Në kërkim të autorëve - Zbardhja e së shkuarës komuniste në Evropën Lindore ende në fillimet e saj
3 Dhjetor 2007Ndryshe nga Gjermania në vende të tjera ish-komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore ka zgjatur shumë më tepër kohë, deri sa u arrit të krijohen zyrat përkatëse për zbardhjen e së shkuarës.
Ata ishin parnterët tanë
Pendat, instituti polak i përkujtimit kombëtar, nisi nga puna në fund të viteve 1990. Drejtori i këtij instituti Kazimierz Vojicicki (Kazimierz Woycicki) e shpjegon këtë edhe me faktin, që opozita fituese formësoi demokratizimin e vendit bashkë me ish-pushtetarët: „Ata ishin edhe partnerët tanë në tryezën e rrumbullakët. Ky ishte një lloj luajaliteti për shkak të bisedimeve. Njerëzit ishin të orientuar drejt së ardhmes dhe reformave ekonomike. Ndaj çështja e së shkuarës ndonëse nuk u spostua nga vëmendja, nuk u diskutua intensivisht.“ Ndërkohë, në institutin polak të përkujtimit kombëtar punojnë rreth 2000 punonjës. Deri tani kanë paraqitur kërkesë për leximin e dosjeve 14.000 njerëz. Qëndrimin e rezervuar për mungesë interesimi, Voicicki e konsideron të gabuar. "Zbardhja e së shkuarës së sigurimit të shtetit në Poloni ka ekzistuar edhe më parë në një formë tjetër, e kjo ndër të tjera edhe përmes njoftimeve në media.“
Kërkush nuk thotë "fajin e kam unë"
Publicisti sllovak Jurai Alner kritikon qëndrimin e njerëzve në vendin e tij lidhur me këtë proces. Ndonëse gazetat njoftojnë në mënyrë të detajuar lidhur me trashëgiminë komuniste, prej kësaj nuk nxirren mësimet. Edhe sot e kësaj dite gjyqtarët e kohës së regjimit të vjetër vazhdojnë të jenë aktivë, asnjëri prej tyre nuk u trëmbet sanskioneve, edhe pse ata i vret ndërgjegja: „Të gjithë e ndjejnë veten pak fajtorë dhe të gjithë duan që t´ia ngarkojnë fajin dikujt tjetër. P.sh. thuhet, se fajin e ka shteti, fajin e ka partia, fajin e kanë funksionarët. Asnjëherë nuk kemi dëgjuar të thuhet, se fajin e kam unë.“
Hungarezët ende nuk janë përballur me të kaluarën
Edhe më skeptik është historiani hungarez Krishtian Ungvari (Krisztián Ungváry) sa i përket stadit të zbardhjes së të shkuarës në vendin e tij. Megjithatë ai bën dallimin mes politikanëve dhe popullsisë. Ungvari shpreson për një bashkëpunim në nivel evropian: „Ka gatishmëri për pajtim dhe një vetëdije e shoqërisë civile. Gatishmëria për të pranuar, se edhe në një diktaturë të ashpër nuk kanë qenë të paktë ata, që janë kthyer në bashkëpunëtorë jo zyrtarë, ose ka pasur njerëz, që ndonëse janë implikuar në ministrinë e brendëshme, në rrethana të tilla kanë pasur sjellje normale. Hungarezët ende nuk janë përballur me të kaluarën. Unë shpresoj, se kolegët e mi gjermanë, polakë, çekë, sllovakë dhe rumunë një herë do t´u bëjnë të qartë qeverive tona, që kjo është e domosdoshme dhe një çështje që nuk duhet mbajtur nën rrogoz.“
Bullgaria me bilanc të zymtë
Për Bullgarinë pjesëmarrësit në konferencën në Frankfurt mbi Oder nxorrën një bilanc të zymtë. Asnjë përfaqësues shtetëtror nuk ishte i pranishëm. Ky fakt s´të habit, sepse vetëm para pak muajsh u krijua një komision për zbardhjen e së shkuarës. Ky komision përbëhet nga nëntë persona, të cilët nuk kanë një zyrë të vetën. Rrethana të tilla e shtangin drejtuesen e zyrës gjermane për dosjet e shtasit, Marjane Birtler: „Punonjësit e këtij sektori nuk kanë akses direkt tek dosjet, por ata duhet t´i drejtohen ministrisë së brendëshme. Nga kjo e kupton, se ndonëse interesi është i përbashkët, gjë që më gëzon, sfidat me të cilat përballen njerëzit në vendet e ndryshme, që angazhohen për zbardhjen e diktaturave komuniste janë të ndryshme.“
Historia ekziston
Ndërkohë që në Bullgari sapo ka nisur në mënyrë të çalë zbardhja e së kaluarës komuniste, në të tjera vende prej kohësh janë shtuar zërat, që kërkojnë t´i vihet kryqi këtij debati. Por publicisti sllovak Jurai Alner e hedh poshtë këtë duke iu referuar edhe diktaturës së nacionalsocislitëve: „Ne ende sot kemi procese me nazistët. Ne natyrisht nuk do t´i harrojmë aktet e komunistëve, edhe sikur të biem dakord që ta mbyllim këtë kapitull. Historia ekziston, ajo influencon ndaj vendeve dhe popujve tanë. Këtë duhet ta pranojmë dhe me të duhet të merremi. Ndaj duhet edhe ta dimë, se çfarë duam të arrijmë."
Për Marjane Birtler zbardhja e diktaturës komuniste është ende në fillimet e saj. Zyra që ajo drejton në Gjermani ekziston qysh nga vitet 1990. Nëse heqim një paralele me të shkuarën nacionalsocialiste, Gjermania dhe Evropa 18 vjet pas rënies së murit ndodhen në vitin 1963. Pikërisht në këtë periudhë Lufta e dytë Botërore kish marrë fund qysh prej 18 vjetësh, ndërkohë që zbardhja e periudhës nacionalsocialiste askohe ende nuk kishte filluar si duhet.