Pasqyra e shtypit evropian | Studimi në Gjermani | DW | 28.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit evropian

Temat e shtypit evropian të javës së kaluar ishin vizita e kancelares gjermane Angela Merkel në Paris dhe fitorja e zgjedhjeve parlamentare e grupit radikal islamik Hamas.

Khaled Mashaal, Kryetar i Hamasit

Khaled Mashaal, Kryetar i Hamasit

Gazeta franceze LA REPUBLIQUE DES PYRENEES shkruan mbi marrëdhënien francezo-gjermane:

"Për herë të parë në histori marrëdhënia gjermano-franceze përbëhet nga një grua dhe një burrë. Por ka rrezik që kjo marrëdhënie të mos qëndrojë gjatë si sinonimi i një çifti ideal. Në kështjellën e Versajës, Angela Merkel dhe Zhak Chirak u përpoqën sidoqoftë të sillen si një çift i zakonshëm dhe harmonik."


Gazeta L'UNION plotëson:

"Ata të dy nuk kuptohen mirë me njëri-tjetrin. Në fakt Chirak duket si një jetim i Gerhard Schröderit. Angela Merkel nuk lëshoi rrugë gjatë debatit politik që u zhvillua në Versajë, duke e konfirmuar edhe njëherë imazhin e saj si një grua dhe shefe e fortë."

Edhe gazeta tjetër franceze LA REPUBLIQUE DU CENTRE shkruan:

"Në fakt Merkel nuk i beson plotësisht marrëdhënieve francezo-gjermane. Sigurisht që u shmanget krizave, por nga ana tjetër ajo nuk e ka harruar as lojën që luanin Chirak dhe Schröder dhe as preferencat e Chirakut. Ndoshta ajo pret që Nicolas Sarkozy të hyjë në Versajë dhe pastaj t´i rregullojë sërish marrëdhëniet francezo-gjermane."

Gazeta italiane CORRIERE DELLA SERA komenton:

"Vetë atmosfera e kështjellës së Versajës e ngroh zemrën e vizitorit, por është mëse e qartë se kjo ngrohtësi nuk ndjehet mes Merkelit dhe Chirakut. Por është ende herët për të vënë në pyetje një marrëdhëie kaq të gjatë mes dy vendeve, që vazhdojnë të jenë motori i politikës evropiane."

Ndryshojmë temë. Gazeta hollandeze DE VOLKSKRANT përqëndrohet tek fitorja e Hamasit dhe shkruan:

"Humbja spektakulare e Fatahut është ndërshkimi i merituar i një aparati drejtues, i cili e ktheu administratën palestineze në një gërmadhë jokompetente dhe të korruptuar. Edhe bashkësia ndërkombëtare e mësoi tani se cili është çmimi i indiferencës së saj ndaj zhvillimit të rajonit gjatë viteve të fundit. Procesi i paqes përfundoi pa nisur ende."


Gazeta franceze OUEST FRANCE shkruan:

"Fitorja e Hamasit është një shuplakë për çdo demokraci në botë. Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk mund të injorohet. Por nga ana tjetër askush nuk mund të kryejë bisedime me një organizatë që dëshiron shkatërrimin e shtetit hebre. Tani duhet treguar shumë kujdes dhe diplomaci, sepse Hamasi nuk mund të injorohet më."

Gazeta britanike THE INDEPENDENT i bën thirrje Perëndimit që ta pranojë realitetin:

"Bota ka vite që kërkon demokraci nga palestinezët. Tani palestinezët votuan në mënyrë krejtësisht demokratike. Ne shpresojmë sigurisht që Hamasi ta vazhodjë rrugën politike që ndoqën paraardhësit e saj. Ka shumë tregues që flasin për një ndryshim të Hamasit. Fundja ndjenjat që shkaktoi fitorja e këtij grupi radikal në Perëndim nuk kanë pse e influencojnë jetën e palestinezëve. Ata vendosën në mënyrë demokratike dhe vendimi i tyre duhet respektuar."

Gazeta austriake SALZBURGER NACHRICHTEN komenton:

"Edhe qeveria e re do të ketë nevojë për ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Por në rast se Hamasi do ta ndjekjë rrugën e saj të dhunës, atëherë Perëndimi nuk do t´u japë asnjë qindarkë. Meqënëse BE-ja është donatori kryesor i palestinezëve, mbetet të shpresojmë se roli i tij në Lindjen e Afërt do të forcohet tani edhe më shumë."

Dhe së fundi në gazetën zvicerane NEUE ZÜRCHER ZEITUNG lexojmë:

"BE-ja dhe SHBA-s kanë arritur përparime në përpjekjet e tyre për ta bindur Iranin që të heqë dorë nga programi i saj bërthamor. Por tani fitoraj e papritur e Hamasit e vë bashkësinë ndërkombëtare përpara një përgjegjësie krejt tjetër. Irani e mbështet Hamasin njësoj si Hisbullahun në Liban. Tani Teherani ka marrë në duar një instrument, me të cilin mund të veprojë jo vetëm për të zgjdhur debatin mbi programin bërthamor por edhe konfliktin mes izraelitëve dhe palestinezëve. Këto fakte janë tepër shqetësuese."

  • Data 28.01.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arrf
  • Data 28.01.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arrf