Matias Placek- kryetar i ri i Partise Socialdemokrate | FOKUS | DW | 02.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Matias Placek- kryetar i ri i Partise Socialdemokrate

Partia Socialdemokrate po përpiqet të dalë sa më shpejt nga kriza mbas dorëheqjes së Franc Mynteferingut nga posti i kryetarit. Edmund Shtoiber largohet nga kabineti Merkel

Kryeministri i Brandenburgut Matias Placek

Kryeministri i Brandenburgut Matias Placek

Në një mbledhje këshilluese të mbajtur te marten në Berlin, krerët partiakë ranë dakord që për kryetar partie të nominohet kryeministri i Brandenburgut, Matias Placek. "Është një nder i madh për mua që do të më jepet rasti të kandidoj për postin e kryetarit të partisë", u shpreh Placek, duke nënvizuar se synimi i tij është, që ta nxjerrë SPD-në sa më shpejt nga kriza.

Placek do të mbetet edhe në të ardhmen kryeministër i landit të Brandenburgut. Në qoftë se kongresi i socialdemokratëve, që do të zhvillohet në mes të muajit do ta konfirmojë këtë kandidaturë, atëherë do të jetë hera e parë që në krye të dy partive më të mëdha të Gjermanisë do të jenë dy gjermanolindorë.

Shtoiber largohet

Kriza e socialdemokratëve po vë në rrezik edhe koaliconin e madh. Po te marten, kryetari i Unionit Kristiansocial, Edmund Shtoiber, konfirmoi lajmin që në media qarkullonte që një ditë më parë, dorëheqjen nga kandidimi për ministër ekonomie.

Shtoiber dha si shkak për dorëheqje krizën që ka kapur aktualisht kryesinë e Partisë Socialdemokrate, konkretisht largimin e kryetarit. "Franc Myntefering është autoritet dhe një nga shtyllat kryesore të koalicionit të madh, statika e të cilit ka ndryshuar. Kursi dhe besueshmëria ndaj SPD-së nuk janë më aq të qarta si më parë, " – tha Shtoiber të martën në mbrëmje në Berlin.

Ai tha më tej, se "ka ardhur në përfundim, që interesat e partisë, mund t'i përfaqësojë më mirë si kryeministër i Bavarisë." Për postin e minsitrit të ekonomisë është caktuar Mihael Glos, kryetari i grupit parlamentar të kristocialëve në Bundestag.

Angela Merkel optimiste

Megjithë problemet e mëdha tek socialdemokratët dhe largimin e Shtoiberit nga qeveria, kryetarja e Unionit Angela Merkel, u tregua optimiste për përfundimin e suksesshëm të negociatave për koalicion. "Si kryetare e Unionit Kristiandemokrat, ndjej, se, megjithë situatën e vështirë në radhët e SPD-së, vazhdon të ekzistojë vullneti për krijimin e një koalicioni të madh".

Kriza në radhët e socialdemokratëve nuk ka përfunduar ende. Te merkuren do të mblidhet kryesia, ku do të rishikohet mes të tjerash edhe kandidatura e sekretares së përgjithshme. Ishte pikërisht, nominimi në këtë post i 35 vjeçares Andrea Nahles, që shkaktoi turbulencat e ditëve të fundit në radhët e SPD-së.

Konsens në politikën e brendshme

Megjithëse e ardhmja e koalicionit nuk është e sigurtë, bisedimet në grupet punës vazhduan edhe të martën. Dy palët ranë dakord mes të tjerash, që të shikohet se si është zbatuar deri tani ligji i migracionit, në mënyrë të veçantë sa i përket qendrimit të mëtejshëm të personave me Duldung. U ra dakord, që të shqyrtohet mundësia e të drejtës së votimit komunal për shtetas jo antarë të Bashkimit Evropian.

Ndryshime do të ketë përveç kësaj edhe në procedurën e dhënies së vizave. Ndërsa deri tani për to ishte përgjegjëse vetëm ministria e jashtme, në të ardhmen vizat do të jepen me miratimin e të dy ministrive. Është ky një mësim i nxjerrë nga afera e abuzimeve me vizat në ambasadat e Evropës Lindore gjatë viteve më të fundit.

  • Data 02.11.2005
  • Autor Anila Shuka, Berlin
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqhy
  • Data 02.11.2005
  • Autor Anila Shuka, Berlin
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqhy