Opozita italiane kërkon dorëheqjen e Berlusconit
16 Shkurt 2011Berlusconi mbështillet me heshtje. Asgjë nuk doli dje jashtë nga konsultimet me miqtë e tij të partisë dhe me juristët. Kryeministri nuk bëri asnjë koment lidhur me procedimin e përshpejtuar. Opozita reagoi ashpër. Ata njëzëri bënë thirrje për dorëheqjen e tij. Dario Françeskini i Partisë Demokratike PD thotë: "Norma e pafajësisë në kushtetutën tonë vlen edhe për të. Si çdo politikan në çdo demokraci në botë ai duhet të japë dorëheqjen. Dhe në qoftë se ai është i bindur, siç pohon vazhdimisht, se është një viktimë e pafajshme e persekutimit, atëherë le të dalë para gjykatësit, për të mbrojtur veten.”
Berlusconi kësaj radhe duhet të paraqitet para drejtësisë
Në shumë procese ai ka mundur të shpëtojë disi, por këtë herë ai duhet të paraqitet vetë në gjykatë. Dhe pikërisht para një trupi gjykues, që përbëhet nga tre gjykatëse gra, për shkak të aferës me një prostitutë 17 vjeçare. Duket se pikërisht gratë do t'ia hanë kokën kavalierit.
Më 6 prill në orën 9:30 fillon seanca kundër tij. Ai akuzohet se ka abuzuar me pushtetin dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me pagesë me një minorene. Sidomos pika e dytë e akuzës bën që Berlusconi të humbasë mbështetjen e tij në popullsi. Sondazhi i bërë nga një kanal italian lajmesh tregoi se 79 për qind e të anketuarve favorizojnë dorëheqjen e kryeministrit. Por ai nuk do të shkojë vullnetarisht, për shkak se Berlusconi ka bërë të qartë që para përshpejtimit të procedurës, se ai ndjehet i pafajshëm.
"Përndjekja" e kryeministrit
“Përsëri gjyqësori po përdoret për qëllime politike. Prapa kësaj fshihet një vullnet i qartë për të më përndjekur“, pohon kryeministri italian.
E njëjta gjë dëgjohet nga përkrahësit dhe anëtarët e partisë së tij, të cilët akuzojnë gjyqtarët se po kryejnë gjueti kundër kryeministrit. Italia është në një situatë të vështirë, pothuajse pa udhëheqje. Sepse Berlusconi në javët e ardhshme do të jetë i zënë me avokatët e tij, për të zhvilluar një strategji mbrojtjeje. Se si do të jetë kjo strategji, aktualisht është e paqartë. Francesco Verderani nga gazeta Corriere della Sera: "Fjala nuk është aq shumë për problemin në se "mbijeton qeveria?", se sa për problemin e gjendjes së rëndë të institucioneve. Në qoftë se Berlusconi nuk jep dorëheqjen - dhe ai e ka bërë të qartë se nuk do ta bëjë atë - do të ketë një konfrontim, në të cilin ne nuk e dimë se kush mund të jetë arbitër. Është duke u zhvilluar një proces dhe është Berlusconi ai që është i akuzuari. Unë nuk mund ta paramendoj, si presidenti Xhorxhio Napolitano mund të ndërhyjë këtu."
Berlusconi ka 15 ditë, për të zgjedhur një nga të tri mundësitë: për të bërë një marrëveshje. Për këtë ai duhet të pranojë fajin dhe këtë ai nuk ka për ta bërë. Atëherë do të vendoset në bazë të dosjeve dhe mbrojtësve të tij do t'u vendosen kufizime, për shembull në emërimin e dëshmitarëve. Më e mundshmja është që – siç është vendosur tani - ta lërë procesin të fillojë. Dhe atëherë ai me mizërinë e avokatëve që ka, do të përpiqet të gjejë një shteg për të dalë. Ligjërisht Berlusconi nuk është shkatërruar akoma. Por politikisht me siguri është goditur rëndë.
Autor: Daniela Stahl/Angjelina Verbica
Redaktoi: Bahri Cani