Përfaqësuesit e ekonomisë gjermane pro anëtarësimit të Turqisë në BE | Evropa | DW | 29.09.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Përfaqësuesit e ekonomisë gjermane pro anëtarësimit të Turqisë në BE

Shoqata federale e tregëtisë me shumicë dhe e eksporteve si dhe përfaqësues të ekonomisë gjermane përpiluan një apel në të cilin kërkojnë fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Turqisë në BE. Prej anëtarësimit të Turqisë në BE do të përfitojnë edhe ekonomia edhe eksportet gjermane, sikurse ndodhi edhe në rastin e zgjerimit të fundit të BE-së drejt lindjes. Përfqasuesit e kësaj shoqate të industrialistëve gjermanë iu kundërvu qartë idesë së partisë demkristiane dhe asaj kristian-sociale gjermane që kërkojnë që Turqisë t'i ofrohet vetëm statusi i një partnereje të priviligjeruar.

Yjet e flamurit të BE-së pranë gjysmëhënës turke

Yjet e flamurit të BE-së pranë gjysmëhënës turke

Shoqata federale e tregëtisë me shumicë dhe e eksporteve është pro pranimit të Turqisë në BE. Turqia i ka kryer detyrat e saj dhe është e mirëpritur si partner ekonomik, tha presidenti i kësaj shoqate Anton Bërner. Si edhe në rastin e zgjerimit të BE-së drejt lindjes kjo shoqatë dhe përfaqësues të ekonomisë gjermane përllogarisin se pranimi i Turqisë në BE do të sjellë me vete një spirale fitimesh dhe rritjeje ekonomike. Kjo falë edhe pagesave prej fondit rajonal dhe strukturor të BE-së.

"Këto do të çojnë në investime të mëdha në fushën e infrastrukturës, prej së cilës firmat gjermane do të përfitonin në mënyrë mbiproporcionale. Shpenzimet shtesë për Gjermaninë që përllogariten deri në dy miliardë euro do të kompensohen në shkallë të lartë." - tha Bërner.

Për Turqinë një zhvillim i tillë do të thoshte përmirësim i gjendjes ekonomike. Edhe vetë ideja e një perspektive anëtarësimi në BE ka çuar në stabilizim të vendit dhe në rritjen e besimit të investitorëve dhe tregjeve financiare, theksoi Bërner. Ekonomia turke drejtohet sot prej ligjeve të ekonomisë së tregut, banka qendrore e vendit është e pavarur dhe në vend është krijuar edhe një autoritet i posaçëm mbikqyrës për bankat. Hiperinflacionit është frenuar dhe çështjet ende të hapura mund të zgjidhen gjatë procesit të anëtarësimit.

"Normat dhe standardet mund të përshtaten në mënyrë suksesive me ato të BE-së. Lufta kundër korrupsionit do të zhvillohet më seriozisht. Në këtë drejtim ka shumë punë për të bërë. Po ashtu duhen vlerësuar edhe përpjekjet për privatizimin e ndërmarrjve shtetërore. Problem paraqet sektori i bujqësisë në Turqi, i cili jep 14% të të ardhurave ekonomike dhe në të cilin janë punësuar 45% e personave të aftë për punë. Për këtë në këtë fushë as që mund të mendohet për një barazim 1:1 me politikën agrare evropiane." - theksoi Bërner.

Bisedimet për anëtarësimin e Turqisë shtojnë pra presionin ndaj BE-së që të heqë dorë prej politikës së tij të subvensionimeve në sektorin e bujqësisë.

Presidenti i shoqatës federale të tregëtisë me shumicë dhe eksporteve tërhoqi vëmendjen se që sot Turqia e zhvillon rreth gjysmën e aktivitetit të saj në sektorin e eksporteve dhe të importeve me vendet e BE-së. Gjermania është partneri më i madh tregëtar i Turqisë. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2004 eksportet gjermane u rritën me 50% duke kapur shumën e rreth gjashtë miliardë eurove.

Edhe nga pikëpamja politike shoqata federale e tregëtisë me shumicë dhe eksporteve mendon se anëtarësimi i Turqisë në BE është i dëshirueshëm, sepse kështu do të behet e mundur që një shtet islamik të bëhet demokratik dhe të jetojë në mirëqënie. Kjo mund të shërbente si shembull për të gjithë botën islamike dhe do të parandalonte tendecat radikale. Ideja e një partneriteti të privilegjuar për të cilin shprehet kryetarja e CDU-së Angela Merkel do të sillte me vete rreziqe ekonomike dhe politike.

  • Data 29.09.2004
  • Autor Bernd Gräßler/ DW-Berlin
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArGL
  • Data 29.09.2004
  • Autor Bernd Gräßler/ DW-Berlin
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArGL