Pasqyra e shtypit evropian | Studimi në Gjermani | DW | 19.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit evropian

Temat më të rëndësishme të shtypit evropian të javës që sapo kaloi ishin vdekja e papritur e ish presidentit serb Sllobodan Milloshevic dhe demonstratat e studentëve francezë kundër reformës së tregut të punës.

default


Gazeta hungareze NEPSZAVA shkruan mbi vdekjen e Milloshevicit:

"Ishte një javë e zezë për Hagën, sidomos për shkak të faktit se vetëm pak ditë para vdekjes së Milloshevicit, Milan Babic kreu vetëvrasje. Haga duhet t´u përgjigjet shumë pyetjeve tani, sidomos në rast se Tribunali nuk do të humbasë tek opinoni publik serb imazhin si institucion legal dhe i besueshëm."


Edhe gazeta hollandeze DE VOLKSKRANT shkruan me tone të ashpra:

"Milloshevici ishte i akuzuari kryesor. Gjithçka varej nga përfundimi i suksesshëm i procesit të tij gjyqësor, madje edhe e ardhmja e Ballkanit. Tribunali i Hagës duhet të kish marrë masa më të kujdesshme sigurie. Mbetet të shpresojmë se Tribunali e kuptoi tani më në fund gabimin e tij dhe se nuk mund të shfajsohet nga gjithçka vetëm se mban në duar emblemën e Kombeve të Bashkuara."


Ndërkohë gazeta ruse ISWESTIJA komenton:

"Tribunali i Hagës, i cili është koncipuar si gjykata e proceseve të Nürnbergut, nuk mund të vazhdonte më punën në këtë mënyrë. Mbi persona si Herman Göring apo nazistë të tjerë të shquar që kryen vetëvrasje, kishin të gjithë të njejtin mendim. Por në botën e sotme moderne, imazhi i Milloshevicit arrin nga hero, në kriminel e nga viktimë në kasap. Pra efekti edukativ që ka Tribunali është i barabartë me 0."


Gazeta franceze LE MONDE shkruan:

"Gjatë procesit gjyqësor kundër Milloshevicit u morrën në pyetje mbi 350 dëshmitarë. I akuzuari, i cili mbrohej vetë, kishte gjithmonë ide të reja se si ta shtynte vazhdimin e procesit gjyqësor. Por sidoqoftë historia nuk mund të minimalizohet në një aspekt juridik. Me apo pa dënim - Askush nuk ka ndonjë dyshim se cilën përgjegjësi ka pasur burri i fortë i Serbisë për luftërat e Ballkanit në fund të shekullit të 20-të."

Gazeta FINANCIAL TIMES shkruan:

"Bashkësia ndërkombëtare e sidomos Bashkimi Evropian duhet t´i rrijë pranë Serbisë me para e më këshilla dhe t´i lërë asaj një derë hapur për të hyrë dikur në BE. Fitorja kundër Milloshevicit do të arrijë vetëm kur shtetet e ish Jugosllavisë të janë të gatshme për t´u antarësuar në BE."

Ndryshojmë temë. Franca lë pas një javë të gjatë plot me protesta dhe dhunë kundër ndryshimit të tarifave të tregut të punës për punëmarrësit e rinj.

Gazeta spanjolle konservatore ABC shkruan:

"Protestat më të fundit në Francë dëshmojnë se askush nuk është i gatshëm ta shohë realitetin ashtu sic është: Situata ekonomike po keqësohet në mënyrë të shpejtë. Këto demonstrata janë fryti i një lëvizjeje majtiste, e cila kërkon të hyjë në një model konservativ dhe të mos ndryshojë asnjë strukturë të vjetër. Franca qëndron përpara një të ardhmeje të vështirë. Ajo është kthyer në një shtet, që i ndalon vetes në mënyrë publike reforma liberale."


Gazeta britanike GUARDIAN shkruan:

"Në Francë politika dramatizohet dhe polarizohet shpesh. Konfrontimet mes qeverisë, studentëve dhe sindikatave, të cilat sollën mbylljen e universiteteve, janë rezultati i kokëfortësisë së të dyja palëve. Kryeministri Dominique de Villepin nuk duhet të kish marrë një vendim të tillë mbi reformimin e tregut të punës, pa biseduar më parë me ata njerëz që do të pësonin dëm nga ky hap. Por protestat janë tepër të ekzagjiruara. Fundja këtu bëhet fjalë vetëm për një masë qeveritare, e cila do t´u vijë në ndihmë të rinjve, e sidomos atyre që nuk janë të kualifikuar, për të gjetur më lehtë një vend pune."


Dhe së fundi në gazetën franceze L'EXPRESS lexojmë:

"Debati është tipik francez: Nga njëra anë ky popull mund të revoltohet mbi çdo gjë të vogël dhe nga ana tjetër qeveritarët francezë janë komplet të verbër. Dhe midis këtyre dy grupeve ndodhen oportunistët e ashtuquajtur partnerët socialë."

  • Data 19.03.2006
  • Autor Beatrice Hyder
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arqq
  • Data 19.03.2006
  • Autor Beatrice Hyder
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arqq