Pasqyra e shtypit evropian | Studimi në Gjermani | DW | 07.10.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit evropian

Gazetat ndërkombëtare u fokusuan gjatë javës që sapo kaloi, tek kompromisi që u gjend më në fund brenda rradhëve të koalicionit të madh qeveritar gjerman mbi reformën e sistemit shëndetësor, si edhe tek kriza mes Rusisë dhe Gjeorgjisë.

Gazeta NEUER ZÜRCHER ZEITUNG përqëndrohet tek pozicioni i kancelares gjermane Angela Merkel dhe komenton:

"Angela Merkel ka ndjerë gjatë javëve të fundit, të gjithë peshën e postit të saj. Kryeministrat nga rradhët e partisë kristian demokrate CDU dhe asaj kristian sociale CSU, i dhanë kancelares një mësim të mirë: Angela Merkel nuk mund të presë mbështetje as nga partia e saj, kur bëhet fjalë për kaq shumë para. Tani ajo duhet të pranojë një kompromis, i cili nuk u përmirësua aspak gjatë javëve të debateve pafund dhe që nuk bind asnjë nga palët në fjalë."

Edhe gazeta franceze LE FIGARO analizon rolin e kancelares gjermane dhe pyet për të ardhmen e koalicionit të madh qeveritar në Gjermani:

"Kancelarja la përshtypje të mira pak kohë pas marrjes së postit të saj. Por ajo nuk ja arriti që ta shndërrojë efektin pozitiv që pati tek njerëzit në një politikë efikase qeveritare. Ajo duhet të reagojë shumë shpejt tani dhe të hartojë plane mbi reformimin sa më të shpejtë të sistemit të taksave për firmat private si edhe atë të tregut të punës. Mos vallë është i mundur një koalicion tjetër qeveritar? Por një union mes liberalëve dhe të gjelbërve gjermanë është i pamundur po të kemi parasysh diferencat ideologjike që kanë këto dy parti me njëra-tjetrën. Sidoqoftë një koalicion i ri nuk do ta zgjidhte problemin e programit inkoherent qeveritar. Fati i Angela Merkelit varet nga sukseset e koalicionit aktual qeveritar."

Ndryshojmë temë. Në perferi të Evropës konflikti mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, rrezikon të shndërrohet në një krizë të thellë. Ish republika sovjetike po i afrohet Perëndimit, ndërkohë që Rusia nuk e pranon këtë gjë. Ashtu si nuk pranon kërkesat e Gjeorgjisë për autonimnë e disa rajoneve. Arrestimit të oficerëve sekretë rusë, Rusia ju përgjigj me sanskione. Analsitët e shtypit ndërkombëtar e vlerësojnë situatën në Kaukaz si shqetësuese.

Për gazetën austriake DIE PRESSE, Rusia mban përgjegjësinë për konfliktin e ri:

"Ajo që po bën Vladimir Putin kundrejt vendit të bogël fqinj Gjeorgji, është veprimi arrogant i një të forti, i cili i përbuz hapur më të dobëtit, dhe përpiqet t´i dominojë ata. Në të njejtën kohë, ministri i jashtëm rus Lavrov, nuk heziton të deklarojë se Gjeorgjia po përpiqet të armatoset në mënyrë të rrezikshme. Por republika e vogël e Kakukazit nuk mund ta kërcënojë dot ndonjëherë gjigandin rus."

Ndërkohë gazeta DERNIÈRES NOUVELLES D´ALSACE nga Strasburgu tregon mirëkuptim për kursin konfrontues të Rusisë dhe komenton:

"Putini nuk mund të rrinte duarkryq pas lajmit se në Gjeorgji u arrestuan oficerët e tij. Që këta ushtarë të cilët ndodheshin krejtësisht zyrtarisht në Gjeorgji, ku Rusia ka ende baza ushtarake, janë agjentë sekretë, nuk është një lajm krejt i papritur. Por nga ana tjetër nuk do të ishte gjithashtu çudi, sikur presidenti gjeorgjian Mihail Sakashvili, ta ketë provokuar qëllimisht situatën. Që pur mori pushtetin, Sakashvili shpreson të marrë kontrollin për dy rajone të rëndësishme: Republikën autonome të Abkazisë dhe rajonin autonom të Osetisë Jugore."

Gazeta londineze TIMES shkruan se është përgjegjësia e të dyja palëve, qe ky konflikt të zgjidhet sa më parë:

"Vendimi i Rusisë, për të bllokuar të gjitha rrugët lidhëse me shtetin fqinj, është një eskalim dramatik. Rusia duhet të tregohet më e qetë. Fakti se një ish qeveri ruse kërkon t´i afrohet Perëndimit, nuk duhet të intepretohet nga Rusia si një hap anti rus. Por nga ana tjetër edhe Gjeorgjia duhet të heqë dorë nga provokimet. Perëndimi nuk do të japë asnjë mbështetje ushtarake apo diplomatike, në rast se ky konflikt do të zgjasë."

Dhe së fundi në gazetën ruse KOMMERSANT lexojmë:

"Mbështetja masive amerikane për Gjeorgjinë do të vazhdojë edhe në të ardhmen e afërt. Shkak është rivaliteti i ri mes Moskës dhe Uashingtonit, i cili është mëse i qartë po te kemi parasysh zhvillimet e fundit politike në botë. Këtu bhëet fjalë jo vetëm për Gjeorgjinë, por edhe për Ukrainën, Sirinë, Iranin, Kinën apo Venezuelën. Marrëdhëniet ruso-amerikane janë kthyer në principin "sy më sy".

  • Data 07.10.2006
  • Autor Christoph Schmidt
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arna
  • Data 07.10.2006
  • Autor Christoph Schmidt
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arna