110209 Europa Klima
12 Shkurt 2009Ndër qytetet që vendosën paktin për klimën janë Bremeni, Hamburgu, Frankfurti, Hajdelbergu, Frajburgu etj. Qytetet duan që edhe të mësojnë prej njëri-tjetrit.
Vizionet për të ardhmen e qyteteve janë: qarkullimi i makinave elektrike, këto makina furnizohen me energji të mbledhur nga era. Nëpër uzinat metalurgjike riciklohen gazrat e emetuara gjatë prodhimit e si rrjedhojë pakësohet emetimi i dioksidit të karbonit, CO2. Në vend të termocentraleve, energjia për ngrohje transportohet nëpër shtëpi përmes impianteve modulare të instaluara enkas në zonat e banimit.
Këto impiante përftojnë energji për ngrohjen nga toka, era dhe uji. Përdorimi i tyre presupozon edhe ndërtimin e shtëpive me izolim optimal sipas standardeve të fundit. Qytetet marrin përsipër të zbatojnë të gjitha këto norma të reja për të kontribuar në mbrojtjen e klimës.
Sensibilizim i opinionit qytetar për klimën dhe verifikim i vazhdueshëm
Gati 400 përfaqësues të qyteteve dhe komunave, shumica nga vendet e BE-së, e miratuan paktin për mbrojtjen e klimës. Ky pakt parashikon një normë më të lartë të pakësimit deri në vitin 2020 të emisioneve të dioksdit të karbonit në atmosferë nga ajo që ka përcaktuar BE-ja. Janë një sërë qytetesh evropiane dhe gjermane që i bashkangjiten kësaj nisme.
Senatori i Bremenit për mjedisin, ekologjisti, Reinhard Loske vuri në dukje se përveç kësaj këto qytete e komuna duan edhe të mësojnë nga njëri-tjetri, për të pastruar sa më shumë ajrin: „Unë e konsideroj këtë edhe si një nxitje që ne të sensibilizojmë më shumë opinionin në qytetet tona lidhur me këtë temë. Unë e konsideroj të dobishme që të ketë edhe një evaluim të jashtëm. Çdo dy vjet duhet të raportohet, se çfarë duhet bërë më shumë në mbrojtje të klimës. “
Pra vetëm me nënshkrimin nuk mbaron puna. Çdo dy vjet do të verifikohet, nëse qytetet ndjekin rrugën e duhur. Kompetencën për verifikimin e ka Komisioni i BE-së. Komisioni i BE-së mbështet edhe zgjerimin e sektorit të energjive të rigjenerueshme. Brukseli do të kujdeset, që edhe qytetet e angazhuara të mund të përfitojnë për nismat e tyre nga kreditë e favorshme të Bankës Evropiane të Investimeve.