1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nganjëherë keqinterpretim i qëllimtë

Thomas Winkel20 Shtator 2006

Kardinali Lehman mbron Papën dhe i bën thirrje fesë islame të sqarojë raportin me dhunën. Ai kundërshton tezën, sipas së cilës ka shpërthyer luftë midis kulturave

https://p.dw.com/p/AqzL
Kardinali Karl Lehmann
Kardinali Karl LehmannFotografi: picture-alliance/dpa

Pas turbullirave për fjalimin e Papës në Regensburg shumë prisnin reagimin e Konferencës së Peshkopëve gjermanë. Por Kryetari i Konferencës, kardinali Karl Lehmann, nuk donte të notonte në valën shqetësimit të parë.

Keqinterpretime të qëllimta

Megjithatë të martën në mbrëmje ai theu heshtjen dhe u shpreh parimisht lidhur me islamizmin në pritjen tradicionale të Shën Michaelit për politikën në Berlin. "Sipas mendimit tim vështirësia e vetme qëndron në faktin, se Papa Benedikti i XVI i përmend shumë shkurt kushtet dhe sfondin e këtyre pohimeve. Kështu që kanë mundur të lindin keqkuptime. Por disa reagime nuk duhet t´i lidhesh vetem me mungesën e informacionit, por edhe me keqinterpretimin e qëllimtë."

Të gjitha fetë e mëdha e njohin tundimin e thellë, të ushtrosh dhunë në emër të fesë dhe ta justifikosh atë. Dhe të gjitha gjatë historisë nuk i kanë përballuar këtij tundimi. Jo vetëm në diskutim me muslimanët, por edhe në vështrimin kritik të vetvetes kisha dhe të krishteret do të zbulojnë dhe do të njohin gjithnjë tendencat e dhunës në historinë e vet.

Papa respekton fenë islame

Lehman iu referua deklaratave të mëparshme të Papës, nga të cilat del qartë respekti i madh për fenë islame. Nga ana tjetër kardinali i bëri thirrje muslimanëve, që të sqarojnë raportin e tyre me dhunën. Deri tani çështja e luftës së shenjtë ka qenë një hekur shumë i nxehtë në fenë islame. Në mënyrë eksplicite Lehman pranoi dialogun ndërmjet feve dhe pëmendi shembuj, ku të krishterë, muslimanë dhe ebrejtë jetojnë mirë më njëri-tjetrin.

Por ai shtoi: "Pa bërë akuza të gabuara duhet t´i konfrontojmë bashkëbiseduesit tanë muslimanë me faktin, që në situatën e sotme në botë dhuna e pretenduar dhe e legjitimuar për motive fetare përbën një fenomen, që karakterizon kryesisht islamizmin edhe pse jo ekskluzivisht atë."

Dhuna me motive fetare karakterizon islamizmin

Kardinali tha se askush në kishë nuk ka një "dyshim të përgjithshëm" për muslimanët. Ekziston sigurisht tradita e islamizmit luftarak dhe ajo megjithë dukjen "ka mbijetuar me një farë kontinuiteti kohor".

Tjetër pikë e kritikës: raporti i islamizmit me lirinë e fesë, edhe kete Lehman e sheh me dyshim. "Nuk është nevoja për analiza, që shkojnë në detaje, për të konstatuar se bota islame në përgjithësi ka vështirësi me konceptimin e lirisë dhe kështu me konceptin e përgjithshëm të të drejtave të njeriut, edhe pse raportet në vendet e ndryshme muslimane paraqiten shumë të ndryshme. Edhe kjo duhet të jetë temë e dialogut ndërfetar."

Bota islame ka vështirësi me konceptin e lirisë


Këto raporte ndërmjet të krishtereve, ebrejve dhe muslimaneve kardinali i cilësoi të rëndësishme, por porositi të kihet kujdes nga shpresat e gabuara. Ai kundërshtoi tezën, sipas së cilës ka shpërhyer "një luftë e kulturave". Edhe shtetet muslimane janë viktima të dhunës, sepse ata i kundervihen "xhihadisteve". Kështu është e qartë: Lehman nuk pret konflikt fesh.