Ministres Schmidt i vjedhin veturën e shërbimit
27 Korrik 2009Politikania socialdemokrate duhet të japë sqarime edhe para Komisionit për Buxhetin të Parlamentit gjerman.
Pas vjedhjes së automjetit të saj të shërbimit në Spanjë, Ministrja gjermane e Shëndetësisë Ulla Schmidt është vënë në qendër të kritikave. Politikanë të opozitës dhe Shoqata e Taksapaguesve gjermane kërkuan sqarime nga Schmidt-i se pse ka përdorur makinën e shërbimit në Alicante të Spanjës, ku ndodhej për pushime. Politikania socialdemokrate duhet të japë sqarime edhe përpara Komisionit për Buxhetin të Parlamentit gjerman. Kryetari i këtij komisioni nga partia liberale FDP, Otto Fricke u shpreh:
"Komisioni për Buxhetin kërkon të dijë nëse ministrja ka vepruar në mënyrë të arsyeshme me makinën e shërbimit që i është vënë në dispozicion. Shpresoj që ajo të ketë respektuar të gjitha rregullat ligjore. Por Schmidti duhet të sqarojë se për çfarë arsyeje shërbimi e ka përdorur makinën."
Shoqata e Taksapaguesve gjermanë kërkon sqarime
Shoqata e Taksapaguesve gjermanë pritet t'i nisë sot një letër ministres Schmidt. Drejtuesi i saj Reiner Holznagel tha për gazetën "Bild am Sonntag":
"Ne kërkojmë sqarime se përse makina e saj e shërbimit duhej të udhëtonte plot 5.000 kilometra nëpër Evropë. Asnjë qindarkë e taksapaguesve nuk duhet të shpenzohet vetëm për komfortin e udhëtimit të një ministreje."
Kritikë ndaj politikanes socialdemokrate u shpreh edhe nga partneri në koalicion, Bashkimi Kristiandemokrat-Kristiansocial. Politikani kristiandemokrat për çështje të buxhetit, Georg Schirmbeck e cilësoi shpërdorim "skandaloz" të parave të taksapaguesve dërgimin nga ministrja Schmidt të makinës së shërbimit me shofer, mes për mes Evropës, deri në vendin e pushimeve, Alicante.
Ministria e Shëndetësisë i ka hedhur poshtë akuzat për sjellje jokorrekte nga Schmidt. Ashtu si të gjithë anëtarët e kabinetit edhe Ministrja e Shëndetësisë ka të drejtë të ketë një makinë shërbimi. Përdorimet private të automjetit llogariten po nga llogaria private.
Autor:dpa/rtr/Eliana Xhani
Redaktoi: Auron Dodi