pritur pozitivisht nga shtypi gjerman.

Gazeta STUTTGARTER ZEITUNG komenton:

"Që prej vizitës së saj të fundit përpara 3 vitesh, opinioni publik e damkosi Angela Merkelin si jo vetëm shumë miqësore kundrejt Amerikës, por edhe si mbështetëse të plotë të Xhorxh Bushit. Por tani, pas kritikës së saj të hapur ndaj gjendjes dëshpëruese të të burgosurve në burgun ushtarak amerikan Guantanamo Bay, Merkel është kthyer pothuajse në të njejtin nivel si dikur Gerhard Schröder. Eshtë e qartë se Angela Merkel po kërkon tani alternativa të reja. Por koha do të dëshmojë nëse opcionet që do të gjejë Merkeli, do të funksionojnë vërtet."

Gazeta SÜDDEUTSCHE ZEITUNG nga Mynihu plotëson:

"Angela Merkelit ju desh shumë pak kohë për ta kthyer imazhin e saj negativ në një imazh shumë pozitiv. Po të kujtojmë fillimin pak fatkeq të punës së koalicionit të dikurshëm kuq e gjelbër, duhet të pohojmë se Angela Merkel e filloi punën si kancelare me këmbë të mbarë. Dhe kritika e saj e hapur ndaj SHBA-s dëshmon se ajo ka fituar shumë suveranitet në vetvete. Nga njëra anë ajo kërkon t´i përmirësojë marrëdhëniet mes SHBA-s dhe Gjermanisë dhe nga ana tjetër, ajo kritikon tani situatën në burgun ushtarak Guantanmo Bay me tone shumë më të ashpëra sa dikur Gerhard Schröder."

Edhe gazeta NÜRNBERGER ZEITUNG komenton:

"Me fjalët e saj se burgu ushtarak Guantanamo Bay nuk mund të vazhdojë të funksionojë kështu, Merkel e sulmoi Uashingtonin por nuk e dëmtoi seriozisht marrëdhënien gjermano-amerikane. Por ndryshe nga Schröderi, ajo e bëri të qartë qëndrimin e qeverisë së saj, se pa pasur parasysh diferencat, ajo do të bëjë të pamundurën që marrëdhëniet bilaterale të përmirësohen sa më parë."

Gazeta WIESBADENER KURIER shkruan:

"Merkel mblodhi shumë pikë me kritikën e saj që pa shkuar në Uashington, ku do ta përsërisë sërish kritikën e saj ndaj burgut ushtarak të Guantanamos. Kancelarja ka të drejtë kur e kritikon situatën në Guantanamo, ku të burgosurit mbahen prej vitesh tashmë pa asnjë akuzë apo proces gjyqësor. Rrethana të tilla janë skandaloze për çdo vend demokratik dhe sidomos për vendin që mbahet si shteti më demokratik në botë."


Dhe së fundi gazeta FRANKFURTER RUNDSCHAU shkruan:

"Kancelarja gjermane është ndoshta paksa e trembur tani që po përdor tone të ngjashme me ato të parardhësit te saj që pa shkuar ende në Uashington. Ndoshta kritika e saj do të kishte qënë më pak fyese sikur të mos e kishte quajtur të padrejtë ekzistencën e këtij burgu."