Me apelin për mbështejen e reformave në Evropën Lindore presidenti polak hapi samitin e Këshillit të Evropës në Varshavë | Evropa | DW | 16.05.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Me apelin për mbështejen e reformave në Evropën Lindore presidenti polak hapi samitin e Këshillit të Evropës në Varshavë

Në konferencën dy ditore Këshilli i Evropës synon të kërkojë një rol të ri në BE-në që po zgjerohet gjithnjë e më shumë. Këshilli i Evropës i themeluar në vitin 1949 është organizata më e vjetër politike në Evropë dhe e vetmja, në të cilën krahas Rusisë janë të përfaqësuara edhe ish-republikat sovjetike si Gjerogjia, Armenia apo Azerbajxhani. Vetëm Bjellorusia nuk është pranuar deir më sot në këtë organizatë. Qëllimi i Këshillit të Evropës me seli në Strazburg është të nxitja e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit ligjor.

Varshavë, sheshi përpara kështjellës

Varshavë, sheshi përpara kështjellës

Kancelari i Gjermanisë, Gerhard Shrëder, mungonte në polifoton tradicionale në hapje të samitit të Këshillit të Evropës në Varshavë. Shrëder do të mbërrijë të martën në Varshavë, për të qenë vetëm dy orë i pranishëm në samit. Edhe Franca, Britania e Madhe dhe Rusia prezantohen në nivel sekondar në këtë takim. Por pavarësisht nga kjo nikoqiri i këtij samiti, presidenti polak Aleksandër Kvaznievski, kishte mjaft duar për të shtrënguar.

46 shtete bëjnë pjesë në Këshillin e Evropës, që ndryshe nga BE-ja përfshin të gjithë Evropën gjeografike. Vendi i takimit, kështjella mbretërore në Varshavë, është e tejmbushur. Në një lloj çadre cirku të madhe janë mbledhur dhe po mbajnë fjalime të gjithë përfaqësuesit qeveritarë. Përfaqësuesi suprem i Këshillit të Evropës, Sekretari i përgjithshëm Terri Dejvis, qysh në hapje të samitit shtroi pyetjen kyçe me nota vetëkritike: "Cili është qëllimi i Këshillit të Evropës? Përse na duhet ky në një botë plot organizata ndërkombëtare?"

Me të shtruar këtë pyetje ai gjeti mbështetjen e plotë nga kryeministri i Luksemburgut dhe kryetar i radhës i Këshillit të Ministrave të BE-së, Zhan Klod Junker: "Këshilli i Evropës është i pazëvendësueshëm, si një forum për dialog, si një shkollë e lartë për të drejtat e njeriut, si një organ fuqiplotë për vendosjen e normave. Këshilli i Evropës duhet të mbetet ai që ka qenë qysh në vitin 1949: një organizatë që e dallon pretendimi i lartë." Junker tërhoqi megjithatë vëmendjen, se Gjykata Evropiane që bën pjesë në Këshillin e Evropës ka arritur në kufijtë e aftësive të veta. Nisur nga fluksi i aktpadive dhe dhjetra mijëra rasteve të pashqyrtuara Gjykata e Strazburgut duhet të reformohet urgjentisht, nënvizoi Kryetari i radhës i Këshillit të Ministrave të BE-së.


Presidenti i Polonisë, Aleksandër Kvazhnievski, në fjalën e tij theksoi, se "ne nuk duhet të harrojmë që në kontinentin tonë jo të gjitha vendet gëzojnë avantazhet e zhvillimeve politike. Në Evropë ende ekziston varfëri e papranueshme, kriminalitet i organizuar dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Ndaj të 46 shtetet e Këshillit të Evropës duhet të luftojnë së bashku", nënvizoi presidenti polak. Në kuadër të samitit të Këshillit të Evropës të themeluar në vitin 1949 do të nënshkruhen konventat për luftën kundër terrorizmit, kriminalitetit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Në takimin e nivelit të lartë në Varshavë e mori fjalën edhe ministri i jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov: "Një shoqëri e lirë dhe e drejtë nuk ka kufij të brendshëm dhe as kufizime në lirinë e lëvizjes së qytetarëve. Realizimi i kësaj lirie në të gjithë Evropën do t´u japë mundësi të gjithë evropianëve që të shijojnë plotësisht vlerat e civilizimit evropian. Sepse pikërisht liria e lëvizjes krijon atmosferën për mirëkuptimin dhe besimin reciprok të njerëzve, pa të cilin nuk mund të ketë bashkëpunim ndërkombëtar dhe as një bashkësi unike evropiane", theksoi Lavrov.

Ndërsa presidenti i Ukrainës, Viktor Jushenko, shprehu mirënjohjen për solidaritetin që treguan evropianët gjatë revolucionit të portokalltë në Ukrainë. Jushenko tërhoqi vëmendjen megjithatë që të mos krijohet një Evropë e dy shpejtësive dhe që interesat e evropiano-lindorëve të mos lihen në udhëkryq: "Eshtë një fakt simbolik që samiti i tretë i Këshillit të Evropës zhvillohet në Lindje të ish-murit të Berlinit që ndante kontinentin. Ky samit zhvillohet pikërisht në Poloni, ku 25 vjet më parë u krijua lëvizja e solidarnostit. Eshtë detyra jonë tani që ta çojmë deri në fund këtë proces në mënyrë që në Evropë të mos krijohen më linja demarkacioni", nënvizoi Jushenko.

Ndërsa kryetarët e shteteve dhe të qeverive nga 46 vende të Evropës mbajnë fjalime në një ambjent krejtësisht të izoluar nga bota përreth duke u tërhequr herë pas here edhe në biseda kokë më kokë, në qendër të Varshavës mbisundon kaosi në trafik. Pamja e qytetit krakterizohet prej pranisë masive të policisë dhe të ushtrisë. Siç është bërë ndërkohë zakon në raste samitesh të tilla ka edhe demonstrata të kundërshtarëve të globalizimit. I riu Jan Vicek mban në dorë një plakatë kundër antarësimit të Turqisë në BE. Ndryshe nga shumë qytetarët të tjerë të Varshavës djaloshi di relativisht shumë lidhur me takimin e nivelit të lartë: "Ky është samiti i Këshillit të Evropës. Këtu janë takuar presidentët dhe kryeministrat e vendeve evropiane." Por se çfarë do të sjellë ky takim sa i përket përmbajtjes këtë nuk e ka të qartë as djaloshi demonstrues dhe as shumica e vëzhguesve politikë.

  • Data 16.05.2005
  • Autor Kai Rainker
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArEQ
  • Data 16.05.2005
  • Autor Kai Rainker
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArEQ