1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përgjimi i shtëpive private në Gjermani është antikushtetues

Auron Dodi3 Mars 2004

Gjykata Kushtetuese Gjermane vendosi sot që ligji aktual që e lejon këtë të korrigjohet deri në vitin 2005

https://p.dw.com/p/Ar7O
Gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese Gjermane shpallin vendimin kundër përgjimit
Gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese Gjermane shpallin vendimin kundër përgjimitFotografi: AP

Gjykata Kushtetuese Gjermane tha se ligji aktual që i lejon autoritetet të përgjojnë biseda në shtëpi dhe ambjente të tjera private është antikushtetues dhe duhet të korrigjohet deri në qershor 2005.

Tre politikanë nga partia liberale gjermane FDP e çuan këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, megjithëse liberalët bënin pjesë në qeverinë e ish-kancelarit Helmut Kohl gjashtë vjet më parë, kur ky ligj u aprovua.

Megjithë synimin për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin, ky ligj ishte shumë i diskutueshëm që në atë kohë, për shkak të së kaluarës së Gjermanisë me shtet policor nazist dhe dekadave të përgjimit të sigurimit të shtetit të Republikës Demokratike Gjermane.

Megjithatë, politikanët liberalë Zabine Lojthojzer-Shnarrenberger, Gerhart Baum dhe Burkhard Hirsh e kundërshtuan ligjin me akuzën se ai shkel garancitë kushtetuese të jetës private dhe se nuk ka ndihmuar në zgjidhjen e shumë krizave të rëndësishme.

Në bazë të përcaktimit më të ri, përgjimi i telefonave në shtëpitë private duhet të lejohet vetëm në rastet kur ka dyshime për shkelje serioze të ligjeve, që mund të shkaktonin një dënim me burgim me të paktën pesë vjet. Deri tani, përgjimi i telefonave lejohej edhe në rastet e kërcënimit të ndëshkueshëm me më pak vite burg.

Vec kësaj, vëzhgimi duhet ndërprerë menjëherë kur biseda është vetëm e natyrës private, ose kur njerëzit flasin në shtëpitë e tyre me kushërinj të afërt, me mjekë, priftërinj ose avokatë mbrojtës, të cilët nga ana e tyre nuk janë persona të dyshuar.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese Gjermane përcakton se mbrojtja e shtëpive private është pjesë e mbrojtjes së dinjitetit njerëzor dhe se duhet lejuar vetëm vëzhgimi që mbron dinjitetin njerëzor.

"Nuk është patjetër një shkelje e dinjitetit njerëzor, kur dikush vihet nën vëzhgim", u tha në Karslruhe, sipas agjencive të lajmeve."Por në raste të tilla, ideja themelore e sferës private duhet garantuar."

Qeveria gjermane thotë se përgjimi përdoret vetëm si mjet i fundit. Në përgjithësi, shtëpitë e përgjuara në vit në Gjermani janë rreth 30.