Një mik i vërtetë dhe besnik | Evropa | DW | 12.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Një mik i vërtetë dhe besnik

Kancelari gjerman Shrëder për një vizitë të shkurtër në Turqi

Kancelari gjerman Shrëder me kryeministrin turk Erdoan

Kancelari gjerman Shrëder me kryeministrin turk Erdoan

Kancelari gjerman, Gerhard Shrëder niset sot për një vizitë të shkurtër në Stamboll. Kryeministri turk Rexhep Taip Erdoan e ka ftuar Shrëderin në darkën tradicionale të Iftarit që shënon për besimtarët myslimanë përfundimin e agjërimit gjatë muajit të Ramazanit me perëndimin e diellit. Sipas informacioneve nga pala turke është hera e parë që një kryetar qeverie i një vendi të krishterë ftohet në darkën e Iftarit nga një kryeministër turk. Ky nder i veçantë shpreh ndër të tjera edhe falemderimin për mbështetjen e Shrëderit në afrimin mes Bashkimit Europian dhe Turqisë.
"Një mik i vërtetë dhe do të thoja një mik besnik i Turqisë. Për më tepër ai ka qenë një kancelar shumë eficient." Ishak Alaton flet me tonet më të mira për kancelarin gjerman. Dhe ky nuk është vetëm opinioni i sipërmarrësit hebre nga Stambolli. Kur kancelari gjerman në largim të takohet sot në mbrëmje me kryeministrin turk Rexhep Taip Erdoan nostalgjia do të ndihet jo vetëm nga sipërmarrësit turq të ftuar në darkën e përbashkët. Me Shrëderin Erdoan humbet një mik personal mendon Xhyneit Zapsu, këshilltar i Erdoanit për politikën e jashtme:"Unë besoj se ata janë kuptuar shumë mirë deri tani megjithëse siç e dini kanë patur nevojë gjithnjë për përkthyes. Megjithatë besoj se të dy kanë patur menjëherë kontakt të mirë."
Shrëderi dhe ministri i tij i jashtëm Joshka Fisher vlerësohen veçanërisht për mbështetjen që i kanë dhënë deri në fund përpjekjeve për anëtarësim në BE të Ankarasë megjithë kundërshtimet në politikën e brendshme gjermane. Negociatat për anëtarësim kanë filluar dhe kështu ideja e partisë kristiandemokrate gjermane për t'i ofruar Turqisë një partneritet të privilegjuar si alternativë ndaj anëtarësimit të plotë në BE është eliminuar përfundimisht. Xhyneit Zapsu beson në vazhdimin e marrëdhënieve gjermano-turke edhe nën qeverisjen e kancelares së pritshme Angela Merkel: "Ato çfarë ndodhin apo thuhen gjatë një fushate elektorale janë diçka tjetër, këtë e dimë të gjithë dhe kështu ndodh në gjithë botën. Ne nuk mendojmë vetëm për bashkëpunim në politikën e jashtme apo në kuadër të BE-së. Kemi edhe shumë e shumë gjëra të tjera të përbashkëta. Mendoni vetëm për 2,8 milionë turqit dhe gjermanët me orgjinë turke që jetojnë në Gjermani."
Qeveria beson në vazhdimësisë e marrëdhënieve gjermano-turke dhe edhe në rrugët e Stambollit qeveria e ardhshme në Berlin nuk tremb askënd. Një kalimtar mendon p.sh. se Turqia duhet të përpiqet për mirëkuptim me qeverinë e re. Ai vetë beson se të dy popujt duhet të njihen më mirë. Nga kancelarja e ardhshme Angela Merkel ai pret që ashtu si qeveria e mëparshme të mbështesë rrugën e Turqisë drejt BE-së.
Vizita e kancelarit Shrëder në Stamboll përkon me muajin e Ramazanit. Sot në mbrëmje ai do të marrë pjesë në një Iftar, ndërprerjen e agjërimit pas perëndimit të diellit. Më pas të dy miqtë, Taip Erdoan dhe Gerhard Shrëder, do të zhvillojnë bisedime dypalëshe por ka shumë të ngjarë që mbrëmjen ta kalojnë edhe thjesht duke ndjekur në televizion ndeshjen e futbollit Turqi-Shqipëri, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror. Përveç prejardhjes nga e njëjta shtresë sociale të dy burrat e shtetit vitet e fundit i ka lidhur edhe pasioni për futbollin. Kjo s'ka të ngjarë të ndodhë me pasardhësen në post të Shrëderit mendon sipërmarrësi Ishak Alaton por ai megjithatë e sheh me optimizëm etapën e re në të cilën po hyjnë marrëdhëniet gjermano-turke.

  • Data 12.10.2005
  • Autor Gunnar Köhne
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArD6
  • Data 12.10.2005
  • Autor Gunnar Köhne
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArD6