1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Masa për përmirësimin e raporteve BE-SHBA

Bernd Riegert18 Maj 2005

BE ka propozuar masa për një përmirësim të qendrueshëm të marrëdhënieve midis Bashkimit Evropian dhe SHBA. Në një dokument strategjik Komisioni Evropian shprehet për "diskutime më strategjike" në takimet e rregullta të nivelit të lartë të të dyja palëve

https://p.dw.com/p/ArEO

Në takimin pajtues të nivelit të lartë me presidentin amerikan Xhorxh Bush në shkurt, kryetarët e shteteve dhe të qeverive vendosën në Bruksel të futin në dosje mospajtimet për shkak të luftës së Irakut dhe për ta hedhur vështrimin përpara. Komisioni Evropian mori porosinë për të hartuar një dokument strategjik për përmirësimin e bashkëshortisë transtatlantike. Komisarja e BE për marrëdhëniet me jashtë, Benita Ferrero- Waldner kërkon t'i organizojë nga e para marrëdhëniet me Uashingtonin. Pozicionet për Lindjen e Mesme, për reformën e OKB-së, për luftimin e papunësisë apo për rivalin e madh Kinë do të rakordohen më mirë.

"Ne duhet të thellohemi më shumë në strategji, për t'U dhënë aktorëve politikë një kornizë, e cila edhe të jetë e dallueshme ."

Komisarja Ferrero-Waldner synon ta përmirësojë bashkëpunimin në të gjitha fushat, qeveritë, autoritetet mbikqyrëse, ekonomia dhe drejtësia duhet të përfshihen në këtë proces. Parlamenti Evropian dhe kongresi amerikan duhet të ndërtojnë një komision të përbashkët, për të nxitur bashkëpunimin midis deputetëve. Institucione të reja, ose marrëveshje të reja midis SHBA dhe Evropës megjithatë nuk do të ketë, mendon komisari i BE për tregtinë, Peter Mandelson. Sepse ato duhet të miratohen me dy të tretat e votave nga senati amerikan. Dhe kjo nuk mund të pritet nga një senat aktual skeptik ndaj Evropës, mendon realisti Mandelson.

Konkretisht, komisari i tregtisë Mandelson dëshiron të rinisë bisedimet për pakësimin e subvencioneve te ndërtuesit e avionëve Boing dhe Airbus. Në të ardhmen luftërat tregtare nuk duhet të shkallëzohen, sipërmarrjet duhet të veprojnë më lehtë në një treg të përbashkët në të dyja anët e Atlantikut, ndërsa burokracia duhet të eleminohet.

"Administrim më i mirë nuk është i nevojshëm vetëm në këtë anë të Atlantikut. Ka shumë sektorë ku sipërmarrjet transatlantike janë të detyruara t'i bëjnë në mënyrë dyfishe detyrat e tyre, për t'u pranuar në të dyja tregjet."

BE kërkon të arrijë që qytetarët e BE të mund të hyjnë pa viza në SHBA. Por njëkohësisht duhen mbajtur parasysh edhe interesat e drejta për sigurinë të amerikanëve, kërkoi Mandelson. Benita Ferrero Waldner, komisarja për punët e jashtme do të shqyrtojë fillimisht reagimin e amerikanëve për dokumentin.