″Misteri i një krimi″ | Bota | DW | 11.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Misteri i një krimi"

Pasditen e 13 majit 1981 mbi Sheshin e Shën Pjetrit fluturuan plumbat. I plagosur rëndë Papa Gjon Pali i II-të u mblodh kruspull. Fakti që ai mbijetoi konsiderohet prej shumë vetëve si mrekulli. Atentatori Ali Agça do të lirohet nga burgu të enjten (12.01).

Mehmet Ali Agça

Mehmet Ali Agça

Ka pasur shumë hetime, që përforconin tezën e një komploti. Por edhe sot e kësaj dite ende nuk është hequr veli dhe nuk janë zbardhur, as motivet e këtij komploti dhe, as autorët. E padiskutueshme është, që turku Ali Agça ka qenë personi që ka qëlluar. Në kohën e atentatit ai ishte 23 vjeç dhe qëndronte pranë lëvizjes radikale "ujqit gri". Qëllimi i kësaj lëvizjeje ishte bashkimi i të gjithë popujve turq nga Ballkani deri në Azinë Qendrore e në Kinë, për të krijuar një shtet të fortë, të pavarur dhe të vetëdijshëm panturk. Armiq të kësaj organizate nacionaliste konsideroheshin kurdët me përpjekjet e tyre për autonomi, izraelitët, grekët, iranianët dhe amerikanët.

Pas të shtënave në sheshin e Shën Pjetrit Ali Agça u arrestua, por lidhur me motivet për atentatin ai gjatë viteve ka dhënë dëshmi të ndryshme. Për një kohë të gjatë ai pretendonte, se ishte një autor i vetëm, më vonë u zbardhën lidhjet e tij me shërbimin sekret bullgar. Ndonëse këto nuk u provuan kurrë, edhe sot e kësaj dite ka dyshime që porositësi i atentatit të ndodhej në Moskë. Ka hamendje që KGB-ja mund të ketë ngarkuar shërbimin sekret të vendit satelit komunist, Bullgarisë me atentatin. Me këtë atentat synohej likujdimi i Papës së padëshëruar nga Polonia, për shkak të mbështetjes që i jepte ai lëvizjes sindikaliste "Solidarnost".

KGB-në si autore në prapaskenë e sheh edhe senatori italian dhe kryetari i komisionit parlamentar për zbardhjen e atentatit ndaj Papës, Paolo Guzati. Në maj 2005 ai tha në radio Vatikan, se nuk duhet të bëjmë fjalë për një gjurmë bullgare, por për një gjurmë të kuqe sovjetike në atentat. Në mënyrë të ngjashme është shprehur edhe ish-oficeri i KGB-së Oleg Gordjevski për një radio bullgare. Jo më shumë se katër deri në pesë persona kanë pasur dijeni për atentatin, sipas Gordjevskit. Papa vetë asnjëherë nuk e ka mbështetur tezën për "gjurmën bullgare". Gjatë vizitës në Bullgari në maj 2002 ai shprehimisht tha, se asnjëherë nuk ka besuar në implikimin e Bullgarisë. Si shenjë të faljes Ati i shenjtë vizitoi në dhjetor 1983 në burgun e Romës, njeriun që për pak do ta kishte vrarë atë. Më pas Ali Agça pretendonte, se i kish treguar Papës të gjithë të vërtetën mbi atentatin. Por deri në vdekjen e tij Gjon Pali i II-të heshti.

Në Itali Agça u dënua me burgim të përjetshëm, por pas 19 vjetësh ai u mëshirua prej presidentit Karlo Azelio Çampi dhe u ekstradua në Turqi, ku ai u dënua me shtatë vjet të tjera për vrasjen e gazetarit Abdi Ipekci. Të dielën më 8 janar një gjykatë turke vendosi që Ali Agça të lirohet me kusht. Avokati i tij, Mehmet Demirbag nuk beson, se Agça duhet të frikësohet për jetën me mendimin, se ai di shumë. Në intervistë për Deutsche Welle-n Demirbag thotë: "Jeta e klientit tim nuk rrezikohet pas lirimit. As ai vet dhe as familja nuk kanë marrë kërcënime me vrasje."

  • Data 11.01.2006
  • Autor Emilia Lilov
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArMg
  • Data 11.01.2006
  • Autor Emilia Lilov
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArMg
Reklamë