1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman 08 prill 2006

8 Prill 2006

Temë qendrore e shtypit gjerman është vendimi i trainerit të kombëtares gjermane Jürgen Klinsmann që portieri i parë i ekipit gjerman të jetë Jens Lehmann dhe jo Oliver Kahn.

https://p.dw.com/p/ArqX
Kahn (majtas), Lehmann (djathtas)
Kahn (majtas), Lehmann (djathtas)Fotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

Para se t'u drejtohemi artikujve për këtë temë fillimisht një citat nga "Këlner Stadt-Anzeiger" rreth aferës së CIA-s dhe presidentit amerikan Bush:

"Mos vallë presidenti amerikan për t'u hakmarrë ndaj një prej kritikuesve të politikës së tij ndaj Irakut ka dhënë urdhër që e shoqja e këtij të fundit të zbulohet si agjente e CIA-s? Kjo është pyetja më spetakolare e aferës së CIA-s. Këtu nuk është fjala që të dënohet presidenti. Një gjë e tillë do të ishte e vështirë, sepse atij posti i jep të drejtën që të bëjë publike informacionet e shërbimeve sekrete. Por në rast se ky rast trajtohet jo juridikisht, por politikisht, atëhere përfundimi do të jetë i ndryshëm. Edhe vetëm dyshimet ndaj tij janë një problem për presidentin, reputacioni i të cilit është në rënie. Si është sjellë qeveria ndaj kritikuesve të politikës ndaj Irakut? Kjo çështje që i preokupon amerikanët, e vë në siklet tani edhe më shumë presidentin. Pas këtyre akuzave humbja e mëtejshme e besimit politik ndaj Bushit është e sigurt."

Kalojmë tani në komentet për vendimin e Klinsmanit për portierin e kombëtares gjermane. Në lidhje me këtë "Stuttgarter Nachrichten" shkruan:

"Klithmat e zemërimit nga Mynihu janë të larta, por të pajustifikueshme. Sigurisht që Oliver Kahn ka një sërë meritash. Por në futboll nuk vlen asgjë më tepër se sa gjendja në ndeshjet e fundit. Në këto ndeshje Kahn ka bërë figurë të keqe. Arsyetimet se shkak për këtë ishte pasiguria nëse do të ishte apo jo ai portieri i ekipit kombëtar për WM 2006, janë absurde. Ai që do të fitojë titullin kampion në vendin e vet, duhet të dijë se si të reagojë ndaj stresit dhe presionit. Jens Lehmann luan në mënyrë konstante dhe me nivel të lartë dhe bashkë me Arsenalin e Londrës luan edhe në gjysmëfinalen e Kupës së Kampioneve.

Gazeta "Schwäbische Zeitung" (Leutkirch) e merr në një farë mënyre në mbrojtje Oliver Kahnin:

"Natyrisht që në lidhje me vendimin e Klinsmannit mund të ngrindesh sa të duash. Megjithë gabimet e tij, Oliver Kahn është një titan në portë dhe gëzon një reputacion për të cilin kanë respekt sulmuesit në të gjithë botën. Lehmani luan për klubin me famë botërore Arsenal të Londrës, i cili ndryshe nga Bayerni vazhdon të jetë ndër ekipet e mëdha të skenës së futbollit evropian. Nga pikëpamja profesionale të dy rivalët nuk duhet të kenë dallime të mëdha. Klinsmani vendosi për një tip, i cili luan më mirë futboll dhe mund marrë edhe pozicionin e një lloj lojtari të lirë pas lojtarëve të pasigurt të mbrojtjes."

Kurse në gazetën "Këlnische Rundschau" po për të njëjtën temë lexojmë:

"Tani u morr vesh më në fund. Jens Lehmann dhe jo Oliver Kahn do të jetë numri një në portën gjermane. Ishte kjo rrjedhojë e presionit gjithnjë në rritje apo e fushatave mediatike gjithnjë e më të ashpra? Për shkak të fokusimit të një kombi të tërë ndaj kësaj teme Jürgen Klinsmanni nuk mund të priste më gjatë me vendimin e tij. Nga njëra anë kjo është një gjë e mirë, sepse edhe pse do të sjellë me vete si kritika edhe lavdërime kur të fillojnë përgatitjen intensive në fund të majit, ndoshta do të kthehet qetësia."

Në gazetën "Westfälische Nachrichten" lexojmë:

"Tani që i doli era çështjes Oliver Khani apo Jens Lehmann traineri i kombëtares mund të marrë frymë i qetë dhe të shpresojë se Lehmann do të luajë pa gabime. Natyrisht që atij i duhet të shpresojë edhe që Kahn do ta kapërcejë në mënyrë sportive këtë vendim negativ ndaj tij dhe do të jetë i gatshëm të luajë rolin e portierit rezervë. Sidoqoftë e rëndësishmja është që tani pasiguritë morën fund për të gjithë."