1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Në përgjithësi një imazh pozitiv" - Rezultatet e eurobarometrit: BE-ja fiton imazh por jo peshë

Klarise Veishedel18 Korrik 2006

Dy herë në vit publikohet eurobarometri, "opinioni publik në BE". Në këtë anketim ka rëndësi sa të qenit i kënaqur me BE-në, aq edhe besimi ndaj këtij blloku si dhe pozicionimi ndaj çështjeve aktuale, siç është edhe kushtetuta e BE-së.

https://p.dw.com/p/ArAd
Yjet simbol të BE-së
Yjet simbol të BE-sëFotografi: AP

Sa i përket rënies së entuziazmit dhe krizës së imazhit, BE-ja tani mund të marrë frymë lirisht. Pas një rënieje të vazhdueshme të prestigjit gjatë viteve të fundit, sivjet qytetarët e BE-së janë sërish pozitivë kundejt unionit. Madje qysh prej dhjetë vjetësh s´ka pasur kaq shumë qytetarë që ta vlerësojnë pozitivisht BE-në. Irlandezët janë optimistët më të mëdhenj, por edhe në Gjermani 45%, e vlerësojnë si diçka pozitive BE-në. Ja se çmendon një student: "Unë kam një përshtypje positive për BE-në. Kjo, sepse besoj, që në aspektin historik ky union siguron paqen në Evropë dhe është garanci për mirëqenien."

Në vendet kandidate si në: Kroaci, Bullgari, Rumani dhe në Turqi, mendimi është krejt ndryshe dhe jo kaq optimist. Kryesisht në Turqi vitet e fundit ka rënie të prestigjit të BE-së. Ndërsa në anketimin e fundit dy të tretat e turqve e mbështesin BE-në dhe një në tre vetë ka besim tek institucionet në Bruksel.

Natyrisht ka edhe zëra kritikë në vendet anëtare. Eurobarometri tregon rritje të besimit ndaj autoriteteve evropiane, megjithatë më shumë se gjysmës së evropianëve u duket sikur mendimi i tyre injorohet. E kjo pavarësisht faktit që Parlamenti Evropian zgjidhet direkt nga shtetasit e BE-së. Një nga arësyet sipas këtij qytetari të BE-së është: "Unë kam përshtypjen, se parlamenti vazhdon të ketë shumë pak të drejta vendimmarrjeje. Praktikisht pjesëmarrja në zgjedhje s´ka rëndësi. Gjithashtu parimi i demokracisë nuk respektohet sa duhet."

Por nëse shtetasit e BE-së kanë ndjenjën, që interesat e tyre nuk vlerësohen, kjo s´ka të bëjë vetëm me institucionet e BE-së. Evropianët duket se nuk interesohen për politikën e BE-së. Pothuajse një në pesë vetë s´ka asnjë mendim për kushtetutën e planifikuar, dhe vetëm pak qytetarë dëshirojnë një fazë të re zgjerimi. Edhe për çështje të tjera përqindja e atyre që thonë "unë s´di gjë" është me 10 deri në 20% mjaft e lartë.

Kjo s´na befason, po të kemi parasysh pjesëmarrjen në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian në vitin 2004. Në Gjermani p.sh. votuan gati 40%. Ja se si shprehet njëra prej atyre që s´kanë votuar: "Unë besoj, se qytetari vet shpesh nuk e jep votën e vet, kur zhvillohen zgjedhje. P.sh. unë s´kam shkuar kurrë në ndonjë votim."

Përmes eurobarometrit bëhet e qartë, se shumica e evropianëve kanë përfytyrime jo të sakta për BE-në dhe politikën e saj. Çështjet aktuale, qëllimet dhe problemet e BE-së as që arrijnë deri tek qytetarët. Nëse gjermanët mendojnë për BE-në, shumicës i bien ndërmend vetëm koncepte të tilla si bashkëpunimi ekonomik apo ndihmat për bujqësinë, e kjo prek vetëm një pjesë të popullsisë. Një studenteje i dalin nga zemra ato që thotë: "Për mua BE-ja është shumë larg. Kam përshtypjen se BE-ja s´më thotë gjë."