1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

„Nuk do të ketë ndarje dhe as struktura paralele. Kosova është e pandashme dhe unike!“

Ajete Beqiraj8 Korrik 2008

Sot në Prishtinë, drejtori politik i Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe, Mark Grant, pas takimit me presidentin Fatmir Sejdiun shprehet i vendosur për të ardhmen e bashkuar të Kosovës.

https://p.dw.com/p/EYUz
Simboli i ndarjes në Mitrovicë, ura e IbritFotografi: DW/Sand

Zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Mitrovices, të cilat rezultuan me incidente në mes të shqiptarëve dhe serbëve, për presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiun, janë “sinjal i qartë, se strukturat paralele serbe të dirigjuara nga Beogradi, dëshirojnë të destabilizojnë situatën, për të penguar procesin e njohjës së Kosovës nga shtetet e tjera.“

Këto komente presidenti Sejdiu i bëri pas takimit me drejtorin politik në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, Mark Grant, i cili sot në Prishtinë bëri të qartë qëndrimin e shtetit të tij:

Grant: “Pozicioni ynë është qartë: Kosova është tërësi dhe ndarja nuk është opcion. Ne nuk përkahim strukturat paralele, të cilat veprojnë në pjesën veriore të Kosovës dhe Britania e Madhe do të vazhdojë përkrahjen e fuqishme ndaj shtetit të Kosovës, si në aspektin politik poashtu edhe në atë ekonomik.“ Grant premtoi mbështetjen e Britanisë së Madhe edhe në aktivitetet lobuese për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke kërkuar njëkohesisht, edhe angazhimin e vetë institucioneve të Kosovës për rritje të angazhimeve në këtë drejtim.

Presdenti i Kosoves, Fatmir Sejdiu, pas takimit me diplomatin britanik Mark Grant e vuri theksin tek vështirësitë e procesit të njohjes. Sejdiu: “Ne jemi në këtë process dhe s´është process i lehtë, kjo është e qartë! Por, ne duke marrë praktikat e vendeve të tjera, sidomos të vendeve të Evropës Juglindore, do të punojmë me angazhime funksionale”.

Nga qytetaret e Kosovës presidenti Sejdiu kërkoi maturi, në mënyrë që në bashkëpunim me të gjitha strukturat të gjendet zgjidhja e problemeve në mënyrë paqësore.