1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Muzeumi i Historisë Gjermane në Bon feston 10 vjetorin e inagurimit

Stefanie Böhme14 Qershor 2004

"Historia është e mërzitshme, dhe një ekspozitë për historinë është edhe më e mërzitshme" - kështu mendojnë shumë të rinj. Por Muzeumi i Historisë Gjermane në Bon, dëshmon se historia nuk është aspak e mërzitshme. Në këtë muzeum dokumentohet historia e Gjermanisë që prej vitit 1945, pra pas luftës, e deri më sot. Ky muzeum ka fituar disa cmime kombëtare e ndërkombëtare dhe është shembull për të gjitha muzeumet evropiane.

https://p.dw.com/p/Ar6O
Mbi 1800 vizitorë hyjnë cdo ditë në ndërtesën trekatëshe të historisë në Bon
Mbi 1800 vizitorë hyjnë cdo ditë në ndërtesën trekatëshe të historisë në BonFotografi: Stiftung Haus der Geschichte

"Republika jonë federale u krijua nën hijen e katastrofës. Por kjo republikë ka historinë e saj. Ne duam të krijojmë sa më shpejt një muzeum mbi historinë gjermane që prej vitit 1945 në Bon."

Që në fjalimin e tij të parë si kancelar gjerman, në tetor të vitit 1982, Helmut Kohl mendoi për një muzeum të tillë. Dhe tani 10 vjet pas inagurimit të muzeumit, drejtori i tij, profesori Hermann Schäfer, shpjegon:

"Ne kemi krijuar një koncept narrativ, pra ta tregojmë historinë në mënyrë tërheqëse. Jemi përpjekur të krijojmë që në fillim ndjenja dhe emocione, gjë që nuk është normale në Gjermani kur bëhet fjalë për historinë e saj. Por për mua emocionet janë të rëndësishme, sepse ato ndihmojnë për t´u marrë intensivisht me një temë."

Suksesi i këtij muzeumi është mënyra e prezantimit të temave. Pra jo vetëm fotografi me shumë tekste, por edhe p.sh rroba të refugjatëve të Luftës së Dytë Botërore, një kasetofon i viteve 50-të, një makinë e tipit Trabi si edhe copa të murit të Berlinit. 9 milionë vizitorë kanë qënë deri tani në Muzeumin e Historisë Gjermane në Bon. Pothuajse të gjithë janë të mahnitur nga ky muzeum.


Përvec ekspozitës së përhershme mbi historinë gjermane, muzeumi ofron edhe disa shfaqje të temave aktuale dhe sociale në Gjermani.
Si për shembull shfaqjen e Miss Germany, historinë e lodrave dhe një ekspozitë mbi spiunazhin në në Gjermaninë Lindore dhe atë Perëndimore. Për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të vijnë në Bonn , muzeumi ka krijuar një faqe në internet, një të ashtuquajtur muze virtual. Ky muzeum në internet dokumenton historinë gjermane që prej vitit 1900 e deri më sot me shumë objekte nga muzeumi origjinal si edhe filma dhe dokumente të tjera.