Misioni i parë ushtarak i ushtrisë gjermane. | Politika | DW | 22.03.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Misioni i parë ushtarak i ushtrisë gjermane.

Pasoja për politikën gjermane të jashtme dhe të sigurisë.

Fillimi i sulmeve të NATO-s kundër Jugosllavisë në 24 mars 1999 me të cilat duhej detyruar ndërprerja e dhunës së Sllobodan Milloshevicit në Kosovë, ishte një datë e rëndësishme për Gjermaninë: ushtria gjermane ishte pjesëmarrëse në aksionet e Aleancës Veri-Atlantike dhe për herë të parë në historinë e saj bombardonte një vend të huaj. Një moment delikat që u bë shkas për diskutime në Gjermani.

Ky nuk ishte misioni i parë jashtë vendit i ushtrisë gjermane por i pari me karakter luftarak: që prej fillimit të viteve '90 ushtria gjermane ka mbështetur gjithnjë misionet e Kombeve të Bashkuara duke ofruar para së gjithash ndihmë humanitare.

Kjo nuk ishte e vetëkuptueshme siç tregoi në 1994 një padi e ngritur në Gjykatën Kushtetuese: fraksioni parlamentar i partisë socialdemokrate atëherë në opozitë dhe pjesë të fraksionit të liberalëve atehëherë në qeveri, paditën misionet jashtë vendit të Bundesverit për të cilat kabineti i ish-kancelarit Kol kishte vendosur pa pjesëmarrjen e parlamentit. Paditësit kërkonin nga njëra anë sqarimin e të drejtave të ndërhyrjes së parlamentit në vendimmarrje dhe nga ana tjetër të bëhej e qartë nëse kushtetuta gjermane lejonte misione të tilla të ushtrisë. Në fund të fundit detyra e ushtrisë shihej deri në atë kohë vetëm në mbrojtjen e vendit. Vendimi i gjykatësve të lartë sipas të cilit misionet e Bundesverit me mandatin e OKB-së apo NATO-s ishin konform kushtetutës dhe se parlamenti kishte fjalën e fundit për këtë, krijuan dhe parakushtin për misionin e parë ushtarak.

Fillimisht ushtria gjermane kreu një sërë misionesh në Ballkan, ndër të tjera në periudhën 1995/1996 si pjesë e forcës paqeruajtëse në Bosnjë, IFOR. Gjatë tyre u fitua përvojë e rëndësishme në administimin e situatave të krizës thotë ish-zv/admirali Hans Frank, president i Akademisë Gjermane për Politikën e Sigurisë: "Gjatë kësaj kohe ne ishim gjithnjë pjesëmarrës të procesit të stabilizimit pas një misioni. Por asnjëherë ne nuk kemi drejtuar vetë misione. Kosova tregoi se nganjëherë ndërhyrja ushtarake është e nevojshme për t'i dhënë fund një krize në zhvillim e sipër dhe për të rikthyer përsëri stabilitetin. Në këtë aspekt ky ishte një hap përpara në spektrin e përgjithshëm të masave për administrimin e krizave."

Pikërisht përdorimi i forcës ushtarake ishte në 1999 pika kritike: deri atëherë ushtarët gjermanë në misione jashtë vendit i kishin përdor armët vetëm për vetëmbrojtje. Por në mars të atij viti NATO vendosi të bombardojë Jugosllavinë nga ajri për t'i dhënë fund shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovë. Parlamenti gjerman dha miratimin në tetor të 1998-s dhe më 24 mars 1999 filluan sulmet.

Gjermania nuk po hyn në luftë por asaj i është bërë thirrje të kontribuojë edhe me mjete ushtarake në gjetjen e një zgjidhjeje paqësore në Kosovë. Kështu e komentoi kancelari gjerman Gerhard Shrëder në fjalën e tij në televizion pjesëmarrjen në këto sulme të Bundesverit. Në këtë mënyrë ai formuloi një parim të ri, të rëndësishëm për politikën e jashme gjermane: përdorimi i dhunës dhe i ushtarëve të vet duhet të jetë mjeti i fundit për zgjidhjen e një krize. Në të njëjtën kohë qeveria gjermane po e ngrinte Gjermaninë e ribashkuar në një partner me të drejta të barabarta në Aleancën Veri-Atlantike. Bundesveri kreu me 14 Tornado rreth 500 aksione, të tipit zbulues por edhe kundër mbrojtjes ajrore jugosllave. Hans Frank: "Duhet mbajtur parasysh se për Bundesverin ky ishte një hap i ri dhe vendimtar i cili rradhitet pas një numri hapash paraprirës. Ai përbënte para së gjithash një hap politik shumë të rëndësishëm brenda Republikës gjermane. Asnjë qeverie gjermane të pasluftës nuk i ishte dashur të merrte një vendim për pjesëmarrje në një luftë."

Edhe pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s të gjitha partitë politike gjermane me përjashtim të Partisë së Socializimit Demokratik u shprehën pro pjesëmarrjes gjermane. Shtatë nga gjithsej 47 deputetët e gjelbër kërkuan ndërprerjen e menjëhershme të misionit por kreu i partisë i udhëhequr nga ministri i jashtëm gjerman Joshka Fisher vazhoi t'a mbështeste vendimin.

Për Bundesverin misioni ushtarak kaloi thuajse pa probleme në atë të stabilizimit të vendit: pas kapitullimit të Milloshevicit NATO ndërpreu sulmet më 10 qershor 1999 dhe Kombet e Bashkuara e trupa paqeruajtëse KFOR morën përsipër përgjegjësinë. Me Klaus Reinhardt për herë të parë një gjeneral gjerman drejtonte një mision të NATO-s jashtë territorit gjerman. Bundesveri ofron edhe sot një nga kontigjentet më të mëdha të trupës paqeruajtëse në Kosovë KFOR.
  • Data 22.03.2004
  • Autor Nina Werkhäuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqvU
  • Data 22.03.2004
  • Autor Nina Werkhäuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqvU