1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbreti i Nepalit rivendos parlamentin

Christof Heinzle25 Prill 2006

Presioni ndërkombëtar në fund u shtua në mënyrë të konsiderueshme: mbreti Gyanendra shpalli në një fjalim në radio të hënën rivënien në punë të parlamentit të shpërndarë në vitin 2002. Protestat javore masive në mbretërinë Nepal tani do të marrin fund.

https://p.dw.com/p/ArLh
Festimi i fitores në Kathmandu
Festimi i fitores në KathmanduFotografi: AP


Atmosferë festive në rrugët e Kathmandusë. Në vend të demonstratës së shpallur masive kundër mbretit tani ka një festë të fitores. Nuk ka më ndalim qarkullimi, protestat dhe greva e përgjithshme pas 19 ditësh morën fund zyrtarisht. Aleanca opozitare dhe njerëzit në rrugë festojnë ndryshimin e qëndrimit të mbretit si triumf të dëshirës së popullit.

"Unë jam vërtet, vërtet shumë i lumtur. Ndryshimi i qëndrimit të mbretit do të thotë paqe për të gjithë. Problemet tona tani shpresoj që do të zgjidhen."

Mbreti Gyanendra iu drejtua pak para mesnatës me një fjalim popullit. Më pak se tri javë pas fillimit të protestave masive kundër sundimit të tij absolutist mbreti plotësoi një nga kërkesat bazë të shtatë partive opozitare.

"Konfliktin aktual të dhunshëm dhe probleme të tjera të vendit ne duam t'i zgjidhim në bazë të axhendës së shtatë partive opozitare. Prandaj, me këtë deklaratë ne vendosim sërish në punë parlamentin që qe shpërbërë më 22 maj 2002."

Të premten, deputetët do të mblidhen në mbledhjen e parë të parlamentit. Krishna Sitaula, zëdhënës i aleancës opozitare:

"Çështja kryesore për parlamentin që do të angazhohet së shpejti do të jetë zgjedhja e një asambleje kushtetuese. Kjo asamble kushtetuese do të pranojë dëshirat dhe ndjenjat e popullit. Asambleja do të vendosë nëse në Nepal do të ketë ende një monarki apo jo."

Qeveria e re do të drejtohet nga Girija Prasad Koirala, kryetari i partisë më të madhe të Nepalit. Shefi 84 vjecar i Partisë së kongresit ka qenë katër herë kryeministër dhe është bërë në këtë mënyrë simbol për instabilitetin politik të vendit që prej futjes së sistemit pluripartiak 15 vjet më parë.

Koirala ka përpara sfida gjigante. Sepse pas zgjedhjeve për asamblenë kushtetuese do të nisin biseda paqësore me rebelët maoistë, të cilët zhvillojnë prej dhjetë vjetësh një luftë të përgjakshme kundër shtetit dhe mbretit. Ndryshimi i qendrimit të mbretit është vetëm një fillim, mendon shkencëtari indian i kërkimeve për paqen, Salman Haidar:

"Ky është një hap përpara. Kjo mund të shërbejë për lehtësimin e krizës në rrugët e Nepalit dhe për të vënë në rrugë një proces diskutimesh midis grupeve të ndryshme, që qendrojnë këtu përballë njëra-tjetrës. Do të ishte e tepruar po ta quanim këtë hap vendimtar, sepse atëherë do të kujtonim sikur gjithçka ishte në rregull."

Sa e paparashikueshme është gjendja, këtë e tregon reagimi i maoistëve. Kryetari i kryengritësve, Prachanda e quajti hipokrizi rivendosjen e parlamentit nga mbreti. Maoistët bënë thirrje për protesta të tjera deri sa të jetë mbledhur Asambleja kushtetuese. Gëzimin e partive, kryengritësit e quajtën si një hap tjetër historik të gabuar. Në nëntor të vitit të kaluar, maoistët dhe opozita ranë dakord të bashkëpunojnë kundër sundimit absolut të mbretit. Maoistët do të marrin pjesë në pushtet, bëri të ditur zëdhënësi i opozitës Situala.

"Ne kemi një marrëveshje midis aleancës opozitare të shtatë partive dhe maoistëve. Ne jemi të vendosur që ta plotësojmë këtë marrëveshje. Udhëheqësit tanë partiakë do të flasin tani me maoistët."

Gëzimi mund të pasohet nga të bërët esëll. Partitë nepaleze janë grindur shumë herë në 15 vitet e kaluara. Shpesh e ka shfrytëzuar këtë situatë pallati mbretëror. Një katastrofë e drejtpërdrejtë në Nepal u shmang, por kriza politike vazhdon.