1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Martohet ylli britanik i popit Elton John

Karl Teofilovic22 Dhjetor 2005

Çifti u martua në të njejtën ditë që në Britaninë e Madhe u vu në zbatim ligji i ri mbi pranimin zyrtar të martesave mes homo-seksualëve

https://p.dw.com/p/ArCW
Elton John dhe partneri i tij David Furnish
Elton John dhe partneri i tij David FurnishFotografi: AP

Qindra njerëz brohoritën dhe hodhën oriz në ajër të mërkurën në drekë përpara bashkisë së Windsorit, ndërkohë që Elton John dhe David Furnish vunë kurorën martesore. Të dy buzëqeshnin të lumtur, mbaheshin përdore dhe përshëndesnin të ftuarit. Madje disa vajza patën fatin t'a puthin yllin e muzikës pop. Elton John shprehej ndërkohë se ai ishte momenti më i lumtur në jetën e tij. Një grua tregohet entuziaste: "Mendoj se është diçka e mrekullueshme. Unë e adhuroj muzikën e Eltonit, jam prej vitesh tifozja e tij. Pra: Përse jo?"

Edhe një burrë tjetër mendon kështu: "Ata të dy kanë të drejtë ta jetojnë dashurinë e tyre, ashtu si ne të tjerët."

Ndërkohë kjo grua kishte një shkak të rëndësishëm për të qënë e pranishme në ceremoninë madhështore: "Doja ta mbështesja Eltonin sidomos për shkak të dashurisë kaq të pakushtëzuar që dëshmoi."

Ndryshe nga ç´pritej Elton John dhe David Furnish nuk erdhën në bashki të veshur me kostumet e tyre tipike plot ngjyra, por me kostume të errëta dhe me këmisha të bardha. Gjithçka ndodhi në mënyrë diskrete, krej ndryshe nga festa për 50 vjetorin e Elton John, kur ai u shfaq i veshur me një kostum të mbretit, Ludvig VIV. Por të mërkurën ylli i popit britanik u shfaq modest dhe konservativ.

Muzikanti kish deklaruar me kohë se ceremonia do të zhvillohej vetëm në gjirin më të ngushtë shoqëror. Aty morrën pjesë disa miq të ngushtë, prindërit e David Furnish dhe mamaja e Elton Johnit. Por njerëzit jashtë bashkisë pritën më kot për një puthje publike të çiftit të ri. Sidoqoftë një mik i familjes tregoi se pas nënshkrimit të çertifikatës, dy parnterët u puthën.

Më pas çifti i ri u kthye në një makinë Rolls Royce në vilën e Elton Johnit në Windsor, ku u festua gjithë natën. Rreth 700 të ftuar ishin të pranishëm, ndër ta shumë aktorë dhe muzikantë të njohur si Rod Stewart, Ozzy Osbourne, Sting, Sharon Stone, Hugh Grant, Viktoria Beckham dhe Donatella Versace.

Sidoqoftë çifti i ri nuk pranoi asnjë dhuratë të madhe. Shkak për këtë ishte lutja e Elton John që të ftuarit të donatonin për fondacionin e tij për luftimin e Sidës.