Pasqyra e shtypit gjerman - 06.05.2004 | Studimi në Gjermani | DW | 06.05.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman - 06.05.2004

default

Reagimet e qeverisë amerikane ndaj akuzave në drejtim të ushtarëve amerikane se kanë torturuar të burgosurit në Irak si dhe deficiti rekord në buxhetin gjerman janë tema qëndrore të komenteve të sotme të shtypit gjermanofon.

Po ashtu gazetat gjermane u kushtojnë vëmedje edhe zhvillimeve në Ballkan. Gazeta "Frakfurter Rundschau" trajton në artikullin me titull "Përgjigje lakonike" pasojat e ngjarjeve të marsit në Kosovë. Artikullshkruesi trajton problemin e përgjegjësisë së trupave gjermane të KFOR-it dhe ndër të tjera shkruan:

"A mos po dështojnë kolektivisht ushtarët gjermanë të stacionuar në botën e jashtme? Dhe pikërisht në Ballkan, tamam aty ku filloi militarizimi i politikës së jashtme nën drejtimin e qeverisë së koalicionit mes social-demokratëve dhe ekologjistëve. Si njëra edhe tjetra palë kanë frikë se këto ditë në Berlin do të fillojë një debat i hidhur për këtë temë. Duhet thënë se çështja e domethënies së misionit në Kosovë shtrohet për diskutim, në kushtet kur etnitë janë të gatshme dhe para së gjithash në gjendje që të kacafyten me njëra-tjetrën, megjithëse bashkësia ndërkombëtare ka vullnetin dhe shpenzon shumë para dhe personel për ta penguar një gjë të tillë.
Deri edhe qarqet më të larta qeveritare kanë filluar të mendojnë nëse përfytyrimet e bukura të bashkëjetesës multietnike mund të bëhen ndonjëherë realitet me ndihmën e mjeteve ushtarake. Sipas vlerësimeve aktuale të qeverisë gjermane duket se jo. Dhe opozita është e këtij mendimi dhe psherëtin duke u ankuar për të njëjtin problem: asgjë nuk po ecën përpara. Për këtë momentalisht legjitimiteti i pranisë së KFOR-it në Kosovë shpjegohet me një lakoni pragmatike. Ne nuk mund t'i lëmë ata aty poshtë që të hanë kokat me njëri-tjetrin, - thuhet në radhët e qeverisë.

Kalojmë tani në temat e tjera. Në lidhje me akuzat ndaj ushtarëve amerikanë për ushtrim dhune dhe torture po në gazetën "Frankfurter Rundshau" lexojmë:

"Në këto momente kur në Lindjen e Mesme do të ishte e nevojshme të jepej një shenjë për një fillim të ri, Shtëpia e Bardhë planifikon që t'i kalojë dëmet që i shkaktohen prej akuzave me një fushtatë tjetër të sipërfaqshme publiciteti. Por përballë "sorry"-it që tha këshilltarja për çështjet e sigurisë Kordolesa Rais në TV Al Xhazira apo fjalës së vonuar të presidentit amerikan në Al Arabija qëndrojnë një sërë gjestesh të një arrogance që s'ka shënuar ulje. Pranimi këtë javë nga ana e krerëve ushtarakë dhe civilë të Pentagonit se nuk e kanë lexuar raportin për rastet e vrasjeve dhe të torturave në burgjet irakiane, nuk është vetëm një skandal pas një skandali, por edhe një tallje me të torturuarit."

Gazeta "Berliner Zeitung" shkruan:

"Për të kufizuar dëmet nga këto njoftime qeveria amerikane duhet të bëjë shumë më tepër se sa të dalë për të folur në televizor. Ajo duhet që t'i paraqesë në mënyrë sa më të efektshme publikut të gjitha përparësitë që ofron bota moderne përveç femrave në uniformë. Pra dëmshpërblim për të gjitha viktimat, kërkim falje jo vetëm sa për të larë gojën, hetime të përpikta të rasteve të ngjashme si dhe dënime të ashpra për rastet e krimeve ushtarake. Hapat e parë në këtë drejtim nuk duken inkurajuese. Kryekomandant i burgjeve irakiane u emërua gjeneral-majori Xhefri Miller, i cili ishte deri tani shefi i territorit Guantanamo Bay në Kubë."

Ndërsa gazeta "Süddeutsche Zeitung" që botohet në Mynih komenton:

"Skandali për torturat dhe shpërdorimet mund të kthehet në një problem për politikën e jashtme të qeverisë së Bushit, sepse deri tani asnjë shembull nuk e ka vërtetuar kaq qartë dyshimin e rëndë, se nën drejtimin e Bushit Amerika po humbet vlerat e saj. Amerika është hipokrite në pretendimet e saj dhe Bushi predikon një moral, që as vendi i tij nuk është më në gjendje ta respektojë. Ky dyshim ekziston që prej vitit 2000 kur u zhvilluan zgjedhjet, që Bushi i fitoi duke përdorur mjete të dyshimta. Dyshimet u shtuan pas të gjitha vendimeve politike dhe direktivave të qeverisë së Bushit me anë të të cilave Amerika dëshmoi forcën dhe pathyeshmërinë e saj, por jo aftësi drejtuese."

Citojmë në fund edhe diçka nga artikulli i Kieler Nachrichten në lidhje me deficitin buxhetor të Gjermanisë dhe konjunkturën e paralizuar në vend:

"Recetat e ministrit të financave Eichel në lidhje me mizerien ekonomike dështuan. Për momentin askush nuk e di se si duhet të mbyllen vrimat e stërmëdha të shkaktuara në buxhet. Në këtë situatë qeveria gjermane i ka ushqyer vetë përmes njoftimeve të mjegullta spekulimet për një ndryshim në kursin e politikës financiare. Duket se qeveria gjermane e ka humbur kontrollin ndaj gjendjes dhe askush nuk e ka të qartë se ç'duhet të bëhet më tej. Pra s'është çudi që rritja ekonomike është ende larg."

  • Data 06.05.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As0e
  • Data 06.05.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As0e