Opozita kosovare kritikon takimin e Vjenës
16 Shtator 2005Përfaqësues të opozitës, nga PDK-së, vazhdojnë t'a kundërshtojnë fuqishëm planin B të qeverisë së Kosovës për decentralizimin dhe në këtë drejtim ata thonë se edhe bisedat e sotme ne Vjenë të Ministrit të Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri, me palën serbe nga Beogradi janë të gabuara. Fehmi Mujota, udhëheq departamentin e pushtetit lokal, në kabinetin e qeverisjes së mirë të PDK, në opozitë ndërsa, bisedat në Vjenë ai i sheh shumë të vështira. Vetë qeveria e Kosovës është futur në një rrugë të vështirë.
Ndërsa kryeadministratori i Kosovës, Soren-Jessen-Petersen, e vlerëson gatishmërinë e qeverisë së Kosovës, për të vazhduar dialogun me palen serbe dhe gjetjen e një kompromisi për decentralizimin e pushtetit lokal. Qëllimi ynë nuk është që të krijojmë komuna të reja shqiptare ose serbe, por që pilot-projektet të funksionojnë si qeveri lokale me përbërje shumëetnike, tha Soren Jessen-Petersen. Ai shtoi, se ajo që është e mirë në këtë mes është se dera për serbët e Kosovës që të marrin pjesë në procesin e decentralizimit akoma është e hapur për faktin që me serbët po vazhdojnë bisedat. Të njëjtin qëndrim e mban edhe kryeministri i
Kosovës, Bajram Kosumi dhe qartëson se bisedat me përfaqësuesit e serbëve për decentralizimin nuk janë kurrfarë kompromisi.
Megjithë deklaratën e kryeministrit, Fehmi Mujota nga opozita, thotë se qeveria me projektpilotin e njësive komunale është futur në rrugë të gabuar. Sidoqoftë, mospajtimet e qeverisë së Kosovës me palen
serbe rreth çështjes së decentralizimit dhe mospajtimet e opozitës për tërë këtë proces akoma po vazhdojnë dhe kjo në kohën kur emisari special për vlerësimin e standardeve Kai Aide, po harton raportin për Kosovën. Askush nuk e di se sa do të jetë pozitiv ky raport, mirëpo, ajo që është thënë shpesh është se zbatimi i planit të decentralzimit do të jetë edhe pika kryesore për t'u kaluar në mënyrë që të fillohet me bisedimet për statusin final të Kosovës.