1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përfundon në Vjenë konferenca "Feja islame në botën pluraliste"

Gerwald Herter16 Nëntor 2005

Në Vjenë u mbyll konferenca triditore me temë: "Feja islame në botën pluraliste". Konferenca kishte si synim thellimin e dialogut me fenë islame dhe njohjen me larminë e botës myslimane.

https://p.dw.com/p/ArNK
Fotografi: dpa

Xhamia do të largohet së shpejti nga selia e presidentit austriak. Faltorja u ngrit enkas për pjesëmarrësit myslimanë në konferencës e Vjenës mbi fenë islame. Shumë prej tyre janë kthyer tashmë në atdhe. Takimi me pjesëmarrës të rëndësishëm u mbyll pa polemikë të madhe.

Presidenti i bashkësisë islame të Austrisë, Anas Shakfeh tha se të gjithë folësit pajtoheshin në çështjen e terrorizmit dhe të ekstremizmit: Këto dukuri nuk mund të shpjegohen me mësimet e fesë islame. Shakfeh flet për abuzim me fenë në shtetet myslimane dhe nga ana tjetër për paragjykime në shumë vende perëndimore.

Marrëdhëniet me paragjykime

"Këto marrëdhënie përmbajnë paragjykime, mosbesim dhe këto janë dëshmi që hapa të tillë si zhvillimi i kësaj konference janë të nevojshme", tha Shafkeh.

Qeveria austriake nuk kishte ftuar përkrahës të grupimeve radikale. Për këtë arsye disa pjesëmarrës kritikuan, se ky dialog u vlen vetëm atyre, që nuk kanë nevojë për të. Nga ana tjetër, jo të gjitha diskutimet pajtoheshin me njëri-tjetrin. Organizatorët hoqën dorë që në fillim nga miratimi i një dokumenti përfundimtar, sepse ky do të përmbante një gjuhë shumë të përgjithshme.

Në epokën e globalizmit myslimanëve u kujtojnë vlerat bazë

Disa thekse vendosi për shembull ministri egjiptian për fenë Mahmud Zakzuk. Ai kujtoi se feja islame njeh që nga shekulli XIV elemente demokratikë e pluralizëm kulturor dhe u ankua për mungesën e përhapur të respektit ndaj besimit të tij në Perëndim:

"Nuk ka çfarë të kritikohet kur tani në epokën e globalizimit myslimanëve u kujtojnë vlerat bazë, por myslimanët refuzojnë t'ua detyrosh ato me forcë."

"Feja islame në botën pluraliste" - këtë emërtim i kishin dhënë organizatorët konferencës së Vjenës. Ndër folësit më të njohur ishte përveç kreut të shtetit irakian Xhalal Talabani presidenti afgan Hamid Karzai. Ai bëri të qartë se toleranca dhe pluralizmi nuk kërcënohen vetëm prej ekstremistëve, por edhe prej problemeve sociale, varfërisë dhe papunësisë.

Austria e percepton veten në një rol ndërmjetësuesi midis kulturave të ndryshme. Presidenti austriak Heinz Fischer, kujtoi në hapje të konferencës se vendi i tij ka pasur tradicionalisht marrëdhënie të mira me fenë islame. Bashkësia islame njihet që prej 90 vjetësh në Austri. Tradita e dialogut ka treguar së paku deri tani se ka qenë e duhura.

Megjithatë plitikanë të partisë FPÖ e kritikuan ashpër takimin. Kryetari i partisë populiste të djathtë, Strache, e quajti konferencën shprehimisht: "një manovër çoroditëse bajate". Për të më i nevojshëm do të kishte qenë një takim i shteteve të marrëveshjes Shengen kundër tregtisë së vizave.