OSBE/ODIHR zhvillojnë konferencë për shtyp në Tiranë
4 Korrik 2005Në konferencën e shtypit të vëzhguesve ndërkombëtarë u deklarua se zgjedhjet që u zhvilluan ishin vetëm pjesërisht në përputhje me standartet ndërkombëtare. Sipas Z. Grunner, disa nga standartet u arritën vetëm pjesërisht, por në përgjithësi, ai vlerësoi punën profesionale të KQZ-së.
Standartet u realizuan në përgatitjet e zgjedhjeve si edhe në rregullimin e mediave në fushatën e zgjedhjeve, pika këto që cilësuan si shumë pozitive nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
Ndërkohë listat e votuesve ishin një nga mangësitë që u vunë re nga OSBE/ODIHR dhe që shoqërojnë prej vitesh zgjedhjet në Shqipëri. Në konferencën për shtyp u tha gjithashtu se mungonte vullneti politik për një proces të butë dhe normal zgjedhor.
Një nga mangësitë e tjera që OSBE/ODIHR konstatoi, ishte se procesi i reformimit të kodit zgjedhor filloi shumë vonë. Në konferencën për shtyp u interpretua mbi të gjitha çështja e "Dushkut", e cili u kritikua ashpër në raportin paraprak të ndërkombëtarëve.