1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për jetë a vdekje – Debati rreth eutanazisë në Gjermani

Jydit Hartl / Anila Shuka25 Mars 2005

Rasti i pacientes amerikane Terri Skiavo, e cila ka 15 vjet që ndodhet në koma, e solli edhe një herë nëpër gazetat gjermane temën e eutanazisë

https://p.dw.com/p/Ar4H
7 Milionë njerez në Gjermani kanë nënshkruar testamente pacientesh, ku përshkruajnë se si duan të trajtohen në raste kome. Megjithatë situata juridike është ende e paqartë.
7 Milionë njerez në Gjermani kanë nënshkruar testamente pacientesh, ku përshkruajnë se si duan të trajtohen në raste kome. Megjithatë situata juridike është ende e paqartë.Fotografi: AP

„Sa i përket kësaj çështjeje, ekziston një boshllëk i madh në drejtësi“, thotë disi e nervozuar Ulrike Riedel. Ajo është juriste dhe eksperte në komisionin e punës të ngritur nga qeveria federale:

"Komisioni i punës është shprehur për ta kufizuar sa më shumë hapësirën e veprimit. Kjo pasi është shumë e vështirë që të interpretohet vullneti i shprehur më parë. Ne jemi për një kufi objektiv, që do të thotë, kur dikush nuk është i sëmurë për vdekje, kurimi duhet të vazhdojë."

Ministrja gjermane e drejtësisë, Brigite Cypris, është për nxjerrjen e një ligji, në bazë të të cilit, edhe pacientët që nuk vuajnë nga një sëmundje vdekjeprurëse,
të kenë të drejtë të vendosin për vazhdimin apo jo të trjatimit me medikamente dhe aparatura jetëmbajtëse. I këtij mendimi është edhe njëri nga këshilltarët e ministres, profesor Kristof Myler-Bush, mjek i specializuar për dhimbjet. Parakusht për vetëvendosjen e pacientit është që ky ta ketë shprehur vullnetin që më parë në një lloj testamenti, ku përshkruhet me saktësi se çfarë duhet të ndodhë me të, në se bie në koma. Myller Bush shton:

"Sigurisht që duhet të bëhet dallimi ndërmjet testamenteve të shkruara në kohën kur pacienti ka qenë shëndoshë e mirë dhe atyre të shkruara në gjendje të sëmurë. Këto të fundit zakonisht janë më të dobishme për vendimmarrjen."

Debati në opinionin gjerman ka filluar një vit më parë. Më 17 Mars 2004, Gjykata e Lartë Federale vendosi, që testamenti i pacientit ka prioritet dhe është obligues për mjekët dhe personelin e spitalit. Në Gjermani, afro 7 milionë njerëz kanë hartuar testamente të tilla, ku thuhet se mjekët dhe personeli i spitalit duhet t'i ndërpresin masat për ruajtjen e jetës në ato raste, kur dëmet e trurit janë të pariparueshme. Nga ana juridike këto testamente ndodhen në një zonë gri. Ulrike Riedl shpjegon se ku qendron dilema e një vendimi të tillë:

"Ti nuk e di se si do ta ndjesh veten kur të jesh në koma. Ju këtu merrni një vendim, për një situatë, të cilën nuk jeni në gjendje ta gjykoni."

Pra eticientët flasin për një dallim midis personit që nënshkruan testamentin dhe atij që është në koma. Ministrja e drejtësisë hartoi në nëtor 2004 projektligjin përkatës. Por ajo atë e kthehu mbrapsht, pas protestave të shumta të kishave, mjekëve, si dhe Komisionit të Bioetikës pranë qeverisë. Tani janë duke u përgatitur dy projektligje të reja: një liberal dhe tjetri, me interpretim më të ngushtë të vullnetit të pacientit. Ligji do të ndalojë eutanazinë aktive, e do të lejojë atë pasive. Por, ende nuk dihet se cila dëshirë e pacientit duhet marrë parasysh. Mos vallë edhe vullneti i shprehur me gojë në prani të të afërmve? Për Ulrike Riedel kjo është e papërfytyrueshme:

"Unë mendoj, që vullneti i shprehur me gojë nuk ka se si të jetë obligues, pasi kjo nuk ka se si të dëshmohet“, thotë ajo.

Në të kundërt, Shoqata e mjekëve federalë, në një dokument direktivash për pacientët e sëmurë për vdekje, është pozicionuar pro ndërprerjes së masave jetëmbajtëse edhe në rastet kur pacienti e ka shprehur dëshirën me gojë. Por derisa të kalojë ligji në parlamentin gjerman, do të zhvillohen edhe shumë debate të tjera, mbi këtë çështje. Ai do të vendosë gjithsesi për fatin e 12 mijë pacientëve në koma, që ndodhen nëpër spitalet e Gjermanisë.