1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministrat e jashtëm të BE diskutojnë për buxhetin, Maqedoninë dhe Afrikën

Bernd Riegert12 Dhjetor 2005

Sot në Bruksel takohen ministrat e jashtëm të BE-së në mbledhjen e tyre të fundit të vitit. Shumë ministra janë të pakënaqur me rezultatet e britanikëve, që e kryesojnë BE deri në fund të këtij viti.

https://p.dw.com/p/AqhC
Frank-Valter Stajnmajer dhe Ursula Plassnik, EU
Frank-Valter Stajnmajer dhe Ursula Plassnik, EUFotografi: AP

Katër ditë para takimit të nivelit të lartë bë BE për buxhetin 2007 deri 2013 presidenca aktuale e BE nuk ka paraqitur ndonjë propozim të tillë që të krijojë konsensuse.

Pyetjes se pse dështoi propozimi i fundit për kompromis i kryeministrit britanik Toni Blair, të premten komisari i BE, Gynter Verheugen iu pergjegj:

"Të paktën ai nuk qe në gjendje që të zgjidhë detyrat që kemi ne në Evropë. Propozimi i Toni Blerit do të thoshte në praktikë që buxheti i shkurtuar në mënyrë drastike të shkurtohej edhe më, dhe kjo në kurriz të vendeve më të varfra anëtare. Dhe kjo është në kundërshtim me parimin e bazë të politikës së BE, solidaritetit të më të pasurve me më të varfrit."

Një propozim i modifikuar i Toni Blerit ende nuk është paraqitur. Kryeministri britanik dëshiron ta paraqesë këtë dokument vetëm në prag të takimit. Kjo bën që ministrat e jashtëm, të cilët duhet ta përgatisin takimin e nivelit të lartë, të ndodhen para një rendi dite pak a shumë bosh dhe të kenë pak gjëra për të diskutuar.

Me këmbënguljen e ministrit të jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier, ministrat e jashtëm të BE do të përcaktojnë të hënën të paktën një plan kohor për "reflektimin" e mëtejshëm për krizën kushtetuese. Ratifikimi i kushtetutës së BE ka ngecur në vend pas referendumeve refuzuese në Francë dhe në Hollandë.

Në pjesën e politikës së jashtme të takimit të tyre, ministrat do të rekomandojnë që ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë t'i jepet statusi i kandidatit për pranim në BE. Por Këshilli i Ministrave do të bëjë të qartë edhe se negociatat konkrete për anëtarësimin janë ende shumë larg dhe se për anëtarësimin nuk mund të përmendet një datë.

Ministrat e jashtëm duan të vendosin më tej sot një strategji për politikën ndaj Afrikës. Kontinenti fqinj do të mbahet në të ardhmen më fort në qendër të vëmendjes. Zhvillimi afatgjatë dhe bashkëpunimi ekonomik janë synimi, jo së fundi edhe për të frenuar shkaqet e lëvizjeve të refugjatëve në drejtim të Evropës. Shumica e azilkërkuesve që duan të futen në BE ende vijnë nga Evropa Lindore dhe Juglindore, por Komisioni Evropian beson se presioni do të rritet. Pritet edhe që ministrat e jashtëm të BE të dënojnë me fjalë të ashpra deklaratat antiizraelite të presidentit iranian Ahmadinexhad.