1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman 04.04.2006

S.H3 Prill 2006

Shtypi i sotëm gjerman fokusohet ndër të tjera tek posti drejtues që ka pranuar ish-kancelari gjerman Gerhard Shrëder pranë koncernit rus Gasprom.

https://p.dw.com/p/Arqa

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan:

"Rasti `Shrëder dhe linja e gazit` ka të paktën dy aspekte kontroverse: Një aspekt energjitik ekonomik-politik si edhe një që ka të bëjë me reputacionin e ish-kancelarit Shrëder. Që aspekti i dytë provokon procese gjyqësore dhe ndoshta edhe krjimin e një komisioni të veçantë hetimor, nuk duhet të jetë një informacion i ri për Gerhard Sëhrëderin. Ai e mundësoi ndërtimin e një gazsjellësi përmes detit Baltik në Gjermani, pa marrë parasysh mendimet e vendeve të tjera të BE-së dhe tani, krejt papritur, Shrëder merr një post të rëndësishëm në këshillin mbikqyrës të trustit gjigand, që do të marrë pjesë në këtë projekt. Por sido që të përfundojë ky debat, vetëm dyshimi se këtu po përzihen çështje private me ato publike, mjafton për ta ulur imazhin pozitiv që gëzon ish kancelari Gerhard Shrëder."

Gazeta "Mittelbayerische Zeitung" komenton:

"Nuk ka shumë shpresa se do të marrim më shumë informacione mbi ndërtimin e gazsjellësit të detit Baltik. Pas iniciativës ekonomike, politike dhe sigurisht tepër të rëndësishme gjermano-ruse, fshihen interesa tepër të fuqishme. Dhe ato interesa që kanë të bëjnë me ish-kancelarin Shrëder, kanë shkaktuar shumë debate në vend. Por është për t´u çuditur përse nuk flet më njeri mbi marrëdhëniet e shkëlqyera që mundi të krijojë ish kancelari me Rusinë, e cila ishte për vite me radhë armiku numër 1 i Gjermanisë."

Gazeta "Mindener Tageblatt" komenton:

"Të gjitha dyshimet e mëparshme në lidhje me këtë gazsjellës, po vërtetohen tani. Kjo temë do të diskutohet për shumë vite nga opinioni publik gjerman, sepse këtu bëhet fjalë për furnizimin energjitik të vendit. Ndoshta ish kancelari Shrëder mundi t´i bëjë vetes një nder të madh. Por me kthimin e kësaj përgjegjësie në një çështje private, Shrëder nuk i bëri asnjë nder imazhit të tij si ish ushtrues i detyrës më të rëndësishme shtetërore dhe vetë Gjermanisë. Shrëder duhet të japë dorëheqjen."


Gazeta "Schwäbische Zeitung" shkruan:

"Ndonëse ata shprehen ndryshe përpara mediave, shumica e anëtarëve të partisë socialdemokrate, SPD kanë një problem të madh me angazhimin personal të Shrëderit në projektin e gazsjellësit të detit Baltik. Ekzistojnë rregulla, të cilat nuk ndodhen diku të shkruara, por që respektohen njësoj. Si për shembull që fuqia që të jep një post që ushtron, të mos shpërdorohet për përfitime pirvate. Këto janë rregulla morale, apo nderi, të cilat janë esenciale për koekzistencën paqësore sidomos në fushën politike."


Gazeta "Mannheimer Morgen" shkruan:

"Shrëder luajti një rol shumë të rëndësishëm për ndërtimin e gazsjellësit të detit Baltik dhe merr tani një rrogë prej 250.000 euro në vit nga firma Gasprom. Ky është një informacion që shkakton dhimbje koke në Gjermani. Sidomos pas vendimit gjyqësor, se kontrata e Shrëderit me firmën ruse Gasprom nuk është korrekte. Por politikani liberal Vestervelle është vetë avokat dhe do të dijë si ta përpilojë më mirë akuzën e re që do të ngrejë së shpejti kundër Shrëderit. Kjo është një ngjarje tepër e rëndë. Një ish- kancelar që kërkon ta ruajë imazhin e tij, duhet të vepronte në mënyrë më sovrane."

Dhe së fundi në gazetën "Rhein-Neckar-Zeitung", Heidelberg lexojmë:

"Në rast se Shrëder do ta mbajë ende imazhin e tij të pastër, atëherë ai duhet të japë dorëheqjen nga posti që ka në këshillin mbikqyrës. Ai nuk ka asnjë nevojë finaciare për ta pranuar këtë post. Ndërsa përsa i përket aspekteve ekonomike, dikush tjetër mund ta bëjë fare mirë këtë punë. Në rast se vërtet do të duhet një ndërmjetësues për marrëdhëniet gjermano-ruse, përse atëherë Shrëderi nuk i ofron këshillat apo konsultimet e tij pa para? Sigurisht që Kohl dhe Vaigel ishin edhe pas zgjedhjeve të vitit 1998 bashkëpunëtorë të ish "mbretit" të mediave gjermane, Leo Kirch, i cili gjithashtu përfitoi nga politika konservatore gjermane. Por kjo nuk do të thotë se Shrëderi duhet të shkojë edhe më larg se kaq."